Home / Intervista / Fullani: Qëndrimi si Guvernator, tregues përgjegjshmërie. Politika tregoi maturi

Fullani: Qëndrimi si Guvernator, tregues përgjegjshmërie. Politika tregoi maturi

Fullani-sot-320x241Në një intervistë për një të përditshme, Guvernatori Ardian Fullani shprehet gjerësisht rreth skandalit të vjedhjes së thesarit në Bankën e Shqipërisë. Ai argumenton se përse nuk dorëhiqet nga ky post pavarësisht kërkesave nga Shoqëria Civile apo nga disa eksponentë të politikës. Sipas Fullanit, ligji përcakton qartë detyrat e një Guvernatori që janë nxjerrja e urdhrave dhe udhëzimeve. Ai thekson se nuk preferon t’u përgjigjet akuzave, pasi rëndesi fillimisht ka hetimi i cështjes. Sa i përket, Ardian Bitraj, Fullani shprehet se ky person ka qenë i besuar pasi punonte prej vitit ’93 në sistemin banker. Kurse sa i perket politikes, Guvernatori shprehet se në rastin e skandalit në BSH, klasa politike tregoi maturi

Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhënë Gazetës Mapo, datë 14 gusht 2014 

Zoti Fullani, tre javë pas publikimit të lajmit për vjedhjen e 7 milionë dollarëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë, ju nuk keni dalë personalisht të sqaroni rrethanat, përgjegjësitë tuaja dhe pasojat e ngjarjes. Pse kjo heshtje, kur opinioni publik e ka temën e ditës vjedhjen e Bankës Qendrore? 

Duke ju falenderuar për mundësinë që më keni krijuar, dëshiroj të saktësoj se: Ngjarja është njoftuar dhe denoncuar nga Banka e Shqipërisë, dhe unë personalisht kam dalë në konferencë shtypi për të informuar publikun për të dhe masat emergjente që u morën që ditën e parë. Anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës po ashtu janë shprehur në media. Pa numëruar këtu deklaratat për shtyp. Duhet të keni parasysh që Posti i Guvernatorit është i tillë që ai flet me deklarata dhe komunikata shtypi. Së dyti, dëshiroj të theksoj se çështja është në hetim dhe është një çështje mjaft delikate. Çdo deklaratë që mund të shuajë kuriozitetin publik, mund të dëmtojë rëndë hetimin dhe zbardhjen ligjore të ngjarjes. Kam preferuar që hetimi të mos dëmtohet, edhe duke u dëmtuar unë personalisht, me mjaft akuza të pavërteta që qarkullojnë. Pas kontakteve me Prokurorinë, jemi angazhuar për të krijuar të gjithë kushtet për një hetim të shpejtë, profesional, të besueshëm, gjithëpërfshirës dhe transparent. Kjo mënyrë, i shërben publikut më shumë se sa show mediatik i një Guvernatori. Nëse ju mendoni ndryshe, mund t’ju kuptoj, por për mua si Guvernator, hetimi, sekreti i tij dhe dalja e përgjegjësisë, është më e rëndësishme se sa përgjigja ndaj akuzave që më kanë hedhur mbi shpinë.

Një pjesë e opinionit publik, por edhe politikanë kërkojnë dorëheqjen tuaj si akt i marrjes së përgjegjësisë për dëmin financiar të ndodhur. Cili është reagimi juaj, a keni menduar gjatë këtyre ditëve dorëheqjen dhe çfarë ju ka penguar? 

Përgjegjësitë dhe detyrat e Guvernatorit janë të përcaktuara me ligj, dhe gjenden lehtësisht. Guvernatori nxjerr urdhra dhe udhëzime, të cilat, në rastin konkret kanë qenë të mirëpërcaktuara. Moszbatimi ose neglizhimi i tyre nga personat përgjegjës, është shkelje ligjore dhe si e tillë dënohet. Unë e shoh përgjegjësinë administrative të Guvernatorit kryesisht në garantimin e stabilitetit dhe të pavarësisë të bankës. Një gjë të tillë po e dëshmon i gjithë spektri politik me deklaratat e tij zyrtare, që adresojnë këtë problem delikat. Pra interesi i bankës, ka dominuar mbi të gjithë. Në këtë kuptim, përkundrazi, vijimi im si Guvernator i Bankës është tregues përgjegjshmërie në raport me rolin që ka ky post në garantimin e sistemit bankar dhe sigurimit të pavarësisë së bankës qendrore.

Hetimi i Prokurorisë ka zbuluar deri më tani se Ardian Bitraj është ndihmuar në këtë vjedhje nga një sërë faktorësh; kanë munguar kontrollet periodike në arkën stok dhe atë në veprim nga përgjegjësit, nuk janë zbatuar protokollet e sigurisë për mbajtjen e çelësave të kasafortës dhe personi që duhej të mbikëqyrte kamerat, nuk ka dhënë asnjë sinjal për atë që ka ndodhur. Në analizën tuaj, pse nuk kanë funksionuar gjithë këto hallka? 

Ju thashë edhe më sipër, çështja është në hetim. Përveç informacionit që kemi bërë publik, nuk mund t’ju jap detaje të tjera, por ju siguroj se lajmet që qarkullojnë çdo ditë kanë pasaktësi dhe të pavërteta. Ajo që rezulton nga analizat e kryra, është se nuk janë zbatuar rregullat proceduriale të përcaktuara si në aktet e Këshillit Mbikëqyrës, ashtu edhe në ato të miratuara nga Administratorët. Ndërkohë, ne po kryejmë me përgjegjësi të plotë rishikimin e gjithë procedurave tona që kanë lidhje me administrimin dhe kontrollin e vlerave monetare. Dua të theksoj se Banka e Shqipërisë, me asistencën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, ka marrë, dhe po merr të gjitha masat që garantojnë mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ngjarje që kanë ndodhur edhe në banka të tjera qendrore të mëdha si në Angli, Irlandë apo Australi.

A ka çeduar auditi i brendshëm dhe i jashtëm i Bankës? A kanë ata përgjegjësi ligjore në këtë rast? 

Të gjitha kontrollet e auditit janë kryer, çdo vit, konform planeve të miratuara. Jam i bindur që hetimi i nisur do të ndajë përgjegjësitë për të gjithë hallkat e përfshira në këtë proces. Auditi është vetëm një pjesë e zinxhirit të mekanizmit operacional dhe atij kontrollues të Bankës së Shqipërisë. Duhet të sqaroj se auditi i brendshëm (Inspektori i Përgjithshëm – Drejtuesi i Departamentit të Kontrollit) i Bankës së Shqipërisë caktohet nga Parlamenti me një mandat pesëvjeçar. Auditi i jashtëm përzgjidhet me një procedurë prokurimi ku ftohen të marrin pjesë, shoqëritë audituese më të njohura në botë. Dëshiroj të theksoj se auditi i jashtëm i Bankës së Shqipërisë, prej së paku 15 vitesh realizohet nga shoqëri ndërkombëtare të mirënjohura auditimi.

A keni pasur ju sinjale për profilin e autorit të vjedhjes; një person aspak i besueshëm, i varur nga kumari dhe lojërat e fatit, që punon në një nga degët më të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë? Nëse jo, kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë neglizhencë? 

Personi në fjalë është në punë në sistemin bankar që prej viti 1993. Në Bankën e Shqipërisë punon prej vitit 2005. Nga dokumentacioni në përmbajtje të dosjes së tij personale në lidhje me punësimin e mëparshëm, nuk ka rezultuar asnjë sinjalizim apo indicie rreth sjelljes apo ndonjë shkelje të mundshme të parimeve të kodit të etikës për punonjësin në Bankën e Shqipërisë. Për shkak të pozicionit specifik të punës, është çertifikuar nga organet e specializuara për nivelin më të lartë të sigurisë që në vitin 2011. Por ne po rishikojmë të gjithë procedurat e “verifikimit të pastërtisë” të gjithë personelit dhe veçanërisht atyre në pozicione të caktuara.

Posti juaj si Guvernator ka shumë kompetenca ekzekutive. Emërimet janë njëra prej tyre. Në kushtet kur 9 punonjës të Bankës ndodhen tashmë të arrestuar, a ndjeheni ju përgjegjës për përzgjedhjen apo emërimin e tyre? 

Përveç Bitraj, të gjithë punonjësit nën hetim kanë punuar në Bankën e Shqipërisë, për një kohë të gjatë prej 10 -15 viteve. 8 persona janë punësuar në Bankë para se të nisja punën si guvernator më 2004.

Politika është ndarë këto ditë në reagime, ku disa kërkojnë dorëheqjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe disa të tjerë, të drejtuesve ekzekutivë si ju dhe Zv.guvernatori. Në të vërtetë, cilat janë përgjegjësitë tuaja dhe cilat i takojnë Këshillit Mbikëqyrës për situatën e krijuar. Pra, nga kush duhej të ishte diktuar në kohë kjo vjedhje? 

Unë nuk e kam parë politikën të ndarë, por siç ju thashë edhe më lart, ajo ka qenë mjaft e qartë në deklaratat e saj zyrtare. Ka përçuar maturi. Deklaratat individuale, janë e drejtë e cilitdo. Nga ana tjetër, Banka Qendrore është një institucion i pavarur, i përgjegjshëm dhe llogaridhënës, që njeh dhe respekton vetëm qëndrimet zyrtare. Unë si Guvernator, Këshilli Mbikëqyrës dhe gjithë stafi i Bankës, jemi maksimalisht të angazhuar për të garantuar funksionimin normal të institucionit, në përputhje të plotë me ligjet e vendit.

Ka pasur aludime në media për një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës, ku Ermelinda Meksi ka kërkuar dorëheqjen tuaj. Si qëndron e vërteta dhe a keni ju ende besimin e Bordit të Këshillit Mbikëqyrës? 

Ju thashë edhe më lart, ka patur shumë të pavërteta në media këto kohë. Kjo është njëra prej tyre. S’ka asgjë të vërtetë në këtë lajm.

Zoti Fullani, ju njiheni si mik i politikanëve dhe kjo ka shkaktuar një dozë më të madhe reaksioni. Por si janë raportet tuaja sot me Ramën, Berishën dhe Metën? 

Në pyetjet tuaja, ju pyesni për marrëdhëniet me kryeministrin, ish-kryeministrin, dhe kryetarin e Parlamentit. Mandati i Guvernatorit është specifik që tejkalon atë të qeverive. Objektivat e Bankës Qendrore – garantimi i stabilitetit makro-ekonomik dhe tij financiar shkon përtej programeve politike afatshkurtra të qeverive. Një Bankë Qendrore që nuk është e pavarur nuk e përmbush dot misionin e saj. Kjo nuk do të thotë detyrimisht që Banka Qendrore duhet të “përplaset” me qeverinë e radhës dhe kur kjo ndodh, jo detyrimisht kjo ndodh publikisht dhe shpesh nuk vihet re nga publiku. Çelësi i suksesit i bankës qendrore qëndron në respektin dhe mirëkuptimin reciprok dhe çka është më e rëndësishme, në harmonizimin e politikave. Kam patur dhe kam kënaqësinë të punoj me 3 presidentë, 3 kryeministra, 3 kryetarë parlamenti. Detyrat e mia institucionale kërkojnë që të ndërtoj marrëdhënie pune dhe besimi reciprok, por pa cënuar në asnjë rast pavarësinë institucionale që qëndron në themel të përmbushjes me sukses të objektivave të Bankës.

Jehona mediatike e vjedhjes në Bankë mori përmasa të tjera, kur media publikoi fotot e ditëlindjes së djalit tuaj, por edhe koleksionin e tij të shtrenjtë të orëve apo makinave. Cili është komenti juaj për këtë? Si do t’i përgjigjeshit gjykimit të opinionit publik, që hedh dyshime mbi burimin e pasurisë së familjes tuaj? 

Insistoj edhe një herë. Në këto ditë dhe javë kanë qarkulluar shumë të pavërteta. Të pavërteta që më kanë prekur mua, familjen time, fëmijët e mi. Kam preferuar të mos përgjigjem dhe të mos hyj në këtë debat, sepse kam gjykuar që emergjenca në bankë pas ngjarjes së rëndë ka qenë më e rëndësishme se sa beteja ime personale. Me shpifjet, ju siguroj se do të përballem për të ruajtur dinjitetin tim dhe atë të familjes sime. Të ardhurat dhe pasuria e familjes sime është prej më se një dekade subjekt i vetëdeklarimit dhe kontrollit nga institucionet përkatëse. Çdo pasuri dhe pronë e familjes është lehtësisht e verifikueshme dhe vërtetueshme. Por në ndonjë rast, spekulimet, janë më interesante se sa e vërteta. Unë punoj prej 40 vitesh dhe në këto 4 dekada kam pasur mjaft pozicione të rëndësishme, në sektorin publik dhe atë privat, të cilat jo rrallë më kanë vendosur në qendër të vëmendjes mediatike. Karriera ime nuk fillon dhe as nuk mbaron në Bankën e Shqipërisë. Ju siguroj, që s’do të lejoj asnjë spekulant të njollosë emrin tim.

Zoti Fullani, çfarë pasojash ka sjellë ky skandal për Bankën e Shqipërisë, por edhe për sistemin bankar në vend? Çfarë garancish jepni ju që paratë e shqiptarëve janë në duar të sigurta? 

Ngjarja e ndodhur, edhe pse e rëndë, nuk ka prekur asnjë nga treguesit e sistemit bankar. Veprimet monetare në arka dhe sportele janë në parametra normalë. Sistemi bankar funksionon në parametra optimalë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare të gjitha shërbimet. Publiku ka ditur të bëj dallimin mes një ngjarje të izoluar dhe sistemit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.