Home / Ekonomia / AMF në Kuvend, Shehi: Tregjet financiare në zgjerim, forcojmë mbikqyrjen

AMF në Kuvend, Shehi: Tregjet financiare në zgjerim, forcojmë mbikqyrjen

Tregjet e sigurimeve, të kapitalit dhe fondeve të investimeve, si dhe të fondeve private vullnetare të pensioneve vijuan prirjen e tyre për zgjerim. Në vitin 2015 totali i aktiveve në këto tregje arriti në rreth 95.7 miliardë lekë (rreth 697 milionë euro), me një rritje prej 7% kundrejt vitit 2014 (89 miliardë lekë).

Shifrat i përkasin raportimit të drejtoreshës ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Enkeleda Shehi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat ku u shqyrtua raporti i veprimtarisë së vitit 2015.
Sipas znj. Shehi struktura e tregjeve në vitin 2015 konfirmoi ndryshimin strukturor të vërejtur në tre vitet e fundit. Kështu, tregu më i madh për t’u mbikëqyrur nga pikëpamja e aktiveve mbeti tregu i fondeve të investimeve. Pesha e këtij tregu në vitin 2015 në tregjet financiare që mbikëqyr AMF, arriti në 70.2% me një ulje të lehtë nga viti 2014 ku pesha e këtij tregu ishte 71.4% (dhe duke ardhur në vlerat e vitit 2013 ku pesha ishte 69%).
Në fund të vitit 2015 rezultojnë 438 licenca për ushtrim veprimtarie në tregjet që mbikëqyren nga AMF. Nga ky numër 59 janë licenca për shoqëri, përfshirë edhe bankat; 5 licenca janë për fonde pensioni dhe investimi dhe 374 licenca janë për individë, profesionistë të fushave nën mbikëqyrje të Autoritetit.

Drejtoresha ekzekutive e AMF-së u shpreh se gjatë vitit 2015, AMF ka kryer inspektim pranë shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës dhe Byrosë Shqiptare të Sigurimit (BSHS). “Fokusi i inspektimit në shoqëritë e sigurimit ishte verifikimi i pagesave të kryera gjatë viteve 2014 dhe 2015 për dëmet e prapambetura të Fondit të Kompensimit me ngjarje sigurimi deri në 31.12.2013, në zbatim të kërkesave të vendimeve të Bordit të AMF-së nr. 17, datë 28.02.2014 dhe nr. 12, datë 20.03.2015. Ndërsa në BSHS fokusi i inspektimit ishte verifikimi i të dhënave të detajuara të dëmeve të Fondit të Kompensimit për dëmet me ngjarje sigurimi deri në 31.12.2015 si dhe raportimit të BSHS në AMF lidhur me dëmet e paguara gjatë viteve 2014 dhe 2015, që i përkasin dëmeve me ngjarje sigurimi deri në 31.12.2015. Nga gjetjet e këtij inspektimi AMF ka lënë rekomandimet përkatës”, nënvizoi znj. Shehi.

AMF ka përfunduar me amendimin e ligjit për fondet e pensionit vullnetar dhe po punon me atë të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, me synim miratimin e tyre në vitin 2016. Ligje të tjera, kryesisht ato që kanë të bëjnë me tregun e kapitaleve, do të shikohen në vitet pasuese, në kuadër edhe të projektit SECO. E përmenda këtë fakt për të sjellë në vëmendjen tuaj që përmbushja me sukses edetyrave të projekteve do të kërkojë në vitin 2016 e në vijimësi mbështetjen e Kuvendit në procesin e diskutimit dhe miratimit të ligjeve me synim nxitjen e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Në fjalën e saj znj. Shehi foli edhe për investimet nëpërmjet platformave të tregtimit online që përbëjnë një risi për tregun shqiptar.

“Duke vlerësuar rrezikun që mbart investimi në këto platforma, Autoriteti ka synuar në rregullimin e veprimtarisë së subjekteve që promovojnë produktet e platformave online duke i kushtuar rëndësi transparencës dhe ndërgjegjësimit të publikut për t’iu drejtuar vetëm subjekteve të 10 licencuara. Në këtë kuadër, Autoriteti ka rritur nivelin e bashkëpunimit si me institucionet brenda ashtu dhe me autoritete të tjera relevante të huaja për shkëmbimin e informacionit”, tha drejtuesja e AMF-së.

Ja se çfarë parashikon AMF për 2016-ën, për tregjet fiannciare:

Sigurimet

Për tregun e sigurimeve vëmendja do të vijojë të përqendrohet ne masat stabilizuese, ku përfshihen: (i) masa e stabilizimit të financimit dhe përmirësimit të administrimit të fondit të kompensimit; (ii) masa e mbajtjes së rezervës monetare në shoqëritë e sigurimit. Të dyja këto masa stabilizuese kanë për qëllim edhe përmirësimin e pagesave për palët përfituese, në përfitim të konsumatorëve. (iii) Adresimi i mbikëqyrjes së grupeve; (iv) shtrirja e mbikëqyrjes me fokus riskun në pjesën më të madhe të shoqërive të sigurimit; (v) testimi i sistemit të vlerësimit të administrimit të rrezikut nga shoqëritë e sigurimit, do të përbëjnë prioritete të punës së AMF përsa i përket këtij tregu gjithashtu;

Fondet e pensioneve dhe te investimeve

Për dy tregjet e tjera sfida të rëndësishme për AMF për vitin 2016 do të jenë: (i) zbatimi i mbikëqyrjes me bazë rrezikun në tregun e fondeve të investimeve dhe fondeve të pensioneve vullnetare; (ii) nxitjen e qëndrueshmërisë në tregjet financiare, nëpërmjet
përmirësimit të procesit të mbikëqyrjes së konsoliduar dhe forcimit të rregullave të administrimit të rrezikut; dhe (iii) forcimin e punës së AMF-së në drejtim të mbrojtjes dhe edukimit të konsumatorit, përmes zbatimit të strategjisë së edukimit të investitorëve
të SIK dhe të anëtarëve potenciale të fondeve të pensioneve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: