Ekonomia

AMF: Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2014 u rritën me 4.67 %

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2014 u rritën me 4.67 % krahasuar me vitin 2013. Sipas raportit të publikuar së fundmi nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF), pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me mbi 2.286 milionë lekë, apo 81.03 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

amf-demeKy sigurim përfshin mbulimin e shpenzimeve si pasojë e dëmeve materiale, shëndetësore dhe pasurore të shkaktuara ndaj palëve të treta, për shkak të qarkullimit të mjetit motorik të siguruar. Rritje e dëmeve të paguara regjistrohet edhe në segmentin e sigurimit të jetës, ku kompanitë kanë paguar dëme në vlerë 16.73 për qind më të lartë krahasuar me vitin e kaluar. Dëmet e paguara në sigurimin e jetës llogariten për vitin 2014 93.174 mijë lekë nga 79,818 mijë lekë që ishin në vitin 2013. Numri i dëmeve të paguara është rritur me 14.84 për qind dhe arriti shifrën 27,511, nga të cilat 26.605 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 906 nga shoqëritë e sigurimit të Jetës. Ajo që bie në sy është se numri i dëmeve të paguara nnga shoqëritë e sigurimit në aktivitetin e jetës gjatë vitit që lamë pas është rritur me 83.40 për qind krahasuar me vitin 2013.

Pavarësisht treguesve në rritje sa i përket pagesave të dëmeve nga shoqëritë e sigurimit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u ka kërkuar kompanive pak ditë më parë respektimin e afateve të dëmshpërblimeve nga kompanitë e sigurimit. Gjatë një takimi me drejtorët e përgjithshëm të shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës, drejtore e përgjithshme ekzekutive e AMF-së, Enkeleda Shehi, kërkoi angazhim maksimal nga shoqëritë e sigurimit, për përmbushjen e disa objektivave të rëndësishëm, që do të jenë në fokusin e AMF-së. AMF iu kërkoi kompanive përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve, respektimin e afateve në trajtimin e dëmshpërblimit, kontrata cilësore dhe transparente, përmirësimin e cilësisë së agjentëve në sigurime, hartimin i një kodi etike për ndërmjetësit, si dhe standarde profesionale pune dhe shërbimi. Shehi theksoi rëndësinë dhe vëmendjen që AMF do t’i kushtojë gjatë vitit 2015, zbatimit të mbikëqyrjes me fokus rrezikun dhe kërkoi angazhim serioz nga shoqëritë për ndërtimin e sistemit të efektshëm të administrimit të rrezikut. AMF, në zbatim të metodologjisë së re, po harton një rregullore me parimet e ndërtimit të sistemit të administrimit të rrezikut, e cila do t’i përcillet shumë shpejt industrisë për mendim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button