Bota

Amnesty International akuzon kurdët sirianë për krime lufte

Pak ditë pas ngjarjeve që rindezën tensionet e vjetra turko-kurde, Amnesty International publikoi një raport ku i akuzon forcat kurde në veri të Sirisë për shpërngulje të detyruara dhe shkatërrime masive banesash.

Organizata e të drejtave të njeriut thotë se Njësitë Popullore të Mbrojtjes, YPG, kanë rrafshuar fshatra të tërë pas rimarrjes nën kontroll të tyre nga duart e militantëve të Shtetit Islamik.

Një gjë e tillë është bërë mesa duket në formë hakmarrjeje ndaj banorëve të konsideruar simpatizantë, apo edhe të lidhur me grupin xhihadist.

Vetë forcat kurde i kanë mohuar me forcë akuzat e shpërnguljeve të detyruara. Por, këta aleatë kyç të koalicionit të udhehequr nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS e kanë pranuar bashkë me krahun e vet politik, PYD, se disa incidente të izoluara ka pasur vërtet.

Bombardimet e koalicionit, ashtu si dhe hedhja nga ajri e armëve dhe municioneve, i ndihmuan paraushtarakët kurdë të zmbrapsnin ISIS-in nga pjesë të mëdha të veriut të Sirisë vitin që shkoi.

Pikërisht në kohën e publikimit të këtij raporti, Uashingtoni deklaroi se rebelëve në rajonet veri-perëndimore të këtij vendi u ka hedhur mbi 45 tonë municione. Për Amnesty International, abuzimet e YPG-së janë alarmuese.

Ndër dëshmitë e tjera të cituara në dokument është edhe ajo e një banori të fshatit Huseinija të provincës Hasakeh, i cili tregon sesi i kanë nxjerrë me dhunë nga shtëpia, të cilën ia shkatërruan pastaj me fadromë. “Bënë këtë gjë me të gjitha banesat njëra pas tjetrës, derisa u rrënua i gjithë fshati”, rrëfen ai.

Në njërin prej incidenteve, luftëtarët kurdë thuhet të kenë lagur muret e një shtëpie me benzinë e më pas i kanë vënë flakën në kohën kur banorët ishin ende brenda.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button