Opinion

Arrestimi i Fullanit: A ka rënë mburoja politike për pandëshkueshmërinë?

ANDREA STEFANI 

Andrea StefaniArrestimi i Ardian Fullanit, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë (BSH), ku u vodhën rreth 7 milionë USD, ka ngjallur shpresën se më në fund, edhe në Shqipëri, ligji do të godasë edhe në majat e shtetit, aty ku për më shumë se 20 vjet, korrupsioni dhe krimi kanë mbretëruar të pashqetësuar. Po a është arrestimi i guvernatorit pikërisht rasti që shënon rënien e epokës së pandëshkueshmërisë? Është herët ta thuash. Prandaj është herët edhe të brohorasësh fundin e pandëshkueshmërisë. Enigmat janë të shumta: Vërtet kemi një veprim të pavarur të prokurorisë, pavarësisht asaj që epshon politika e të gjitha krahëve? Apo mos vallë guvernatori Fullani është një kokë turku që vendosën ta sakrifikojnë për të gënjyer opinionin e acaruar (por edhe ndërkombëtarët që presin rekorde antikorrupsion) që kërkoi deri edhe me peticion largimin e tij? Por edhe nëse prokuroria ka vepruar me iniciativë siç ia kërkon ligji dhe jo bota e politikës, ç’do të ndodhë më tej? Ç’do të ndodhë kur çështja të shkojë në gjykata ku politika ruan ende një kapje shumë të fortë? Ekzistojnë simptoma për versione të ndryshme madje, të kundërta përgjigjesh për këto dilema. Ato do saktësohen me kalimin e ditëve duke na bërë të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një rilindje të drejtësisë apo përsëri me një farsë. Por deri atëherë, është herët për të brohoritur: Urra!

***

Që në krye të herës duhet rikujtuar se Fullani nuk është i pari guvernator i BSH që arrestohet. Para tij është arrestuar, madje dënuar edhe me burg, guvernatori Ilir Hoti. Shkak u bë humbja e 1.6 milionë dollarëve dhënë një shtetasi francez që mori përsipër të negocionte reduktimin dhe riskedulimin e borxhit të jashtëm të Shqipërisë. Po në Bankën e Shqipërisë, disa vite më vonë, është arrestuar dhe dënuar me burg për një aferë korruptive, edhe zv/guvernatori Dhame Pite. Bie në sy që BSH është institucioni me më shumë kryetitullarë të ndëshkuar në një kohë që në institucione të tjera, ku politika e lartë është më autentikisht prezente, nuk kemi pasur asnjëherë arrestim titullarësh edhe pse korrupsioni dhe humbjet kanë qenë ku e ku më të mëdha. Pak ditë më parë ishte po kjo prokurori që mbylli një dosje për një politikan, ish-ministër. Çfarë ka ndodhur dhe po ndodh? Mos vallë BSH është “e përdala” që pasi e përdorin të gjithë e braktisin po të gjithë?

***

Thënë këtë, duhet kuptuar se drejtësia nuk e ka futur akoma këmbën në rrethin apo “klubin” e të të paprekshmëve të politikës së lartë. Fullani, sado zyrtar i lartë, nuk është politikan, pra nuk është “anëtar i klubit”. Me arrestimin e tij grabitqarët e politikës që kanë bërë korrupsion sa dhe si kanë dashur pa u hyrë gjemb në këmbë, duke u pasuruar ku e ku më shumë se Fullani, vetëm fitojnë kohë madje edhe “prestigjin” se po ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit. Por një gjë ka dalë qartë këto ditë: Avokatia që disa figura të larta, në të dy krahët e politikës i bënë guvernatorit Fullani në një kohë që shumica e opinionit publik ishte për dorëheqjen e tij. Tipike janë deklarimet e Berishës dhe Metës që i ngjajnë njeri-tjetrit si portokalli-portokallit. Duke e cilësuar vjedhjen një krim të shëmtuar Berisha nxitoi të nënvizonte se “…ky krim i shëmtuar është zbuluar dhe denoncuar nga vetë Banka…”. Edhe Ilir Meta pati merak të nënvizonte dy herë në deklarimin e tij se vjedhja ishte “…denoncuar në prokurori nga vetë strukturat e Bankës, pra nga drejtuesit e saj”. I përbashkët për të dy deklarimet ishte edhe shqetësimi që ngjarja të mos përdoret për të dëmtuar reputacionin e Bankës apo për të ushtruar presion mbi të. E përbashkët për të dy deklaratat ishte edhe “direktiva” si qëmoti, që drejtësia të japë ndëshkim maksimal (Meta) apo më të rreptë (Berisha) për autorët apo përgjegjësit e vjedhjes. Të tilla sugjerime janë anakronike dhe, si kur politika e mbështet apo e bllokon prokurorinë, forma të ndikimit mbi punën e saj. Prokuroria duhet ta dijë vetë punën e saj dhe t’i sugjerosh se ç’duhet të bëjë, është si t’i thuash shoferit të autobusit se duhet të ngasë autobusin apo shitësit se duhet të shesë. Sarkazma e politikës bëhet edhe më rrëqethëse kur dëgjon nga kampi blu të thonë se edhe në çështjen “Fullani” duhet të respektohet vendimi i gjykatës. Duke pasur parasysh ndikimin e madh që ruan berishizmi në gjykata, si dhe përvojën kur nga bangot e drejtësisë kanë dalë pa lagur deri të akuzuar për vrasje protestuesish në mes të ditës dhe para kamerave, nuk mund të mos kesh frikën se mos jemi përsëri përpara ndonjë blofi me vendime “të shenjta” gjykatash “të pavarura”.

***

Jep shpresë një zhvillim pozitiv. Avokatia për guvernatorin, e shfaqur nga segmente të politikës dështoi. Të paktën deri në dyert e gjykatës. Besojmë se e bënë të dështojë presioni publik i shfaqur edhe në media. Besojmë gjithashtu se shkaku tjetër është dhe fakti që nuk kemi më në pushtet një kryeministër dhe një qeveri që nuk ka marrëzinë të dalë antikushtetueshmërisht hapur kundër ndalimeve apo arrestimeve të prokurorisë. Po të qe Berisha në pushtet nuk do të çuditesha që, me avokatinë që tregoi edhe këto ditë për guvernatorin, të pengonte arrestimin e tij duke “argumentuar” (siç bëri edhe në rastin e ndalimit të drejtuesve të Gardës), se nuk mund të lihet dot Banka e Shqipërisë pa drejtim. Madje mund të akuzonte edhe prokurorinë se po bënte tradhti ndaj shtetit. Guvernatori nuk qe pa mbrojtje politike, por nuk pati mbrojtje qeveritare. Kjo është e reja këtë herë. Shihet qartazi që edhe prokuroria nuk ka pasur rezistencë qeveritare. Mbetet të shihet nëse ka pasur “leje” nga kampi berishist për të bërë atë që bëri dhe që ka ngjallur, na duket më shumë nga frustracioni se nga arsyeja, shumë shpresa dhe eufori në publik se ka ardhur më në fund, fundi i pandëshkueshmërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button