Arte

Arti s’duhet të jetë politik

Me Cauleen Smith, fituesen e çmimit “Danish Jukniu” në edicionin e parë të Tirana Open

Cauleen Smith e sheh artin më shumë se një formë për të eksploruar politikën, si një rrugëtim për të zbuluar botët e pathëna të qyteteve, njerëzve apo historisë. Dhe pse ndalet pak tek e shkuara, veprat e saj janë një hulumtim i ideve më të ndjera njerëzore, duke e shndërruar artisten brenda saj në një qenie tjetër, një qenie që komunikon me shqetësimet aktuale të shoqërisë. Profesoreshë e Arteve Pamore në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, ajo është e njohur për veprat e saj që rreken të tregojnë identitetin afrikano-amerikan, veçanërisht me problemet që përballen gratë e zeza. Smith nënvizon në punët e saj sesi përkatësia racore, sidomos ajo afro-amerikane gjatë shekujve ka prodhuar në SHBA jo vetëm kulturë, por edhe ide dhe ka ndihmuar zhvillimin e ekonomisë. Thelbin e kulturës amerikane ajo e sheh të lidhur me gjininë e saj, me një kast të rëndësishëm artistësh me ngjyrë që i kanë dhënë këtij vendi identitetin. Ata kanë qenë mentorët e saj, të cilët teksa studionte kinema në Universitetin e San Franciskos, e frymëzuan drejt një rruge ku të kuptuarit ishte e njëjtë me të ndjerit. Ndaj veprat e Smith e kalojnë kontekstin e një përjetimi vetjak, dhe pse si artiste, ajo përdor ndjesitë vetjake për t’i dhënë në një dimension tjetër. Vetëm dy javë më parë, Cauleen Smith u shpall një nga fitueset e çmimit “Danish Jukniu” në edicionin e parë të Tirana Open 1 që u mbajt në Tiranë si artiste pjesë  (Museum of Contemporary Art, Chicago). Në Çikago ku jeton tashmë, ajo është pjesë e lëvizjes së quajtur Afrofuturizëm. Më poshtë Smith vjen në një intervistë mbi videon që i dha çmimin me emrin e artistit të njohur shqiptar Danish Jukniu, një video që përmes erës së oqeanit futet thellë në psikikën e ndryshimeve esenciale që ndodhin me qytetet, por dhe me psikikën njerëzore …

“Oqeani është busulla ime …” Le ta nisim bisedën nga kjo shprehje me të cilën ju hapni videon?

Në fakt, u shpreha fjalë për fjalë në kuptimin që kur dikush jeton në Los Anxhelos (qyteti që ende e kam në mendje si vendlindjen time edhe pse tani jetoj në Çikago) është shumë e lehtë të orientohesh duke përdorur oqeanin (perëndimi) dhe malet (veriu). Kur u shpërngula në Çikago, e pata tepër të vështirë të kuptoja se në ç’pikë të planetit ndodhesha. Liqeni i madh i Miçiganit është aq i pafund sa mund të merret për oqean, edhe pse është veçse një liqen i madh. Kështu që fillova filmat e mi me të, si mënyrë për të folur për orientimin dhe vendndodhjen.

Megjithatë, nga paqja dhe era e oqeanit, duket sikur me këtë video kërkoni të zbërtheni mendjen …

Është e vërtetë. Madje më konkretisht videot eksplorojnë psikogjeografinë e qytetit. Mua më interesonte shumë qyteti si një inkubator për radikalitetin dhe të eksperimentuarit. Qyteti ka një traditë të shkëlqyer në krijimin ose të paktën në të qenët përkohësisht vatra e shumë artistëve pararojë, një ndër të cilët është edhe Sun Ra.

Interesante pasazhet me doktorin … Çfarë keni dashur të tregoni përmes kësaj pune?

Shtetet e Bashkuara janë një kulturë shumë e racializuar. Edhe pse, shkencërisht raca nuk ekziston, një pjesë e fuqisë ekonomike të vendit tim vjen nga mënyra se si raca është përdorur si mjet për të përzgjedhur dhe shmangur qeniet njerëzore dhe për të nxjerrë vlerë duke u bazuar te raca. Përkatësia racore e afro-amerikanëve gjatë shekujve ka prodhuar kulturë, ide dhe ekonomi. Madje ndokush mund të debatojë se në thelbin e vet, kultura amerikane është e zezë dhe indigjene. Për mirë apo më keq, ky lloj gërshetimi është ai që krijon llojin e risisë dhe shpikjes për të cilat njihet kultura amerikane. Pavarësisht nga kjo, e zeza dhe njerëzit të cilët në Amerikë përcaktohen si të zinj, shihen sikur ne jemi një e metë, thelbësisht një gabim. Ndaj edhe tipari prej psikiatri këmbëngul në patologjizimin e një njeriu, i cili thjesht është duke përjetuar kushtet që i janë imponuar.

Sa i ngjason artisti krijimit të tij?

Karakteri prej psikiatri është kryekëput trillim, madje nuk është as personazh i zhvilluar plotësisht, por vetëm një simbol, përmes të cilit mund të kuptohet një kritikë e një kulture autoritare. Në video, unë nuk jam vetëm artiste, por luaj edhe rolin e pacientit.

Duket sikur arti sot tenton të shkojë më shumë drejt gjendjeve, eksplorimit të tyre … Çfarë e krijon artin tuaj?

Unë përpiqem të bëj vepra që përdorin gjëra që ne në këtë botë i anashkalojmë ose i nënvlerësojmë, duke krijuar admirim, duke ndihmuar dikë të shohë dhe të ketë përvoja jetësore në një mënyrë që destabilizon bazën tonë të hamendësimeve për atë që ne kujtojmë se dimë. Më pëlqen të krijoj përplasje ndërmjet sendeve mondane dhe njerëzve të rregullt me koncepte kozmologjike që kanë të bëjnë me të kuptuarit tonë mbi të qenët.

Si është jeta juaj si artiste? Dhe si e shihni artin që bëhet sot?

Sot është vërtet diçka magjepsëse të jesh artist, sepse shumë praktika, mjete, gjeografi dhe ekonomi të ndryshme mund të bëhen materiali i punës së artistit. Ne mund të bëjmë sende, filma, tinguj, shfaqje, pamje, piktura, çfarëdo që na duhet të krijojmë, në mënyrë që t’u përqasemi ideve që na shtyjnë të ecim përpara. Madje ne mund të përdorim edhe historinë. Historia është materiali im i parapëlqyer. Është e vështirë të krijoj ide të reja duke përdorur të kaluarën, por besoj se është edhe thelbësore.

Mendoni se arti po bëhet politik? Si e shihni raportin mes politikës dhe artit?

Politika dhe arti … sigurisht që këto koncepte janë tema të ndryshme, në varësi të cilës pjesë të botës jetojmë.

Këtu ku jetoj unë, në jug të Çikagos, ka një histori të gjatë e të shkëlqyer me artistë shumë të angazhuar me ndryshimet shoqërore, me protestat politike. Besoj që është e rëndësishme që të mos jemi të lidhur me axhendat politike sado afër që t’ë ndihemi me një axhendë politike apo me një tjetër. Unë kështu e mendoj, sepse politikanët janë tepër të shpejtë që t’i detyrojnë artistët të bëjnë vepra që i shërbejnë një axhende politike. Por, besoj se arti është vërtet më i mirë, kur përqendrohet në përpjekjet për të arritur në brendinë e individit – kur më shumë e vë autoritetin në pikëpyetje, sesa e mbështet. Politika është si çekan i madh, i cili i shtyn njerëzit në drejtimin që atij i duhet që ata të shkojnë. Besoj se arti është një mjet i brishtë përpikërie, i cili që kërkon të tërheqë ata që kanë të njëjtat pyetje, shqetësime apo estetikë. Ndonjëherë këto dy rrugë komunikimi nuk ecin dot përbri.

Si lind një vepër te ju?

Unë bëj shumë kërkime dhe gjërat që mësoj i lejoj të më udhëheqin drejt gjërave që nuk i prisja apo nuk i parashikoja. I respektoj së tepërmi autodidaktët, njerëz që mësojnë veten, në vend që të mësojnë në institucione apo të pranojnë që figura autoritare t’u japin informacion. Unë përpiqem të ndjek kureshtjen time dhe të mësoj sa mundem. Pastaj ka çaste kur nuk ka asnjë të vërtetë, asnjë përgjigje të saktë. Kjo ndodh atëherë kur mendoj se videot që bëj duhet të jetojnë, në hamendësime, në anonimat. Por, mua më duhet të mësoj shumë dhe të bëj kërkime përpara se të kuptoj qartë se çfarë është anonimati, e panjohura.

U shpallët fituese e një çmimi të rëndësishëm në Shqipëri “Danish Jukniu”, e dini që ai ka qenë një piktor i rëndësishëm?

Po. Faleminderit për këtë pyetje! Është vërtet nder për mua të fitoj një çmim që mban emrin e një piktori si Danish Jukniu. Përulem dhe jam shumë mirënjohëse. Në veçanti, për shkak të interesit tim që ia kushtoj zbulimit të historive që janë anashkaluar apo që ne ndoshta i harrojmë. Është nder një vlerësim që mban emrin e këtij artisti shqiptar. Kohën që kalova në Tiranë dhe emrin e Danish Jukniut nuk kam për ta harruar kurrë. Falënderoj pa masë organizatorët, Helidonin dhe Nevilën, që bënë të mundur që të isha pjesë e këtij eventi të rëndësishëm të artit pamor. Pjesëmarrja në Tirana Open 1 ishte një nder për mua. Tirana ishte një qytet i bukur dhe mezi pres të kthehem përsëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button