Opinion

“Autochthonous”

FADIL LEPAJA

Fadil Lepaja“Kush e qëndisi flamurin e pavarësisë”, po i pyeste fëmijët, mësuesi veteran, në vigjilje të pavarësisë? Në klasë mbretëroi heshtje! “Hë pra, Ma… Ma…?! Prapë heshtje! “Mari…” po insistonte mësuesi?!

“Marijuana” u përgjigj nga fundi i klasës, Luli i Vocërr, nga Lazarati. Opingat e mësuesit të varfër sikur e kishin hapur gojën të gëlltisnin çunin! Është festë …

Salla e madhe, përplot refugjatë shqiptarë të sapoardhur nga Kosova, po gumëzhin gëzueshëm. Ata e kaluan ilegalisht kufirin me Hungarinë dhe pas shumë e shumë peripecish arritën në Mynih të Gjermanisë. Po përgatiten me e festue festën e pavarësisë. Me ato pak para që ata kanë kursyer ose kanë marrë borxh, do të blejnë ndonjë “dron” të lirë dhe do të bëjnë të valëvisë përplot krenari flamuri ynë kombëtar, me të gjitha pretendimet tona territoriale. Pas Beogradit, radhën e kishte … Mynihu.

Ndoshta dikush do të kapet për fjale, e do të thotë se ata nuk mund të quhen refugjatë. Pajtohem, ata janë thjesht emigrantë. Fjala refugjat i bënë të duken sikur të kenë ikur nga vendi i tyre. Ruejna Zot, çfarë është kjo fjalë?! Refugjatët ikin vetëm nga vendet në luftë. Por, te ne nuk ka luftë. Te ne ka vetëm paqe. Edhe na mjafton. Nejse.

Me gjithë lulëzimin ekonomik të pranuar ndërkombëtarisht, me gjithë bumin politik e patriotik e madje edhe euroatlantik të vendit, populli ynë, historikisht mosmirënjohës, po ikën nga Kosova. Me gjithë politikanët më të pasur në rajon. Me gjithë ato vende pune që rrinë bosh, prapëseprapë po ikën. Por … ne kemi shtet.

Të lumtë shtet! Policia jonë heroike nuk e lejon ikjen masive. Krejt po zhvillohej në heshtje, vonë natën, por tradhtarët e denoncuan në “Facebook”. Vetëm për një natë, në Ferizaj, tentuan të nisen gjashtë autobusë me rreth 300 “turistë”, të cilët po synonin Gjermaninë. Pa viza! Policia i ndali.

Për festën e pavarësisë, të gjitha yjet e estradës do të shkojnë në Europë. “Po bëhet mirë”, u përhap fjala. Nuk e ndal asgjë këtë popull të kapet në valle. Të gjithë duam të shkojmë në Europë. Me festue pavarësinë!

Përndryshe në kokën tjetër të shqiponjës, sot shqiponjat janë zgjuar herët. Shqipëria historike është zgjuar nga gjumi. U desht një italian që sërish të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë. Ai duhet të marrë dekoratën “Nderi i kombit”. Edhe Ivica, në Beograd, i këndonte Edit në vesh këngën patriotike: “O sole mio”!

Pra, në malet e Shqipërisë etnike është festë. Ka lulëzue biznesi. Krejt shqiponjat, për çmime astronomike janë prenotue, prej bizneseve vendore dhe ndërkombëtare. Çkado që fluturon dhe që ka pupla, mund të performojë nëpër sheshet e stadiumet anembanë trojeve etnike dhe në trojet tona në diasporë. Në këtë eufori nuk dallohet sorra nga shqiponja.

Kështu, disa ditë të gjithë do të jemi shqiptarë. Askush në botë nuk do të jetë më shqiptar se ne. Konjaku do të rrjedhë lumë, e “Skënderbeu” do të bëjë kërdi ndër ne. Edhe birrat “Tirana”, “Korça”, “Peja” do të rrjedhin përgjatë Rrugës së Kombit, e do të derdhen në Adriatik. Të gjitha llojet: kuqalashe, bionde apo brune. Unë i preferoj brunet! Dikush do të dehet edhe me “shlivovicë” apo “vodka”, por ku ka patriotizëm në raki, or vëlla!

Përndryshe, Koço Kokëdhima e ka gabim kur mendon se të rinjve shqiptarë u duhet lejue vetëm narkotiku i “butë”. Ai këto ditë propozoi legalizimin e marijuanës. Nuk mjafton, Koço! Na duhet narkotik më i fortë për t’na e kthyer vetëbesimin. Nacionalizmi për shembull. Por, na duhet një nacionalizëm me ngjyra europiane. Kontrabandë!

U pa puna! Pa e kuptuar fare paskëshim vdekur si komb! Në kujtesë lundrojnë anijet, të cilat nën peshën tonë u fundosen në Grykën e Otrantit! Në Danub, përmbysen varkat e “turistëve” kosovarë, që janë mërzitur nga jeta e mirë dhe monotone. Eh!

Nejse, dialogu në vijim është vetëm për 18+! Jo se përmbajtja ka të bëjë me pornografi.

Ku dinë fëmijët çka janë metaforat! Krejt i marrin në kuptimin e parë. Sot e kësaj dite, lejleku për ne ende përmban elemente prindërore.

Keni dëgjuar për ndonjë gjuetar që gjuan lejlekun? Të gjitha shpezët dhe shtazët e tjera, po! Nuk ngrihet dorë në prind! As në nëndije! Lejlekët e gjorë! Të akuzuar pa faj, ata … por lëre fare.

As Edi, nuk e pranon. “Nuk jam unë, jo”! Kështu po i thoshte me këmbëngulje, Baton Haxhiut. Refreni i përsëritur disa here brenda një interviste ekskluzive për “Klan Kosova” po fuqizohej përpara insistimeve të dëshpëruara të “1” të televizionit të vetëm (inter)nacional në Kosovë dhe Shqipëri.

“Slogani i famshëm ‘Jemi një’ po e shtyn drejtorin kosovar të këtij mediumi ndërkombëtar të niset në fushatë për me e gjetë diku, me patjetër, një prind për kombin. Një vend, një komb, një … prind!

Mos u hutoni! Televizioni Kombëtar i Kosovës ose shkurt RTK, jep programe në disa gjuhë. Por nuk është ndërkombëtar! E “Klani” po! Sepse ai emeton program veç në shqip! E kam thënë edhe më herët: ne jemi komb ndërkombëtar. Edhe komb, edhe të hutuar! Të rritur … pa prind.

Kështu, Batua, po i thoshte: “je”! Edi, mohonte! Batua insistonte e Edi sërish thoshte: “Jo, jo edhe jo”!

“E kush tjetër more Edi? Nëse jo ti, atëherë kush?” Populli ynë nuk jeton dot pa një përgjigje! “Kush Edi, aman”?

“Qosja? Qosja do të bëhej me gjithë qejf”, po përpiqej Batua ta fuste Edin në rrethin vicioz të xhelozisë. Kaq mjafton?!

Jo, nuk mjafton! “Nuk jam unë, o burrë”, nuk tundej Edi! Nuk pranonte të jetë baba i kombit, përkundër këmbënguljes së Batonit. Baba i shqiptarëve?! Jo or vëlla!

Aq fëmijë të padëshiruar jemi?! Askush nuk e merr atësinë. Fëmijët tanë të rritur me mitin për lejlekun që sjell foshnjat, do të pyesin: pra, cili lejlek e solli popullin shqiptar? Askush nuk e solli. “Autochthonous!” Por, edukata seksuale nëpër shkolla gjithnjë e më tepër po e qet në pension lejlekun. Fëmijët po e dinë.

Ti u flet për lejlekun e ata me vete thonë: “Në këtë shtëpi askush nuk paska bërë seks këto njëqind vitet e fundit!” Fëmijë të zgjuar. E kanë pa se si Bleona na e zbardhi fytyrën dhe pjesët e tjera kombëtare në … “… Awards”.

Definitivisht, shqiptarët nuk i solli lejleku. As flamuri i pavarësisë nuk u ngrit në Lazarat.

Si thua, Koço, ta mbështjellim nga një të sertë? Brand vendor! Nacionale! Është festë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button