Ekonomia

Autoriteti i Konkurrencës, hetim OSHEE-së për çmimin e energjisë

Autoriteti i Konkurrencës po heton mundësinë që OSHE të ketë trukuar tenderat për blerjen e energjisë, duke u përfshirë në marrëveshje të ndaluara me shitësit privatë.

Kryetarja e Autoritetit, Lindita Lati deklaroi se periudha e dyshuar është gjysma e dytë e vitit 2013 dhe muajt e parë të 2014-s.

“Në fazën e parë u tentua dhe u pa pista e marrëveshjes, atë marrëveshje që ne e quajmë horizontale, mes tregtarëve që ofrojnë energji për të mbuluar humbjet dhe OSHEE. Ndërsa në hetimin e formuluar po hetohet marrëveshja vertikale ose marrëveshja potenciale që mund të jetë e fshehtë mes OSHEE-së dhe disa subjekteve private”, deklaron Lati.

Fillimisht, hetimi nisi pas ankesës së një kompanie private, por dyshimet u përforucan edhe nga një tjetër faktor.

“Faktikisht, përmes kësaj procedure synohet të evidentohen faktorët që kanë ndikuar në sjelljen e blerësit për periudhën e dytë 2014 dhe muajt e parë 2014, kur tregu kishte një çmim më të lirë sesa transaksionet që bënte OSHEE”, nënvizon Lati.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe çmimet me të cilat OSHE ka blerë energji nga privatët kanë qenë deri në 20 për qind më të larta se ato me të cilat blinte kompania tjetër publike, KESH. Autoriteti thotë se hetimi është i vështirë dhe për këtë po bashkëpunon me ekspertë të huaj.

“Qëllimi ynë është të hedhim dritë mbi gjithë procesin, mbi mënyrën se si mund të përmirësohet procedura dhe për një rast që të tregojë se standardet e AK janë të njëjta me ato të vendeve europiane”, shton Lati.

Trukimi i tenderëve, shpeshherë me përfshirjen e vetë institucioneve të shtetit që i kontraktojnë ato, mbetet një nga rreziqet më të mëdha për shpërdorimin e financave, jo vetëm në sektorin e energjisë, por kudo.

Autoriteti thotë se ka një sërë çështjesh të këtij lloji në hetim, duke i rekomanduar si rrugën më të mirë për të ndalur abuzimet, rritjen e transparencës në tenderët dhe ankandet publike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button