Kronika

Bitraj: U dekonspirova kur hapa kutitë e parave që do të asgjësoheshin

Vjedhja e Thesarit 

Pyetet sërish organizatori dhe bashkëpunëtorja: Bruzi: Ardiani më tha se paratë do t’i kthente sërish

Nga Sokol Çobo

Mimoza-Bruzia-Ardian-Bitraj-640x384Organizatori i supervjedhjes në Thesarin e Shtetit, Ardian Bitraj, ka treguar të tjera detaje për hetuesit mbi mënyrën sesi i ka shpenzuar 713 milionë lekët e përvetësuara. Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës i ka bërë një tjetër vizitë në qeli ekonomistit, duke e pyetur gjerë e gjatë mbi të gjithë skemën e kësaj vjedhjeje, por edhe për bashkëpunëtorët e tij të mundshëm. Me një rrëfim të ftohtë, ai ka shpjeguar se “bashkëpunëtorja” e vetme e tij ishte Mimoza Bruzi, një kolege prej vitesh e tij në Thesar, e cila kishte mësuar se ai merrte para nga kasaforta. Ndërkohë, vetë Bruzi ka pranuar për herë të parë se ka qenë në dijeni se Ardiani kishte marrë para nga kasaforta, por ai i kishte thënë se këto të holla do t’i kthente.

Organizatori

Prokurori i çështjes, Ramadan Troci, ka shkuar dje në Burgun 302, ku dhe mbahet i izoluar Bitraj që prej datës 21 korrik, duke e pyetur për detaje të tjera nga supervjedhja. Për disa orë me radhë, prokurori i ka bërë dhjetëra pyetje, fillimisht për mënyrën e grabitjes, ndërsa më pas sesi i kishte shpenzuar një shumë të madhe. “Bitraj ka shpjeguar se kishte ndërhyrë në paratë që do të asgjësoheshin dhe kishte marrë prej andej qindra milionë lekë. Ai zëvendësonte peshën e këtyre të hollave me libra të vjetër. Gjithashtu, Bitraj pohoi se kishte marrë para edhe nga prerjet e reja të parave që vinin nga Zvicra”, pohojnë burimet nga akuza. Por, prokurori e ka pyetur për detaje të tjera, kryesisht me ndërhyrjen e tij në kutitë me para. Bitraj pohoi se ka përfituar nga neglizhenca e disa punonjësve të tjerë, duke hapur disa kuti, ndërsa shtoi se fatale për të ka qenë pikërisht ndërhyrja në kutitë e parave që do të asgjësoheshin. “U dekonspirova kur hapa kutitë e parave që do të asgjësoheshin. Grupi i auditit i ka parë këto kuti dhe më zbuluan. Më pas u kam treguar se kam qenë unë personi që kam vjedhur qindra milionë lekë”, ka shpjeguar Bitraj. Më pas, prokurori Troci e ka pyetur për mënyrën e shpenzimit të parave të vjedhura. “Dëshmia e dytë korrespondon me dëshminë e parë, të lëshuar disa orë pas ndalimit në datën 21 korrik. Ai ka shpjeguar se paratë i ka lënë në lokalet e lojërave të fatit në afërsi të banesës së tij. Madje, tha se vetëm gjatë Botërorit ka lënë një shumë të madhe, duke luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet, madje duke i alternuar”, shtojnë burimet nga akuza, të cilët, sërish nuk e kanë marrë si të mirëqenë këtë rrëfim, pasi hetimet po përqendrohen edhe te pasuria e tij dhe e familjarëve. Ka dyshime se këto para janë transferuar jashtë Shqipërisë, ndërsa kërkesë për verifikime i është bërë edhe Europolit.

Bashkëpunëtorja

Në të njëjtën ditë me rimarrjen në pyetje të Ardian Bitrajt, prokurori ka pyetur edhe “bashkëpunëtoren” e tij, Mimoza Bruzi. E arrestuara ka pranuar për herë të parë se ka qenë në dijeni të kësaj vjedhjeje, por nuk e ka denoncuar për arsye se Ardiani i ka thënë se paratë do t’i rikthente te kasaforta. “Kam qenë në dijeni të vjedhjes së parave prej disa muajsh. I kam thënë Ardianit që t’i kthente sërish paratë, por ai nuk i ka kthyer. Vazhdimisht më thoshte se do t’i kthente. Nuk e kam denoncuar vetëm se më premtonte se do të kompensonte gjithçka”, ka shpjeguar Bruzi para prokurorit, ndërsa ajo ka shtuar se nuk ka përfituar asnjë të hollë nga kjo vjedhje.

Hetimet pasurore

Ndërkohë, prokuroria vijon të marrë informacione sesi u shpenzua një shumë prej 713 milionë lekësh. Vetë Bitraj ka pohuar se këto para i ka lënë në kumar, ndërsa akuza ka dyshime se ndoshta mund t’i ketë transferuar jashtë vendit. Për të saktësuar çdo dyshim, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, ka takuar drejtoreshën e përgjithshme të mbikëqyrjes së lojërave të fatit, Luneda Sufali, dhe drejtorin operativ të të njëjtit institucion, Enis Tushi. Mësohet se Sufali dhe Tushi janë pyetur për mënyrën se si janë mbajtur regjistrat për subjektet ku i dyshuari Bitraj ka rrëfyer se ka shpenzuar paratë e grabitura të Bankës së Shqipërisë dhe nëse janë kontrolluar apo verifikuar të ardhurat dhe fitimi i këtyre subjekteve në rrugën “Fortuzi” në Tiranë. Ndërkohë, paralelisht me këto hetime, grupi hetimor po pret një përgjigje nga ekspertët për verifikimet në lokalet e lojërave të fatit në zonën ku banonte Bitraj. Madje, në pyetje janë marrë edhe pronarët e këtyre pikave të basteve sportive, të cilët kanë shpjeguar se i arrestuari ka qenë një lojtar i rregullt i ndeshjeve të futbollit.

Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se në prokurori ishte po ashtu edhe drejtori i përgjithshëm i parandalimit e pastrimit të parave, Genti Gazheli, jo vetëm për të dhënë informacione për dyshimet se subjektet që janë nën hetim mund të kenë pastruar para, por edhe për shkak se kjo drejtori ka nënshkruar në qershor të këtij viti një marrëveshje me Bankën e Shqipërisë për parandalimin e pastrimit të parave. Mësohet se takimet kanë shërbyer për të ndihmuar hetimin e nisur nga prokuroria dhe rakordimin mes tri institucioneve, për të zbuluar se ku kanë përfunduar miliardat e vjedhura nga Banka e Shqipërisë.

Burimet nga prokuroria thanë se, edhe pse banka ka përfunduar inventarizimin e kasafortës së Thesarit, ku u konstatuan se mungonin 713 milionë, ky raport nuk ka mbërritur ende në duart e hetuesve. Pritet që ky raport të jetë një provë në duart e akuzës, pasi aty do të ndahet edhe përgjegjësia për atë që ndodhi për 4 vjet në Bankën e Shqipërisë.

Arrestimi i Sali Berishës është

View Results

Loading ... Loading ...

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button