Ekonomia

Bizneset shqiptare çelin Dhomën në Madrid

Spanjë / Themelohet Dhoma e Tregtisë Hispano-Shqiptare. Së shpejti, kongres ndërkombëtar për SME-të

Dhoma-hispanike-e-tregtise-320x213Themelohet në Madrid Dhoma e Tregtisë Hispano-Shqiptare. Ajo është e përbërë nga sipërmarrës dhe profesionistë të botës së tregtisë së jashtme dhe bizneseve të ndryshme, të cilët u impenjuan të hapnin rrugën drejt rritjes dhe zhvillimit të Shqipërisë nëpërmjet Spanjës. Infrastruktura, energjia, teknologjia, arsimimi dhe investimet produktive janë ndër fushat prioritare të këtij institucioni. Sipas organizatorëve, Dhoma ka për qëllim hapjen e rrugëve dhe krijimin e mjeteve të ndryshme, që do të mundësojnë zhvillimin dhe punësimin në Shqipëri. Pozicioni strategjik i Spanjës si urë hyrëse në Amerikën Latine dhe në Afrikë u mundëson kompanive shqiptare, investitorëve dhe sipërmarrësve të përfitojnë nga mundësitë ekzistuese dhe të arrijnë konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike. Presidenti themelues i Dhomës, z. Eduard Hyseni, është një sipërmarrës i suksesshëm në Spanjë me shumë vite eksperiencë në marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Spanjës, i cili ka ditur të tërheqë sipërmarrës dhe personalitete me prestigj në Spanjë që operojnë në fusha të ndryshme të biznesit. Ndër këto personalitete është edhe z. Miguel Ángel Martín Martín, një nga profesionistët më prestigjiozë në botën e tregtisë së jashtme në Spanjë. Është president i ACOCEX, një nga institucionet më të rëndësishme të konsulencës për tregtinë e jashtme në Spanjë, gjithashtu dhe president i International Federation for the Promotion and Development of Foreign Business and Trade (Federata Ndërkombëtare për Promovimin dhe Zhvillimin e Biznesit dhe Tregtisë së Jashtme). Ka publikuar shumë libra dhe manuale mbi tregtinë e jashtme. Një nga kompanitë që mbështesin këtë iniciativë, e cila gjithashtu ka zyrë në Tiranë, është MEIDANE S.L. përfaqësuar nga CEO i saj, z. Tomas Esquerr Castro. Pjesa tjetër e sipërmarrësve themelues të këtij institucioni, vijnë nga sektorë të teknologjisë, shërbimeve dhe prodhimit. Puna dhe aktivitetet e Dhomës së Tregtisë Hispano-Shqiptare kanë mbështetjen dhe stimulin e ambasadës së Shqipërisë në Madrid për të arritur objektivat e caktuara. Aktivitetet zhvillohen pa dallim në Spanjë ashtu edhe në Shqipëri dhe ndër to mund të veçojmë: prezantim të mundësive për biznes dhe investim në Spanjë dhe Shqipëri, pjesëmarrje në kongrese ndërkombëtare të biznesit dhe tregtisë së jashtme (Spanjë dhe Kolumbi), misione tregtare bilaterale, promovim dhe shoqërim në panaire, krijim ndërmarrjesh ndërkombëtare etj. Për sa i përket kalendarit të projekteve më përfaqësuese dhe domethënëse, presidenti i Dhomës, z. Eduard Hyseni, tha se “është dëshira e tij të organizojë një edicion të ardhshëm të kongresit ndërkombëtar të biznesit dhe tregtisë së jashtme, që SME-të të mund të realizojnë ndërkombëtarizimin e tyre në mënyrë të shpejtë, eficiente dhe të sigurt”. Ai pohoi gjithashtu se, “impenjimi i tij është për të zhvilluar një kulturë ndërkombëtarizimi dhe tregtie të jashtme përmes trajnimit të sipërmarrësve, në mënyrë që të bëjnë të mundur që ndërmarrjet shqiptare të kenë përfaqësim ndërkombëtar”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button