Kosova

Buxhovi: Ata që na çliruan nga pushtimi serb, të na çlirojnë “nga çlirimtarët tanë”!

Themelimi i Gjykatës Speciale pritet të jetë një nga detyrat dhe obligimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova përsipër menjëherë pas formimit të institucioneve të reja.

Edhe pse javën që e lamë pas Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë ndryshimet në amandametin 24, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar riprocedimin për në Kuvend të këtij amendamenti që dërgon në ndryshimet e nevojshme kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale

Historiani i njohur, Jusuf Buxhovi ka thënë për Indeksonline se sfida e Gjykatës Speciale me të cilën po ballafaqohemi sot, edhe pse do të duhej të trajtohej si çështje juridike që ka të bëjë me pastrimin e natyrshëm nga krimet e supozuara, të cilat janë të pashmangshme në çdo luftë, me çka pikërisht do të mbroheshin vlerat e saj të njëmendta dhe gjaku që u derdh për liri, është kthyer në një çështje politike dhe më shumë, që deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, mbi të ndërtohet sintagma “për” apo “kundër” Perëndimit, e cila domosdoshmërish prek çështjet gjeopolitike dhe gjeostrategjike mbi të cilat qëndron shteti i Kosovës si projekt Perëndimor për të cilin u investua si shumë.

“ Dhe, që ta pengohet disi ky zhvillim i pandalshëm, ku ballafaqimi me drejtësinë qoftë edhe “për krime patriotike” krijon disa parakushte që shoqëria jonë të lirohet nga grupet kriminale dhe feudet e tyre, të cilat kanë vu në mbikëqyrje të plotë sistemin e drejtësisë (gjyqësorin, prokurorinë , pa përjashtuar edhe policorin), pra nga të tillët, shpiket parulla “e mbrojtjes”, por edhe e “shpëtimit” të Kosovës nga “ndërhyrja ndërkombëtare”!”, ka thënë Buxhovi.

Buxhovi më pas ka theksuar se me këtë rast po thirret në ndihmë patriotizmi irritues primitiv folklorik i cili për fat të keq është kthyer “në vlerë” të “klasës së re politike” që po e han shtetin.

Ai ka shtuar se është për keqardhje që ky arsenal “patriotik” vjen nga foltorja e parlamentit dhe nga ata që janë përgjegjësit kryesor pse Kosova sot është në këtë gjendje tepër të rëndë, e cila mund të përkeqësohet edhe më, po qe se me një sjellje të tillë arrogante i detyrojmë miqtë tanë ( Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATON dhe BE-në), që na ndihmuan të çlirohemi, të heqin dorë prej nesh!

Historiani Jusuf Buxhovi gjithashtu ka potencuar se Gjykata Speciale nuk do të duhej që ta ketë selinë e saj në Prishtinë, ashtu sikurse po kërkojnë partitë opozitare. Ai ka theksuar se meqë kemi ardhur në këtë gjendje, e cila po vazhdoi përfundimisht rrënon ardhmërinë tonë, ne nuk mund të lirohemi nga e keqja që pa na ngulfat pa ndihmën energjike dhe të sinqertë të faktorit ndërkombëtar (SHBA-ve dhe perëndimorëve).

“Edhe pse disa mekanizma ndërkombëtar (UNMIKU, KFORI dhe pjesërisht EULEX) nuk mund të lirohen nga përgjegjësia e dështimit të gjyqësorit si dhe faktorizimit të “krahut të luftës” për nevoja të caktuara, prapë se prapë, dekontaminimi i politikës nga rrjeti i strukturave të saj kriminale (ato të paramilitarizimit politik nga radhët e të ashtuquajturve Veteranë të luftës dhe shoqatave të ngjashme), kërkon ndërhyrje radikale ndërkombëtare!

Andaj, ata që dje na ndihmuan të çlirohemi nga pushtimi serb, sot duhet të na ndihmojnë të çlirohemi “nga çlirimtarët” tanë dhe e keqja e tyre!”, është shprehur Buxhovi, për Indeksonline.
Buxhovi më tej ka folur edhe për anët pozitive dhe negative të cilat mund ti trashëgoi Kosova me themelimin e Gjykatës Speciale.

“Anë pozitive nëse mund të thuhet ironikisht, është se e kemi prekur fundin, gjë që mund të na çlirojë nga iluzionet dhe idealet madje se vetëm e keqja “e huaj” është e keqe, ndërsa “e jona” është “e mirë” dhe durohet madje!, ndërsa sa i përket drejtësisë ajo nuk ka “anë negative”. Vetëm ata që e kanë ndërgjegjen e papastër, mund t’i frikësohen!”, ka thënë Buxhovi.

Ideja për themelimin e një Gjykata Speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button