Ekonomia

Cani: Me FMN-në, marrëveshjen para bordit

“Në dogana duhet përmirësuar imazhi. Ka evazion për mallrat e akcizës”

Nga Zamir Alushi

Cani doganatMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, pranoi dje, në Drejtorinë e Doganave, se ka evazion për mallrat e akcizës, mohoi të ketë probleme me FMN-në dhe replikoi me paraardhësin e tij, Ridvan Bode, duke vënë përpara shifrat e rritjes së të ardhurave. “Natyrisht që brenda zërave ka problem. Nuk dua ta bëj gjithçka të bardhë. Zyrtarët përpiqen t’i shpëtojnë asaj që është thelbësore dhe ndoshta, që është kritikë për zyrtarët, është edhe lufta jo e mjaftueshme, përpjekjet e pamjaftueshme të të gjithë administratave për të realizuar të gjitha objektivat që kishin për treguesin e akcizës”, deklaroi ministri i Financës, Cani. “Por ka edhe faktorë të tjerë, shtoi ministri, për arsye se për mallrat e akcizës, kur vendoset që do të rritet taksa, përgjithësisht të ardhurat i kalojnë vitit kur shpallet.” Në buxhetin e rishikuar, Ministria e Financave e uli planin e akcizës me mbi 3.8 miliardë lekë, krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa atë të Tatimit mbi Fitimin, me 1.1 miliardë. Gjithsesi, administrata tatimore pati rezultate shumë pozitive në mbledhjen e TVSH-së. Ndërkaq, kreu i Financave ka thënë se nuk ka mosmarrëveshje me FMN-në. Duke folur për herë të parë zyrtarisht për këtë çështje, Shkëlqim Cani u shpreh se, “kemi një hapësirë në mes. Me misionin e FMN-së patëm diskutime, rakordime e debate. Marrëveshja arrihet para mbledhjes së bordit, kështu që, nuk është fare problem ky. Ishte një mision hulumtues. Për të qenë akoma edhe më i sinqertë, ishte një mision që duhet të na jepte ‘OK’, për rishikimin e vitit 2014, të cilin ne nuk mund ta bënim më vonë”. Duke iu përgjigjur Ridvan Bodes për akuzat e lëshuara një ditë më parë, ministri Cani tha se “treguesit besoj flasin vetë. Është hera e parë pas pesë vitesh, kur zoti Bode personalisht drejtonte Ministrinë e Financave dhe rishikonte buxhetin në mes të vitit, se nuk duronte dot as pjesën e dytë të vitit që ta rishikonte në ulje. Është e para herë, që buxheti shihet në rritje. Nëse rritja është demagogji dhe ulja e treguesve të buxhetit është e vërtetë, unë, si ministër i Financave, por edhe qytetarët, gëzojnë që Shqipëria nga viti në vit të rishikojë buxhetin gjithnjë në rritje”. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, shprehu bindjen se në dogana është bërë një punë e madhe, megjithatë ka ende për të bërë. Gjatë ceremonisë për certifikimin e 101 studentëve që kryen stazhin profesional në Doganë, ministri tha se ka ende hapësira për ta përmirësuar imazhin. “Imazhi ndryshohet, por jo mbi bazën e fjalëve, por imazhi ndryshohet me fakte, shifra e realitete. Është bërë shumë, por ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Ne duhet të zbatojmë ligjin, në dogana, në tatime apo kudo”, tha ministri i Financave.

Spiropali

Prioritet, lufta kundër korrupsionit

“Administrata doganore ka shumë prioritete: përmirësimin e vazhdueshëm teknologjik dhe legjislativ, luftën kundër korrupsionit, sofistikimin e sistemit të hetimit, investigimit dhe antikontrabandës, rritjen e të ardhurave, lehtësimin e tregtisë”, tha drejtorja e Doganave, Elisa Spiropali, duke iu drejtuar studentëve. Por, vazhdoi ajo, mbi të gjitha ka një prioritet, quajeni po të doni një kryeprioritet, pa të cilin asnjë nga ato që unë përmenda nuk është e mundur: transformimin e administratës në një administratë mirëfilli europiane. “Ky internship, ky stazh profesional, është kaq i rëndësishëm për ne si një fidanishte për të afruar të rinj si ju, të shkolluar, inteligjentë, të aftë të punojnë në administratën doganore”, u shpreh Spiropali

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button