Ekonomia

Cani në Porto Romano, zhdoganimet e karburanteve u rritën me 10 %

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, zhvilloi të premten, një vizitë pune në depozitat bregdetare në zonën e Porto Romanos në Durrës, ku theksoi se si rezultat i aksionit të ndërmarrë nga qeveria për minitorimin e tregut të hidrokarbureve importi i karburanteve u rrit me 10 %.

Ministri vizitoi disa nga kompanitë që ushtrojnë veprimtari biznesi në fushën e importit të karburanteve, të prodhimit të biokarburanteve dhe të markimit dhe monitorimit të tyre.

Cani u takua edhe me grupin e kontrollit të përbashkët të Ministrisë së Financave, asaj të Energjisë, të Ekonomisë dhe të Rendit, të cilët prej disa ditësh vijojnë të ushtrojnë funksionet e përcaktuara në një udhëzim të përbashkët të ministrive të mësipërme.

Duke folur për mediat, kreu i Financave publike u shpreh se njësitë e ngarkuara po kontrollojnë rreptësisht edhe cilësinë e produkteve hidrokarbure, nga anija deri në këto depozita e pastaj deri në pikat e tregtimit me pakicë. Qëllimi është, tha ministri Cani, që në çdo hallkë të tregtimit të eleminojmë abuzimet me cilësinë dhe sasinë dhe të sigurojmë pagesën e të gjitha detyrimeve që parasheh ligji fiskal.

“Këtu në Porto Romano nuk funksionojnë vetëm grupet e përbashkëta të kontrollit, por në kufirin detar janë edhe grupet e antikontrabandës, që kryejnë kontroll dhe matje në çdo anije me karburant që hyn në port. Si rezultat i këtyre kontrolleve dhe mirëadministrimit doganor vërehet një rritje prej rreth 10 % më shumë e sasive të zhdoganuara të karburanteve, deri tani”, tha ministri Cani.

Duke folur për markimin dhe monitorimin e karburanteve nga një kompani koncensionale, shefi i financave shqiptare nënvizoi se nëse vitin e kaluar ishte një numër i konsiderueshëm kompanish që refuzonin kontrollin e markimit nga kjo kompani, në muajin që kaloi numri i tyre ishte zero.

Duke folur me shifra konkrete, ministri Cani iu referua raportit të kompanisë koncensionare të markimit dhe monitorimit të karburanteve dhe të dhënave të fundit të Shërbimit Doganor Shqiptar, sipas të cilave për periudhën 23 qershor 2014 – 30 prill 2015, numri i njësive të kontrolluara është 2438, nga ku 2169 ose 89 % kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11% kanë rezultuar me shkelje

“Gjatë tre mujorit të parë të vitit 2015, numri i rasteve me shkelje (me përzierje karburantesh) ka tendencë rënie, ndërsa rastet e refuzimeve janë zeruar”, theksoi Cani. Do t’ia dalim me sukses, vijoi Cani, të standardizojmë tregun e hidrokarbureve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button