Arte

Çfarë përfaqëson Man Ray dhe ikona e tij e surrealizmit?

Violina e Ingresit është ikona jo vetëm e surrealizmit, por e tërë artit të shekullit të 20-të. Ndonëse sot jetojmë në lirinë e tepruar ku mund të gjejmë çdo informacion në internet, por pa e selektuar informacionin dhe përthithur në trurin tonë përmes të menduarit kritik, ndonëse është një nga artistët më të njohur të shekullit të 20-të, Man Ray është shumë pak i njohur në Shqipëri

Violina e Ingresit 

Nga Bledar Kurti

Kur një njeri jeton dy apo më shumë sisteme politike dhe ka qenë pjesë e disa kapitujve të rëndësishëm të vendit, arrin të bëjë shumë mirë dallimin midis tyre. Për ne të cilët jetuam edhe komunizmin edhe post-komunizmin shqiptar, aftësia dalluese midis njërës dhe tjetrës na vjen shumë lehtë dhe instinktivisht. Nëse do më duhej t’i përshkruaja të dy sistemet, do t’i përmblidhja kështu: komunizmi = liri e ndaluar; post-komunizmi = liri e tepruar. Por, me fjalën “liri” i referohem njohurisë dhe së drejtës për t’u informuar.

Në sistemin e kaluar, brenga më e madhe e një intelektuali ishte mungesa e librave, ilustrimet e kryeveprave të artit botëror, muzika e huaj, etj. Njerëzit e etur për kulturën dhe artin porositnin marinarët apo këdo që punonte në marinën tregtare që t’i sillnin libra arti dhe jo çamçakëzë, apo pije me kanoçe. Ndodhte që librat herë arrinin të çanin censurën në kontrollet e rrepta të kufirit, herë përfundonin në det, ose edhe ndodhte që i kërkohej individit të zgjidhte vetëm një faqe nga i gjithë libri.

Mund ta imagjinojmë Mona Lisën të shkulur nga libri mbi Da Vinçin, Lulet e Diellit nga Van Gogu, etj. Por nëse do ishte një libër mbi surrealizmin, padyshim se vepra që do zgjidhte gjithsecili prej nesh, i vënë përpara një opsioni të tillë, do ishte Violina e Ingresit, e artistit amerikan Man Ray.

Violina e Ingresit është ikona jo vetëm e surrealizmit, por e tërë artit të shekullit të 20-të. Ndonëse sot jetojmë në lirinë e tepruar ku mund të gjejmë çdo informacion në internet, por pa e selektuar informacionin dhe përthithur në trurin tonë përmes të menduarit kritik, ndonëse është një nga artistët më të njohur të shekullit të 20-të, Man Ray është shumë pak i njohur në Shqipëri. Ndoshta ky trup femëror i stilizuar në formën e violinës, mund të jetë familjar për naviguesit e rrjeteve sociale, por emri i autorit dhe veprës janë pak të njohura, madje edhe në rrethin e artistëve shqiptarë.

Kjo mungesë njohurie ndaj Man Ray u pa edhe kur Edi Rama e postoi në internet këtë foto nudo, si kartolinë për vitin e ri 2011, për të cilën, sigurisht, mori kritika për imazhe të pakëndshme për sytë e publikut. Dhe Rama, sigurisht, iu përgjigj me “ç’derra të knaqun!.”

***

Vepra më e njohur e Man Ray, e cila mund të konsiderohet si ikona e fotografisë surrealiste, është “Violin d’Ingres” (Violina e Ingresit). Në këtë fotografi, torsi i një femre është transformuar në një violinë. Trupi i saj është rrethuar me disa shkallë hijesh. Ky imazh është një iluzion optik që e bën shikuesin të bjerë në dashuri me këtë foto. Trupi i kësaj femre i lyer me bojë, demonstron fuqinë që Man Ray kishte mbi të. Është gjithashtu edhe një homazh ndaj idhullit të tij, Ingres (piktor i njohur francez 1780-1867).

Modelja në këtë fotografi është Kiki de Montparnasse (emri i vërtetë Alice Prin – një këngëtare kabaresh në Montparnasse të Parisit). Man Ray kishte gjetur te Kiki më shumë sesa një dashnore që e adhuronte plotësisht, ai kishte gjetur një modele që e frymëzonte shumë.Nga të gjitha imazhet e Kikit nuk ka asnjë më erotike dhe më të fuqishme sesa ky imazh, ku kurrizi i saj i butë dhe i zhveshur adhurohet me dy shenja ‘f’ gropash violine.

Kjo fotografi është bazuar mbi pikturën e Ingresit “Baigneuse de Valpincon”, por aty figura kryesore shikon nga e djathta, ndërsa Kiki i Man Ray shikon nga e majta. Ingresi ishte një ndër idhujt e parë të Man Ray. Ky i fundit e shndërroi në violinë trupin e Kikit për t’i bërë homazh idhullit të tij. Ingresi i kishte bërë vizitorët në studion e tij të uleshin dhe të dëgjonin violinën e tij çjerrëse, teksa ai luante në mënyrë skandaloze, dhe nuk i lejonte të shikonin pikturat e tij, të cilat ishin kryevepra.

Jean-Auguste-Dominique Ingres dhe Man Ray kishin shumë gjëra të përbashkëta. Piktori i thurte lavdi konkubinave, femrave bukuroshe të haremit, ndërsa edhe fotografi amerikan gjente kënaqësi të njëjtë në konturet e trupit. Të dy pëlqenin shumëllojshmërinë. Të dy admironin stilin oriental, si dhe aspektet vizuale të Mesjetës; që të dy iu referuan shumë periudhave të artit për ikonografinë e tyre dhe që të dy u kritikuan për këtë arsye; të dy patën një shkollim të paktë por s’e lejuan artin e tyre të vuante prej këtij fakti; dhe që të dy mbetën viktima të vlerësimeve të kritikëve se imazhet e tyre ishin tepër enigmatike.

“Violina e Ingresit” është më tepër sesa një foto e një kurrizi femre. Shtesa e një efekti tjetër mbi një gjë reale, në këtë rast ‘f’-ja mbi trupin e femrës, e bën këtë foto një vepër klasike surrealiste. Është një homazh i drejtpërdrejtë, por edhe një shembull që e shkuara frymëzoi të krijonte të tashmen, që ai ishte një heretik që s’e kishte humbur besimin, një thyrës tradite, por që s’e kishte harruar traditën.

Violina e Ingresit është më shumë sesa një fotografi. Ajo përfaqëson dashurinë e Man Ray për të dyja zhanret – fotografinë dhe pikturën. Në autobiografinë e tij, të titulluar“Autoportret”, ai shkruan, “Unë fotografoja ashtu siç pikturoja, duke transformuar objektet siç i transformon një piktor, i idealizoja dhe i deformoja fotografitë e mia aq lirshëm sikur po përdorja një penel dhe jo aparat fotografik.”

Kjo foto është një lojë, me të gjitha kuptimet e kësaj fjale. Man Ray luante me fotografinë. Luante me titullin, sepse Violon d’Ingres është një idiomë për fjalën hobi. Ai luante me figurën e gruas, por pa e degraduar atë, ai e ktheu atë në një objekt kënaqësie, një hobi, por duke ruajtur respektin për klasicizmin e formës femërore.

Femrat luajtën një rol madhor në jetën dhe veprat e Man Ray. Përdorimi i hijes së butë në fotografitë e tij i bënte femrat të dukeshin si perëndesha dhe qenie tejet sensuale. Emri i tij i vërtetë ishte Emmanuel Radnitzky. Ai lindi më 27 gusht 1890, në Filadelfia të Amerikës dhe kishte një prejardhjeje Ruso-Hebraike.

Përveçse shpiku emrin e tij, duke u bërë i njohur si Man Ray, ky artist amerikan shpiku edhe imazhet më surreale të shekullit të 20-të, si për shembull: një palë buzë gjigante që fluturojnë në një qiell të stuhishëm, të pikturuara mbi një kanavacë tetë këmbë të gjatë; gozhda të vërteta që dalin prej anës së sheshtë të një hekuri hekurosës; një fotografi e cila tregon faqen e një gruaje mbi të cilën shndrisin lot prej xhami, me sytë e saj të hedhur mënjanë në ekstazë, me qerpikët e saj të bëra plastike me bojë, e shumë ikona të tjera.

Man Ray ishte një prej artistëve më origjinalë dhe inovativë të shekullit të kaluar. Ai u bë shumë i njohur si piktor, fotograf, regjisor, poet dhe instalacionist, por ai u bë i famshëm dhe u njoh më shumë nëpërmjet fotografisë dhe teknikave që përdori në fotot e tij.

Në jetën e tij shquhet miqësia e ngushtë me Marcel Duchamp, Andre Breton, Max Ernst, Francis Picabia, Pablo Picasso, Henri Matisse, dhe shumë e shumë artistë dhe shkrimtarë të tjerë të njohur. Shumë prej këtyre mjeshtërve patën një influencë të jashtëzakonshme në krijimtarinë e Man Ray, për shembull, Thoreau i dha nxitje të bëhej kampion i individualizmit, Witman e nxiti të pranonte vetëkontradiktën si kredon e një artisti, ndërsa ideologjia e Ezra Pound “për t’i bërë gjërat të reja”, e ndihmoi të kalonte prej një risie në tjetrën.

Duchamp nuk e ndihmoi artistin e ri amerikan vetëm nëpërmjet veprave të tij, por në vitin 1921 ai e ndihmoi të shpërngulej dhe jetonte në Paris, në qytetin ku do njihej si një fotograf profesionist dhe i famshëm, ku dhe do t’i bashkohej elitës së dadaistëve dhe surrealistëve.

Man Ray e nisi rrugëtimin e artit me pikturën, por më pas zbuloi pasionin e tij për fotografinë. Kur ai zbuloi këtë dashuri të re për fotografinë, e la paksa mënjanë pikturën. Në vend që të sillte në shtëpi femra që t’i pikturonte, ai i ulte apo i poziciononte ato, e pastaj i fotografonte. Ai nuk fotografonte vetëm modele, por edhe objekte, për shembull: në një rast ai mori një makinë qepëse, e mbuloi me një leckë prej leshi, pastaj e lidhi fort me spango dhe e fotografoi.

Ky imazh u quajt ‘L’enigme d’Isidore Ducasse’ – një vepër misterioze që intrigon shikuesin dhe e bën të vrasë mendjen se çfarë ka nën atë leckë prej leshi. Kur nisi të jetonte në Paris, Man Ray u kërkonte të fotografonte të ftuarit në festat e pasanikëve. Ai u njoh menjëherë si një mjeshtër portretesh. Në koleksionin e portreteve të tij nuk ka vetëm portrete femrash të bukura apo njerëzish të pasur, por edhe shkrimtarësh dhe artistësh të famshëm të asaj kohe, si për shembull Ernest Hemingway, Pablo Picasso, Alberto Giacometti, Max Ernst, Andre Breton, Tristan Tzara, Joan Miro, James Joyce dhe shumë të tjerë. “La fenom, Integrimi i hijeve”, “Topa në një kavanoz prej qelqi” dhe “Hija e llambës” janë ndër veprat e tij të para.

Kompozimi i këtyre fotove u krijua prej objekteve të gjetura në rrugë apo të blera te tregu i mallrave të përdorura, pastaj të fotografuara me një stil dhe dimension të ri. Këto vepra janë të bazuara mbi spontanitetin dhe reflektojnë jetën e përditshme të botës moderne. Fotografi të tilla shkojnë përtej një shkrepjeje të zakonshme të aparatit fotografik. Ato përmbajnë elemente kubizmi dhe janë një reflektim i Modernizmit Amerikan.

Man Ray bëri në fotografi atë që William Carlos Williams apo E. E. Cummings bënë në letërsi, ai mori objekte të parëndësishme, krejt të rëndomta, nga jeta e përditshme dhe i shndërroi në kryevepra. Fotografitë e objekteve të gjetura simbolizojnë fitoren mbi kohën – dikur ato objekte kishin qenë të vjetra, ndërsa tani ato ishin kthyer në një formë të re artistike – dikur ato kishin qenë të papërfillura prej njerëzve, ndërsa tani ato do vareshin në muret e ndonjë ekspozite – ato edhe mund të zhdukeshin, por imazhi i tyre do mbetej i fotografuar dhe admiruar përtej brezave për një kohë tejet të gjatë, si trupi i vdekshëm i Kikit, që tashmë është shndërruar në një ikonë të përjetshme.

Fotot e bëra nga Man Ray sollën një realitet të ri tek shikuesit. Për shembull, kombinimi i çuditshëm, por i thjeshtë i një molle dhe një vidë, paraqet një lloj të ri fotografie, një lloj të ri arti, një harmoni të papërsëritshme midis hijes dhe dritës, një konflikt midis natyrës dhe industrializimit, një referencë seksuale e Kopshtit të Edenit, brutalizmi mbi pafajshmërinë dhe një simbol i vetë aktit seksual. Man Ray ishte piktor, fotograf, regjisor, instalacionist dhe poet. Por kësaj liste fjalësh i duhet shtuar edhe fjala magjistar.

Imazhet e krijuara prej tij, pavarësisht se nga çfarë mjeti, janë imazhe fantastike dhe magjepsëse. Ai fotografonte pa aparat dhe pikturonte pa penela. Kjo duket një thënie e pabesueshme por provat i gjejmë te reiografet apo tek pikturat e tij natyrale, të cilat i përmendëm më lart. Man Ray ishte edhe shpikës. Ai shpiku teknikën e reiografisë dhe solarizimit me të cilat arriti të krijonte disa nga imazhet më surreale dhe më të mrekullueshme të artit modern.

Ai pikturoi me dritën, bëri kryevepra me sende të gjetura në rrugë; krijoi prototipe që më vonë do quheshin art performance apo art konceptual; prezantoi portretin dhe trupin femëror si kurrë më parë.

Ai s’pushoi kurrë së eksploruari dhe lëvizuri nga një zhanër tek tjetri. Ai është simboli i lirisë artistike dhe padyshim një prej artistëve më të mëdhenj amerikanë. Në vitin 1999, revista ARTnews e titulloi një ndër 25 artistët më influencial të shekullit të 20-të.

Ai vdiq në Paris në vitin 1976. Në fund të jetës së tij ai shkroi: “Tani unë jam një burrë plak. Në jetën e tij njeriu bëka shumë gjëra. Unë kam bërë shumë punë në jetën time, bëra pikturat, fotografitë, instalacionet e mia. Unë kam ndryshuar gjithmonë. Herë bëja një gjë e herë bëja diçka tjetër. Unë nuk punoj për padron apo bos. Unë kam qenë dhe jam një njeri i lirë.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button