Libri

“Dimri i vetmisë së madhe” Zgjon debatet mbi disidencën

libriShtëpia botuese “Saras” promovoi dje në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, librin studimor të prof. Met Dervishit, “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’”, në një auditor studentësh dhe profesorësh të letërsisë

Studentë dhe profesorë, në një debat mbi disidencën letrare në Shqipërinë e paraviteve ’90

Prononcimi i Enver Hoxhës për një vepër letrare para punonjësve të Kombinatit Metalurgjik përbën një rast unik në historinë e marrëdhënies së diktatorit me artin. Gjithsesi, edhe pas qëndrimit të Enver Hoxhës, pajtimi i romanit me kodin socrealist nuk u realizua, përkundrazi, në vitet që pasuan, romani u shoqërua me një heshtje të plotë. Romani do të pajtohej me kodin vetëm pas ripunimit të tij dhe pas ribotimit me titullin “Dimri i madh”, në vitin 1977
Disidenca në letërsinë shqipe gjatë periudhës së diktaturës ka qenë gjithnjë një temë shumë pak e diskutuar ose e mohuar nga të gjithë ata që kanë marrë në shqyrtim veprat letrare të shkruara para viteve ’90. Artet dhe kultura janë akuzuar shpesh këto vite që nuk kanë mundur të prodhojnë disidencë, duke iu referuar shembujve të ish-vendeve komuniste. “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’” i nxjerrë në treg nga shtëpia botuese “Saras” vetëm pak muaj më parë, synon të vërtetojë të kundërtën. Sipas studimit të prof. Met Dervishit, i pari i këtij lloji që merr në analizë të plotë një vepër, në Shqipërinë komuniste letërsia ka prodhuar disidencë dhe kjo e fundit shpesh ka qenë ballë për ballë regjimit. Prof. Dervishi i referohet studimit të tekstit në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” apo “Dimri i madh” siç u quajt nga shkrimtari Ismail Kadare në ribotimin e tij të dytë, duke nxjerrë në pah elemente të një disidencë të drejtpërdrejtë të shkrimtarit ndaj sistemit. Dje, në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, studentë dhe profesorë të letërsisë janë përfshirë në një diskutim mbi atë çfarë mbart ky studim dhe disidencën në letërsinë e Kadaresë apo veprave të tjera të shkruara gjatë socrealizmit. Dhe pse studentët që ishin pjesë e këtij debati nuk e kanë jetuar atë periudhë, informacioni i marrë nga leximet sillte pikëpamje e këndvështrime interesante mbi temën. Duke e quajtur veprën “Dimri i vetmisë së madhe” një roman që lexohet në çdo kohë, një element ky i stilit të Kadaresë, ata sollën pasazhe nga analiza e prof. Dervishit, duke i vënë përballë tekstit të Kadaresë. Prof. Manjola Zaçellari u shpreh se në këtë punim të Met Dervishit, kemi një Kadare tjetër, një mjeshtër të prozës polifonike, unik në llojin e tij në prozën botërore të shekullit XX. “Ky nuk është një përfundim apriori, por vjen si produkt i analizës së dispozitivit stilistik të një romani, që zbulohet për herë të parë si i tillë. Fakti që kritika a stilistika e sotme e tekstit, në këtë rast intertekstualiteti, jep përgjigje dhe për debatet publike të disidencës, është dhe një argument tjetër për domosdoshmërinë e kapërcimit të hendekut që e ndan shkollën shqiptare të studimeve letrare me shkollën perëndimore”, tha Zaçellari. Sipas saj, në përfundim të studimit të tij, prof. Dervishi u jep përgjigje paradokseve të receptimit të veprës së Kadaresë. “Përzgjedhja e ‘Dimrit të vetmisë së madhe’ për t’u dhënë përgjigje paradokseve të receptimit të Kadaresë, është sa provokuese, aq dhe e guximshme. Në mënyrë sistematike, pas vitit ‘90, kjo vepër ka qenë dhe vazhdon të jetë një argument i fortë për karakterin konformist të veprës së Kadaresë, (kulti i diktatorit, pllakati i marksizëm-leninizmit shqiptar etj.). Ndërkaq, studiuesi Dervishi, ndoshta pikërisht për këtë fakt, është orientuar te kjo vepër për të provuar shkencërisht konformizmin/moskonformizmin ose disidencën e tekstit. Sikur do të na thotë që po u rrëzua teza se “Dimri …” është roman konformist, hapet rruga për studimin e një raporti tjetër të teksteve të Kadaresë me ligjërimin diktatorial”, u shpreh Zaqellari. Për prof. Redi Myshketa, ky studim vendos një gur në lëmin e studimeve, mbi të cilën duhet të ecë shkenca e re e studimeve letrare. Për prof. Muharrem Jakupin, studimet mbi një vepër duhet të kenë më shumë pika referimi. Autori i studimit, Met Dervishi, u shpreh se romani “Dimri i vetmisë së madhe” ka një histori të veçantë në receptimin e tij. I botuar për herë të parë në vitin 1973, romani u përball me kodin socrealist të kohës në një mënyrë të pazakontë. Kjo, në kuptimin që ndaj tij u orkestrua një fushatë kundër, në të cilën, në një farë mënyre, u përfshi i gjithë mekanizmi shtetëror e partiak që mbikëqyrte procesin letrar, çka nuk kishte ndodhur asnjëherë me asnjë vepër tjetër jo vetëm të Kadaresë, po as të autorëve të tjerë të kohës, veprat e të cilëve, për një arsye ose tjetër, qenë ndaluar.

Përveç mekanizmit shtetëror e partiak, në këtë fushatë, si me asnjë vepër tjetër të asaj periudhe, u orkestruan dhe diskutime në organizata partie, kolektiva punëtorësh e fshatarësh, mendimet e të cilëve shpesh publikoheshin dhe në shtypin e kohës. Fushata pastaj u përhap te shkollat, njësitë ushtarake, veteranët, organizatat e shoqatat e ndryshme duke u shndërruar dora-dorës në një diskutim popullor.

“Ky reagim i ashpër i kodit të kohës kundër romanit, megjithatë kishte karakter paradoksal. Shndërrimi i kritikës ndaj veprës në nivelet e një diskutimi popullor, çka nuk ishte regjistruar ndonjëherë në periudhën komuniste, nga njëra anë rrezikonte ekzistencën e saj, kurse, nga ana tjetër, ndikonte në popullaritetin e saj, duke e shndërruar në veprën më të diskutuar gjatë gjithë periudhës komuniste në Shqipëri. Këtij paradoksi i dha fund diktatori Enver Hoxha në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Në atë takim ai shprehu mendimet e tij për romanin dhe për Kadarenë”, u shpreh Dervishi. Prononcimi i Enver Hoxhës për një vepër letrare para punonjësve të Kombinatit Metalurgjik përbën një rast unik në historinë e marrëdhënies së diktatorit me artin. Gjithsesi, edhe pas qëndrimit të Enver Hoxhës, pajtimi i romanit me kodin socrealist nuk u realizua, përkundrazi, në vitet që pasuan, romani u shoqërua me një heshtje të plotë. Romani do të pajtohej me kodin vetëm pas ripunimit të tij dhe pas ribotimit me titullin “Dimri i madh”, në vitin 1977.

“Përmes këtij studimi, unë hulumtoj në ç’masë ky roman, në kohën e botimit të tij, e mbajti, zhgënjeu, kapërceu apo mohoi pritshmërinë publike të kodit, me të cilin u përball, si dhe hulumtoi nëse ka pasur distancë ndërmjet horizontit të pritjes, dhe, nëse po, ç’karakter ka pasur ai. Në këtë mënyrë, nga pikëpamja e teorisë së receptimit, një hulumtim i tillë do të ndikonte për të kuptuar ‘karakterin artistik të një vepre letrare’”, tha Dervishi, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve në kemi të bëjmë me një vepër socrealiste që ndikoi në ngritjen e kultit të Enver Hoxhës apo me disidencë estetike? “Dimri i vetmisë së madhe” mund të quhet një roman sfidë për kohën dhe unik për vetë tematikën që mbart. Kadareja me këtë roman ndeshet drejtpërdrejt me diktatorin, duke e bërë personazh në një vepër letrare dhe duke iu referuar analizave të studentëve, ai e ka mundur atë përmes disidencës estetike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button