Opinion

Drejtimi për Tiranën

Nga Fatos Çoçoli

Tirana u zhvillua si metropol në vitet 2000-2003, në katërvjeçarin e parë të 12 viteve të drejtimit të saj nga Kryeministri i sotëm. Atëherë u realizuan akset kryesore të rrugëve, që i dhanë frymëmarrje, hijeshi dhe zhvillim qytetit. Dy katërvjeçarët e tjerë shkuan mes betejave partiake për drejtuesin e tij, që mori titullin “Kryebashkiaku i Botës” në vitin 2004, i votuar nga lexuesit e faqes së internetit “worldmayor.com”. Mirëpo Tirana kaloi në plan të dytë. Në plan të parë dolën takimet dhe mbledhjet partiake. Kësisoj u zbehën ndërhyrjet në infrastrukturën e saj. Në katërvjeçarin 2012-2015, kryeqyteti nuk pësoi asnjë ndryshim të qenësishëm. Ai ka nevojë sot të ketë disa qendra më të vogla, kur të organizohet jeta normale urbane. Ka domosdoshmëri për më shumë hapësira të gjelbra, që duhen siguruar me forcë dhe luftë ndaj tavolinave abuzive të bareve dhe restoranteve, që kanë kapur si metastaza të gjitha rrugët këmbësore të qytetit, pa përjashtim. Aq sa kur ecim në kryeqytet, sidomos në qendër të tij, devijojmë përmes tavolinave të mbushura me klientë. Tirana ka nevojë për qendra rinore, ku të gëlojnë sportet dhe të rinjtë të mos kenë alternativë vetëm pikat e internetit ku aplikojnë për shkollë ose punë jashtë shtetit apo baret dhe pabet ku kalojnë mbrëmjen. Ka nevojë për qendra të profilizuara për moshën e tretë, pse shoqëria jonë po plaket, por sidomos kryeqyteti. Në Tiranë paguhet vetëm 6 për qind e taksës së pasurisë çdo vit. Pra kemi 80 mijë apartamente dhe shtëpi të tjera banimi (duke përfshirë vila), por vetëm më pak se pesë mijë syresh paguajnë. Na duhet një njeri energjik në krye të qytetit tonë, që të lidhet me Drejtorinë e Hipotekës së Tiranës dhe secilit pronar pasurish të patundshme në kryeqytet t’i bllokojë për gjithë vitin të drejtën për ta shitur pronën apo për ta përdorur për të marrë kredi, në rast se nuk paguan taksën. Dhe të nxjerrë të paktën 14 milionë euro në vit më shumë, për të financuar projekte punësimi apo ndihme për të pastrehët dhe të varfrit e qytetit. Kemi nevojë për një njeri të aftë të bëjë lobuesin numër një të Tiranës, për t’u marrë hua bankave tregtare, të cilat s’dinë ku të çojnë ende 600 milionë euro depozita të qytetarëve të mbetura në kasafortat e tyre këtu (pasi kanë kaluar 5 miliardë euro jashtë shtetit gjatë viteve të fundit). Sikur një të gjashtën e këtyre parave t’ua marrë hua, për qytetin do të ishte një hap i madh zhvillimi. Kështu me para hua janë zhvilluar e rritur qytete shumë më të mëdha e të vjetra në botë. Po cili është njeriu i duhur mes dy kandidatëve kryesorë që duelojnë për Tiranën? Cili është drejtuesi që mund t’i japë asaj shpresë e zhvillim? Do të bëjmë gabimin më fatal, po të lidhim zgjedhjen mes tyre, me ngjyrat e partive nga vijnë. Më 22 qershor, njëri prej tyre nuk ka si të jetë më i partisë, por i të 880 mijë qytetarëve të kryeqytetit. I tillë ka qenë Edi Rama në vitet 2000-2003. Na duhet një tjetër si ai, që ta gdhijë normalisht në zyrë, me kokën mes projekteve për zhvillimin e Tiranës. Që të ketë një pasion dhe ego pa fre, si ish-basketbollisti që ndryshoi kryeqytetin një dekadë e gjysmë më parë. Këtë shëmbëlltyrë duhet të kemi përpara syve në ditën e votimit. Asnjë pasion partiak apo revansh për politika qeverisëse nuk na vlen ta fusim në kandar, ku duhet të peshojmë dhe zgjedhim njeriun që do të drejtojë qytetin tonë katër vitet e ardhshme. Ta bëjmë këtë zgjedhje të arsyeshme dhe të përgjegjshme, në emër të një të ardhmeje më të mirë për fëmijët tanë, që duam t’i rrisim në këtë tokën tonë. Nuk kemi luksin të veshim syze partiake, kur të zgjedhim njeriun që bën për Tiranën dhe të gjithë ne. Njeriun e drejtimit të qytetit, aty ku bashkohen të gjitha interesat tona për një jetë normale e me të ardhme të sigurt në kryeqytet. Për këto ia vlen të mendohemi, përpara kutisë së votimit, pak ditë më vonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button