Opinion

Etapa e “re” Shqiptaro-Serbe

ARBËR ZAIMI

Arber ZaimiNë sytë e popujve të kolonizuar, kolonizatori është gjithçka. Ata kujdesen që t’i duken mirë atij, të sjellshëm, kokulur, të bindur, punëtorë. Synojnë të imitojnë sjelljet e tij, madje edhe kur nuk janë nën vëzhgimin direkt të ndonjë kolonizatori, ata gjithnjë veprojnë si të jenë nën mbikëqyrjen e tij. Kjo ndodh njëkohësisht me formimin e ishujve të rezistencës apo të protestës, madje ndodh edhe gjatë luftërave nacionalçlirimtare. Në shumicën e popujve të ish-kolonive, ekzistenca vijon të shënohet prej mbikëqyrjes së kolonizatorit edhe më vonë, kur fizikisht kolonizimi ka marrë fund, kur kolonizatori nuk është më aty.

Kjo është e kundërta e asaj që ngjet në sytë e kolonizatorit. Në sytë e kolonizatorit, i kolonizuari s’është askush. I kolonizuari përfaqëson një qenie ende jonjerëzore, më pak se të qytetëruar, të pabarabartë. Në fund të fundit ky është edhe justifikimi etik i kolonializmit, sublimuar në vjershën e njohur të R.Kiplingut, “The White Man’s Burden”. Meqë kolonizatori nuk ndihet i këqyrur nga i kolonizuari, sepse askush inferior nuk mund të të këqyrë, siç nuk mund të të këqyrë as sendi apo kafsha – kolonizatori mund të bëjë dhe bën gjithçka, pa ndier as më të voglën vrarje të ndërgjegjes, prej faktit se dikush po e vë re. I kolonizuari është më pak se dikush, shikimi i tij është më pak se këqyrja, ai nuk mund të vërë re.

Kjo marrëdhënie asimetrike transpozohet edhe në marrëdhëniet postkoloniale, sidomos në ato raste kur pas çlirimit kombëtar nuk është themeluar ndonjë barazi subjektive mes dy palëve. I tillë është rasti mes Serbisë dhe Kosovës apo më saktë, mes Serbisë dhe shqiptarëve.

Dëgjon fjalimin e ministrit serb në OKB apo sheh fotot e Kryeministrit serb në Samitin e Berlinit dhe vret mendjen. A janë vallë këta përfaqësuesit e të njëjtit shtet, i cili vetëm 15 vjet më përpara përdori aparatin e vet zyrtar, ushtrinë, policinë, spitalet, shkollat dhe mediat e veta publike për të vënë në jetë një masakër të përmasave çnjerëzore në Kosovë, me synimin për të spastruar prej tokës së vet një popull autokton, pjesë e një kombi tashmë të etabluar e të njohur prej gjithë familjes së kombeve? Apo 15 vjet janë shumë? Sikur Daçiçi arrogant të fliste në OKB ashtu siç foli, e të ofendonte shqiptarët e Kosovës duke ua përkujtuar “vogëlsinë” dhe “parëndësinë” e tyre, para 15 viteve së paku do të ishte braktisur salla. Do ta dëgjonin ndoshta vetëm “miqtë” e trashëguar prej Lëvizjes së Paangazhuar. Por nuk ndodh më kështu.

Rast pas rasti serbët kanë rindërtuar pranueshmërinë e tyre në komunitetin ndërkombëtar, njësoj siç kanë rindërtuar shumë shpejt edhe urat e bombarduara prej aeroplanëve të NATO-s. Duke përdorur edhe kartën e miqësisë tradicionale (me rrënjë në ideologjinë pansllaviste) me Rusinë, por sidomos duke përbaltur e përgjakur imazhin e shqiptarëve, ata ia kanë dalë mbanë ta rrisin pazarin e tyre shumë, ashtu siç kanë rritur edhe ekonominë. Kështu u mbërrit që Vuçiçi, ky nxënës i Sheshelit të papërmendshëm, t’i tregojë hartat zhvillimore Thaçit në Berlin, e ndërkohë që Rama njofton se do të vizitojë Beogradin në vjeshtë, ky të deklarojë se do ta mirëpresë Kryeministrin shqiptar, pasi Shqipëria përbën një treg shumë interesant për Serbinë.

Situata komplekse në ditët e fundgushtit, ka shpërfaqur disa nga dimensionet e veta. Kështu p.sh., banorët e Mushtishtit, një zone malore pranë Therandës, u çuan në protesta për të ndaluar ardhjen e vizitorëve serbë me origjinë nga Mushtishti për të vizituar kishën e fshatit. Liberal-budallenjtë, pa dallim origjine, u çuan në këmbë pa një pa dy. Ç’është ky primitivizëm? Si guxojnë këta palo-shqiptarë të çohen e të pengojnë lëvizjen e lirë? Si guxojnë këta që të pengojnë vizitimin e vendeve të kultit, në shekullin XXI? A e dinë këta se serbët e Mushtishtit kanë po aq të drejtë të jetojnë në Mushtisht sa dhe shqiptarët e atij vendi? Ç’janë këta shqiptarëfashistë (se termi “fashist” u inflacionua, bashkë me logjikën gjuhësore)? Në fakt, banorët e Mushtishtit ishin shumë të qartë në këtë drejtim, dhe aspak primitivë. Ata rrëfyen se nuk kanë asgjë kundër kthimit të serbëve të Mushtishtit, por kanë problem me kthimin e kriminelëve. Ata treguan se si lista emërore e paraqitur në kërkesën për vizitë përmbante 54 emra, ndërkohë që në autobusë kishte mbi 150 emra. Ata nuk e dinin se cilët ishin vizitorët e tjerë. Por e dinin shumë mirë se serbët pjesëmarrës në krime ndaj fqinjëve të tyre ende nuk janë dënuar – e nuk duan ta shohin xhelatin t’u vijë mysafir 15 vite më pas. Çështja e kthimit të serbëve nuk do të duhej të mbetej në dorë të banorëve të Mushtishtit apo të fshatrave të tjerë. As çështja e shqiptarëve të përzënë nga Veriu i Kosovës nuk do të duhej të mbetej në dorë të “mbrojtjes civile” serbe. Janë rreth 15000 serbë që kanë bërë kërkesë për kthim. Unë mendoj se këto kërkesa duhet të pranohen prej shtetit të Kosovës të gjitha, dhe t’u kthehen pronat e banesat. Po njësoj do të duhej të veprohej me 15000 shqiptarët e përzënë nga veriu i Kosovës në vitet e pasluftës, të ktheheshin në vendbanimet e tyre. Ama në të njëjtën kohë të bëhet prej organeve të gjyqësisë në Kosovë një listë e plotë e serbëve pjesëmarrës në luftë (listën e shqiptarëve po e bëjnë ndërkombëtarët…) – e nëse dikush prej kriminelëve guxon e kthehet, të dënohet sipas ligjit. Kështu do të vepronte një shtet i vërtetë, po ta kishim një të tillë.

Thuajse në të njëjtën kohë, prifti Sava (Janjiç) i Manastirit të Deçanit, këtij vendi të quajtur monument i bashkëjetesës nga shumë udhëheqës shqiptarë të Tiranës e Prishtinës, bën bamirësi. Ai i dhuron një sasi mjetesh e të ardhurash spitalit të Mitrovicës. Prifti merr lëvdata nga serbë e ndërkombëtarë, nga media e nga politika, si shembull i pietetit, por edhe i qytetarisë. Paçka se spitali i Mitrovicës është në gjendje shumë më të mirë sesa shumë spitale të tjera në Kosovë, për shkak se ndihmohet drejtpërdrejt prej qeverisë serbe e prej strukturave të saj paralele, e po ashtu ndihmohet edhe prej ndërkombëtarëve kaq të dhimbsur ndaj minoritetit serb. Prifti i mëshirshëm, a i hodhi vallë sytë në qendrat klinike pranë Deçanit? A i pa spitalet rajonale në Dukagjin? Apo ç’vlerë ka të ndihmosh aty ku nuk ka serbë … A e ka dëgjuar prifti se ç’na mësojnë liberalët tanë? Që feja e politika i kanë punët e ndara. Prandaj u habitën e mbetën të shastisur kur shefi suprem i Janjiçit, Ireneu, në mes të Tiranës deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë. Ndoshta duhet të kishim eksportuar më shumë mendim liberal te fqinjët veriorë …

Pa kaluar as dy tri ditë, në verilindje të Kosovës u vranë do shqiptarë që po prisnin dru në mal. Ministri i Brendshëm i Kosovës tha se është e drejtë e Serbisë të mbrojë malet e veta, dhe prerja e paligjshme e pyjeve përbën krim, prandaj qytetarët duhet të ruhen. Pak a shumë të njëjtat gjëra tha edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, kur komentoi për rastin. A thua se deklaratën e shkruar nga duar të ndryshme e ka menduar e njëjta mendje. Po ç’është vallë ai vend i civilizuar që vret një malësor apo fshatar pse po pret pyje në mënyrë të paligjshme? Ç’është ai vend modern që i pret me pushkë ata që kalojnë kufirin? Maksimumi do i kishin arrestuar, po të ishte kontekst tjetërkund. Por druvarët u vranë e u plagosën nga xhandarët. Ç’duan xhandarët në kufi, në mal? Pastaj, ku është kufiri, ndërkohë që serbët nuk pranojnë të bëjnë demarkacion me Kosovën? Pastaj, a nuk janë po këta xhandarë që tash e shumë vjet ndërmarrin inkursione të vazhdueshme në fshatrat kufitare të Kosovës, me rastin më flagrant në Karaqevë? Vend i qytetëruar apo jo …

Të gjitha këto dihen, janë shënjues të një impotence të shpallur. Ndërkohë, shqiptarët shqetësohen për dukjen, gëzohen për dukjen. Gëzohen se Kryeministri shkoi në Berlin, se atje s’pati fusnotë, se i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u dukëm para tyre e para gjithë botës “burra shteti”. E të tjerëve, si zakonisht, as që u bëhet vonë se si duken në sytë tanë. Vazhdojnë të ruajnë të njëjtën qasje, të njëjtën substancë thelbësisht raciste. Siç tregon dhe rasti i fundit me fëmijët e Preshevës, që u lanë pa libra. Zyrtarët serbë iu përgjigjën kërkesave të banorëve për libra me cinizmin më të ftohtë “librat do t’i merrni kur të paguani rrymën” …

Urrejtja ndaj serbëve nuk është e nevojshme, as ndihmon për ndonjë gjë. Ama ajo urrejtje përforcohet pikërisht nga fakti që këto sende që ndodhin, kjo asimetri, mbahet veç për konsum të brendshëm dhe nuk i ndikon fare politikat shtetërore, të cilat janë tërësisht të fokusuara te vitrinat e jashtme. Shteti ynë, kaq i etur për të luftuar terrorizmin tjetërkund, nuk guxoi të emërtojë si terroriste as vrasjen e anëtarit të njësisë speciale, Enver Zymberit, as vrasjen e Selver Haradinajt në Mitrovicë. Sepse është i përkushtuar në normalizimin e imazhit të Serbisë, normalizim i cili nuk mund të arrihet absolutisht pa u tredhur zëri i Kosovës që lyp drejtësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button