Te ndryshme

Europa – Lindja e kontinentit të moçëm

europaFlasim sot për Europën, për Bashkimin Europian, por pakkush di të thotë se kur ka lindur kontinenti ynë. Dimë gjithashtu se është një kontinent i moçëm. Sigurisht që dikush mund të thoshte se askush nuk mund t’i japë përgjigje një pyetjeje të tillë, sepse kjo i bashkëngjitet një vargu enigmash të tjera, të cilat lidhen me ekzistencën e origjinën e planetit apo dhe të njeriut.

Gjithsesi, kanali i dytë publik gjerman, ZDF, është përpjekur të hedhë dritë gjatë një dokumentari mbi origjinën e kontinentit tonë (“Europa in der Hexenküche”, ose në shqip: Europa në kazanin e shtrigave), duke marrë si pikënisje fjordet norvegjeze, te të cilat shumë shkencëtarë shohin rrënjët e formësimit të kontinentit tonë. Më tej, po citojmë disa pjesë të transkriptuara nga ky dokumentar.

Ndanë bregdetit të thepisur të fjordeve të Norvegjisë gjenden dëshmitë më të moçme të lindjes së kontinentit tonë plak. Dallgët e bëshme të Atlantikut përplasen atje pas vargut të ishujve të Lofotenit, formacionit shkëmbor më të lashtë të botës: granit i ngurtësuar nga magma që e ka origjinën pothuajse tre miliardë vjet më parë. Masa të tilla janë dhjetë herë më të vjetra se vetë kontinenti të cilit i përkasin sot. Peizazhet në fjordet norvegjeze përbëjnë mbetje të malësisë së madhe të Kaledonisë, e cila dikur shtrihej nga Skocia e zgjatej tej, deri në Norvegji.

Me gjithë erozionin e vazhdueshëm e shembjet miliona vjeçare, ato kanë mbetur edhe sot e kësaj dite një imazh piktoresk vigan malor. Në kohën e lindjes së saj, para 500 milionë vjetësh, Europa nuk ishte akoma e plotë. Pjesët e saj janë të shpërndara mbi të gjithë rruzullin tokësor: Skandinavia tej më në jug të Ekuatorit, Anglia dhe Vendet e Ulëta në rrethin polar të Jugut dhe pothuajse të gjitha pjesët e tjera përreth Polit të Jugut. Të gjitha këto pjesë shtrese koreje kontinentale janë në lëvizje. Ato merren me vete nga rryma të fuqishme magme, të cilat vlojnë 80 kilometra nën sipërfaqen e tokës.

Valët e nxehtësisë i shtyjnë në brendësi të tokës, e pllakat lëvizin me ngadalë. Masa është disa centimetra për çdo vit. Në rastin e përplasjeve shpërthejnë forcat primare. Si një rebus gjigant, Europa paraqet pjesët e saj së bashku. Togje shkrepash kilometra të gjera çajnë lart, përkulen dhe marrin formë kubesh. Çdo përplasje e re krijon një masiv malor. Kështu lind së pari shtylla kurrizore e Europës, vargmali kaledonian, që kap lartësi në nivelin e atyre të Himalajave. Kjo përbën bërthamën e parë të një përzierjeje homogjene të përbashkët europiane.

Më vonë, kontinenti i ri brodhi gjysmën e rruzullit tokësor. Para 300 milionë vjetësh, ai kapërceu Ekuatorin. Tashmë stera është e mbuluar nga gjelbërimi. Bimët kanë pushtuar kontinentin, që deri pak më parë kishte qenë i shkretë. Atje ku sot janë të ngritura metropolet kryeneçe europiane, shtrihej madhështore një xhungël e harlisur tropikale: Parisi ndodhej në një klimë tropikale të ngrohtë e me lagështi. Ndërsa Berlini, në një det të gjelbër, i cili zgjatej deri në Azi.

Një pyll i jashtëzakonshëm, i përbërë nga fiere, likopode dhe kacavjerrëse. Mbeturina të tyre të ngurtësuara në Skoci të bëjnë ta marrësh me mend përhapjen e tyre. Cungje që qëndrojnë pothuajse ngjitur njëri me tjetrin të japin edhe sot e kësaj dite një përshtypje mbi bollëkun e atëhershëm të bimëve. Këta gjigantë lartësoheshin deri në 30 metra drejt qiellit.

Kontinenti i moçëm dhe kafshët

Para 300 milionë vjetësh nuk kishte akoma zogj në Tokë. Pylli jehonte prej zhurmash të çuditshme. Kudo gëlonin insektet. Njëra që mund të shquhej e që njihet mirë edhe sot është pilivesa. Disa prej tyre arrijnë përmasa gjigante: Meganeura ishte e madhe sa një skifter dhe kishte një gjerësi krahësh të shtrira që shkonin më shumë se 60 centimetra. Nëse do ta imagjinonim e do të zhvendoseshim në kohë, do të shihnim përdhe gjigantë jokockorë. Fosile në vazhdën e gjurmëve të çojnë në përfundimin se ka pasur shumëkëmbësh dy metra të gjatë. Akrepa gjigantë, 70 centimetra të gjatë. Thumbi i tyre duhet të ketë qenë tmerri i kafshëve të tjera të tokës në pyje. Nëpër ultësirat moçalore hiqnin këmbët zvarrë amfibët primitivë. Kërbishtorët e parë të Tokës dhe zbuluesit e parë të lëvizjes me katër këmbë.

Kjo epokë do të sillte një ndikim të madh mbi historinë e ardhme të Europës. Atë e quajmë epoka e karbonit (qymyrit), duke u nisur nga trashëgimia që ata na kanë lënë pas.

Superkontinenti Pangea

Epoka e karbonit (qymyrit) është e trazuar nga ana tektonike. Stera ngrihet e ulet, përmbytet herë pas here nga deti. Vise të tëra shkretohen, zona të gjera pyjore zhyten nën një rrëshqitje llumi. Formohet një mbikontinent në përmasa të reja.

Përgjatë milionvjeçarëve, shtresat sedimentare gjithnjë e më shumë në rritje shtypin drunjtë e kërcunjtë, të cilët ngjishen me njëri-tjetrin, derisa prej tyre lind qymyr i pastër. Nga një shtresë prej dhjetë metrash mbetje bimore formohet një depozitë qymyri një metër e trashë. Zonat minerare qymyrgurore në Europë, duke ia nisur nga Anglia e deri në Francën veriore, nga Ruhri (krahinë sot në Gjermani) deri në Poloni e Rusi, të bëjnë të marrësh me mend shtrirjen e pafundme të pyjeve të hershme të epokës së karbonit. Qymyri do të bëhej themeli i një prej ndryshimeve rrënjësore të historisë së Europës. Përftimi i këtij burimi fosilor të jashtëzakonshëm energjie, në shumë anë të kontinentit, ishte kushti kryesor e shtyrja më e rëndësishme për nisjen e revolucionit industrial e ekonomik të Europës.

Të gjitha këto fenomene ishin të lidhura me zhvendosjen kontinentale. Depozitat e qymyrit u krijuan në periudhën e karbonit para së gjithash aty ku kontinentet shtrihen në klimën e favorshme të Ekuatorit. Por ndërsa akoma gjatë kohës që këto pyje tropikale po zhvilloheshin, ndodhën disa ngjarje të reja: kontinentet u zhvendosen më tej. Europa futet si në kllapë nga pllakat e tjera. Ajo bëhet pjesë e kontinentit gjigant Pangea, i cili përfshinte pothuajse të gjitha masat tokësore të Tokës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button