Opinion

Grabitja e pensioneve, ose antishteti si piramidë

Andrea Stefani
Andrea Stefani

Deklarimi i ministrit Erion Veliaj mbi një gropë të madhe financiare që është krijuar në sistemin e pensioneve si rrjedhojë e mosderdhjes nga institucione shtetërore dhe kompani private të fondeve dedikuar për pensionet e punonjësve të tyre, është një nga skandalet më të rënda që tregon se mendësia e antishtetit ka depërtuar deri në palcë të vetë shtetit. Në fakt, është një grabitje e vërtetë që u është bërë mijëra punonjësve nga vetë ajo administratë që presupozohet se duhet të mbronte interesat e tyre.

 

***

Janë rreth 109 milionë USD të dedikuar për pensionet të devijuara s’dihet se ku dhe për çfarë. Në thelb kemi të bëjmë me një piramidë të vërtetë financiare që, siç mësojmë, është toleruar që nga viti 1994, por që ka rritur përmasat veçanërisht në vitet e fundit. Për buxhetin relativisht të varfër të shtetit shqiptar, dëmi është shumë i madh. “Ne do e financojmë nga buxheti këtë borxh, sepse nuk mund t’i lëmë njerëzit pa pensione – siguron ministri Veliaj. Por qeverisë “Rama” i duhet të sforcohet shumë për të gjetur mjetet financiare për eliminimin e dëmit. Nuk duhet harruar se që në vitin e parë i është dashur të mbushë edhe disa gropa të tjera financiare shumëmilionëshe lënë hapur nga qeverisja kaotike e Berishës. Por a ka rrugë tjetër? Natyrisht që jo. Pa dyshim nuk mund të lihen pa pensione ata që kanë investuar gjithë jetën për to. Por edhe në rrafshin politik do të qe e rrezikshme. Sepse nuk do të qe çudi që shqiptarët të ngriheshin përsëri në protesta dhe përsëri me të drejtë, me sloganin “duam paratë tona”! Dhe përsëri nuk do të qe aspak çudi që në krye të tyre, të viheshin pikërisht ata, çifti Berisha-Basha e kompani që, me papërgjegjshmëri ekstreme, i kanë toleruar këto piramida të rriten gjatë qeverisjes së tyre. Ata që toleruan këtë grabitje, të përfitonin politikisht prej saj për t’u rikthyer në pushtet? Dhe për të toleruar të tjera grabitje e piramida antishtet që, sikundër kanë treguar në këta 23 vjet, është e vetmja gjë që dinë të bëjnë?!

 

***

Milionat për pensionet do të gjenden në një farë mënyre. Por si i bëhet me virusin e antishtetit që ka depërtuar në palcën e shtetit? Si luftohet ky virus që piramidat të mos përsëriten përsëri e përsëri? Sepse nuk janë vetëm ndërmarrje apo biznese private, por edhe institucione publike si disa ministri, reparte ushtarake, ndërmarrje ujësjellësi, spitale, komuna, bashki, universitete. Rreth 21 milionë USD janë grabitur nga pensionet e punonjësve të tyre pikërisht prej të tilla institucionesh publike. A e kuptoni atë që ka ndodhur? Burokracia, institucionet e financuara nga shtetasit për të mbrojtur interesat e shtetasve, kanë bërë krejt të kundërtën, kanë dhunuar interesat e shtetasve duke grabitur paratë e tyre e duke i shpenzuar në vite s’dihet se përse! Dhe kur themi shtetasit kemi parasysh shtetin sepse ai, në thelb, s’është veçse tërësia e shtetasve. Troç është një mashtrim gjigant. E kur vetë institucionet e shtetit mashtrojnë kështu, përse të mos pasojë privati? Dhe këtu është bërë kërdia, një orgji e vërtetë mashtrimi prej 87 milionë dollarësh! E pra si i bëhet që këto metastaza të mashtrimeve të shfarosen që kanceri i piramidave të mos shfaqet më?

 

***

Nuk ka rrugë tjetër përveç ndëshkimit sipas ligjit të të gjithë atyre që kanë dhunuar ligjin dhe të drejtën. Është e pamundur që ky devijim milionash, ky mashtrim piramidal, të mos jetë konstatuar nga qeveritë apo ministrat pra, të mos jetë toleruar prej tyre. Nëse ky ndëshkim nuk ndodh atëherë shqiptarët do të jenë përherë të kërcënuar në interesat e tyre më jetike nga qeveritarët e tyre të papërgjegjshëm. Sepse të qeverisësh do të thotë, në radhë të parë të jesh i përgjegjshëm për shtetasit, për jetën, të ardhmen, fatin e tyre. Është e vërtetë se qeveritarët dalin nga vota e shtetasve. Por pasi bëhen të tillë ata marrin rolin e prindërve ndaj shtetasve që i zgjedhin. Të jesh qeveritar i përgjegjshëm do të thotë të shqetësohesh për të ardhmen e shtetasve që qeveris, ashtu si prindi shqetësohet dhe nuk i neglizhon kurrë detyrat që kanë të bëjnë me të ardhmen e fëmijëve. Mjerisht qeveritarë të këqij nuk arrijnë të jenë të përgjegjshëm. Motoja e tyre është ajo që gazetari shqiptaro-amerikan, Peter Lucas, rrëfen se dëgjoi, në fillimet e tranzicionit, nga goja e vetë Sali Berishës: Pas meje kiameti! Sikundër ka thënë shumë saktë një gazetar libanez këta lloj qeveritarësh të këqij nuk lejojnë të ngrihet shteti, sepse në vend se t’i kenë sytë nga populli dhe bythën në kolltuk, kanë sytë në kolltuk dhe bythën nga populli. Mjerisht, të tillë kanë qenë deri sot (dhe provë e pakundërshtueshme për këtë është gjendja e mjeruar e shtetit në Shqipëri) shumica e qeveritarëve që një pjesë e shqiptarëve vazhdojnë t’u shkojnë pas, t’i duartrokasin duke na i servirur edhe si alternativë e së ardhmes. Pa menduar aspak se nga kjo qorrollisje pas liderëve që e kanë provuar veten si aventurierë dhe rrënues të shtetit, një ditë mund ta pësojnë edhe më keq se të mbeturit pa pensione. Dhe atëherë do të mund t’i qaheshin vetëm vetes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button