Rajoni

Greqi, sondazhet favorizojnë Syriza-n në prag të nisjes së fushatës

Betimi i qeverisë së re dhe shpërndarja e Parlamentit, në mesditën e së premtes, shënon edhe zyrtarisht fillimin e fushatës elektorale në Greqi.

Pasi të betohen në orën 1 të mesditës, anëtaret e rinj të kabinetit në drejtimin e gruas së parë kryeministre të vendit, do të fillojnë menjëherë të kujdesen për një situatë normale deri në datën e zgjedhjeve, që pritet ta komunikojë Presidenti në mesditë dhe që sipas gjitha gjasave do të jetë 20 shtatori.

Vlen të përmendet fakti se si asnjëherë tjetër, skena politike greke shfaqet kaq kaotike dhe e shpërbërë për arsye të zhvillimeve të fundit në vend dhe dështimit në përballimin e krizës ekonomike nga sistemi politik.

Këtë tregon edhe  sondazhi i parë zyrtar i Gazetës së Redaktorëve që u publikua në mëngjesin e së premtes, ku trupa zgjedhore është e befasuar për zgjedhjet e parakohshme dhe ndodhet në pritje për të dhënë një gjykim më të saktë në orët e fundit. Jo më kot vendin e parë në këtë sondazh e zë numri i të pavendosurve, 25.5 përqind.

Megjithë përçarjen e madhe që pësoi, Syriza përsëri kryeson duke përqendruar 23 përqind të votave, ndërsa në vend të dytë ndodhen konservatorët e Demokracisë së Re me 19.5 përqind.

Forca e tretë politike vazhdon të mbetet Agimi i Artë me 6.5 përqind, ndërsa luftojnë pas saj me diferenca të vogla, komunistët me 5 përqind, socialistët e PASOK-ut me 4.5 përqind, partia Lumi me 4 përqind, Uniteti Popullor me 3.5 përqind dhe Lidhja e Qendrës me 3 përqind.

Nuk përqendron deri tani shifrën prej 3 përqind partia e Grekëve të Pavarur, aleate e qeverisë së mëparshme dhe nëse do të ruhet ky trend, do të ishte një humbje për Radikalët e Majtë, që duhet të mendojnë se kush duhet të jenë partnerët e tyre të ardhshëm nëse do të qeverisin.

Karakteristikë kryesore e këtij sondazhi është fakti se shumica e 1000 personave të intervistuar nuk priste që vendi të shkonte në zgjedhje, por nga ana tjetër kërkojnë që me çdo kusht Greqia të mbetet në Eurozonë.

Një imazh më i pastër i votës së grekëve do të jepet në ditet në vazhdim, kur rol të rëndësishëm do të luajë fushata elektorale dhe strategjia e partive. Ndërsa konservatorët shfaqen me më shumë përvojë dhe më të bashkuar në këto raste, Tsipras beson se grekët do t’u kthejnë kurrizin tashmë  përfundimisht partive tradicionale, që sipas tij shkatërruan vendin në katër dekadat e fundit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button