Kronika

Grupi i kokainës, hetime për 20 persona të dyshuar

Rrjeti i trafikut të kokainës që ngriti laboratorin e përpunimit të drogës në Xibrakë të Elbasanit, po hetohet paralelisht në Gjermani dhe në Shqipëri.

genci-xhixhaProkuroria e Hanoverit dy ditë më parë ka deklaruar se po kryen hetime bashkë me Prokurorinë shqiptare, ndërsa pas aksionit të zhvilluar në Tiranë ka kontrolluar dy banesa personash të dyshuar në Gjermani, ku janë gjetur rreth 14 mijë euro.

Burime jozyrtare thanë se hetimi po vazhdon për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të nëntë personave të arrestuar dhe verifikimin e rolit të disa personave të tjerë, që dyshohet se kanë lidhje me trafikun. Të njëjtat burime kanë thënë se informacionet paraprake të hetimit në Gjermani kishin skeduar një numër prej 20 personash si bashkëpunëtorë në linjën e trafikut të drogës.

Një fakt i tillë nuk është konfirmuar nga burimet zyrtare të Prokurorisë shqiptare, që thanë se për numrin e personave që kanë dalë të implikuar nga hetimi është kërkuar masa e arrestit dhe janë vendosur në pranga. Megjithatë, të njëjtat burime kanë thënë se hetimi po vazhdon edhe për persona të tjerë të implikuar, pa dhënë shifra konkrete. Në vazhdim të këtij hetimi, mësohet se prokurorët shqiptarë dhe gjermanë kanë planifikuar takime të tjera në javët që vijnë për shkëmbimin e informacionit lidhur me trafikun e kokainës.

Pjesë e këtij shkëmbimi të informacionit mësohet se është edhe ekspertiza që po i bëhet në Gjermani përzierësit dhe kimikateve të sekuestruara në laboratorin e Xibrakës në Elbasan.

BASHKËPUNËTORËT
Së paku tre emra personash që dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupin e kokainës, janë shpallur në kërkim policor, pasi nuk ranë në pranga gjatë aksionit të zhvilluar në Tiranë dhe në Elbasan më 14 janar. Genxi Xhixha, 39 vjeç, person me hyrje-dalje të shumta në Shqipëri, e fundit më 12 janar të këtij viti, dyshohet se është personi me rolin kryesor. Ai jeton prej vitesh në Kubë dhe mendohet se ka qenë personi që siguronte kontaktet për furnizimin e laboratorit të Xibrakës me lëndë narkotike.

Një tjetër person “në kërkim policor” është Pranvera (Aga) Ebeling, një emër i dalë në skenë në informacionin shkresor të ardhur nga Gjermania më 17 dhjetor 2014, e dyshuar si transportuese e drogës, por që në asnjë rast në Shqipëri apo në Gjermani nuk është gjetur ndonjë provë direkte për implikimin e saj.

Ebeling është larguar nga Shqipëria më 3 janar 2015, ndërsa në banesën e saj në Gjermani u bë kontroll pas operacionit në Tiranë dhe Elbasan, por nuk u gjetën prova apo materiale komprometuese. Personi i tretë është një shtetas me emrin “Karlos”, për të cilin dy kolumbianët që punonin në laborator, kanë thënë se është bashkëkombës i tyre, por me nënshtetësi holandeze.

Ky person i kishte sjellë në Shqipëri “dy kimistët” e kokainës dhe u kishte bërë edhe dy pagesa në vlerën 9 mijë euro, duke shkuar disa herë edhe te laboratori i kokainës në Elbasan. Prokuroria ka kërkuar dëshmi nga nëntë personat e arrestuar në lidhje me detaje të veprimtarisë së tyre apo për persona të tjerë të përfshirë në trafik, por asnjëri prej të pandehurve nuk ka pranuar të japë shpjegime.

HETIMI ME GJERMANËT
Një ditë pas arrestimit të 9 personave dhe kapjes së 19.4 kilogramëve kokainë, tre hetues gjermanë zhvilluan takime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me grupin hetimor. Më pas, përfaqësuesit e palës gjermane shkuan bashkë me Prokurorinë shqiptare në laboratorin e kokainës, ku fiksuan prova me vlerë për hetimin.
Mësohet se mostra të solucioneve dhe kimikateve të marra në laborator, së bashku me lëndën përzierëse, janë dërguar në Gjermani për kryerjen e analizave të thelluara që do të përcaktojnë sasinë e kokainës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button