Buxhet i pushtetarëve apo i qytetarëve?
Film dokumentar i financuar nga “British Council” dhe Banka Botërore:
Në Durrës u shfaq filmi dokumentar “Qyteti i qytetarëve, buxheti i qytetarëve”, realizim i shoqatës “Art-link”, një projekt i fituar me konkurrencë, në kuadër të "Panairit të ideve krijuese", shpallur para disa muajsh nga “British Council” dhe mbështetur nga Banka Botërore.
Dokumentari, duke përdorur si sfond traditën e hershme mijëravjeccare të menaxhimit dhe të krijimit të vlerave historike, në thelb përcolli mesazhe që lidhen me problematikën aktuale të ushtrimit të demokracisë dhe të pushtetit në raport me interesat e qytetarëve.
Dokumentari u dha si premierë në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu”, Durrës, në praninë e përfaqësuesve të subjekteve realizues e mundësues, si edhe qytetarëve durrsakë. Në këtë event ishte i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, vend që mban edhe presidencën e Bashkimit Evropian aktualisht, z. Karsten Jensen, si edhe kryetari i bashkisë Vangjush Dako, të cilët përgëzuan autorët për këtë dokumentar të vlefshëm.
Përmes imazheve të zbuluara për herë të parë për publikun, si ajo e një monedhe të lashtë ku në njërën anë është emri “Durrachion” dhë në anë tjetër “Europa” e që dëshmojnë identitetin evropian të qytetit, si edhe intervistave me banorë, filmi “provokonte”sedrën qytetare për pjesëmarrje në ushtrimin e pushtetit dhe demokracisë në kuptimin e mirëfilltë të këtij termi edhe përmes mekanizmave të tillë si referendumet lokale për përdorimin e buxhetit apo vlerësimin për të zgjedhurit. Ambasadori danez në një prononcim për median tha se nisma të tilla mund të rekuperojnë defektet e partive politike në ushtrimin e pushtetit, duke bërë realitet të drejtën e qytetarëve për të ndërhyrë në proces dhe në vazhdimësi në menaxhimin e interesave publike dhe jo ta quajnë të mbaruar detyrën me hedhjen e votës. Sipas tij, ka një shporpocion shqetësues në Shqipëri mes respektimit të interesave private dhe interesave publike, në favor të interesave private, parciale, në dëm të interesave publike.
Nuk është e rastit që autorët e filmit apo sponsorizuesit e tij kanë zgjedhur Durrësi si rast domethënës. Mund të zgjidhnin edhe Burrelin, edhe Korçën edhe Vlorën apo Fierin dhe paradoksi do të ishte po i njëjtë. E përkthyer në mesazhin që përcjell dokumentari filmi mund të kishte edhe titullin: buxhet i pushtetarëve apo i qytetarëve. Durrësi për këtë dokumentar është vetëm një shkas. Problemi është i gjithë Shqipërisë. Në fjalorin politik të Shqipërisë nuk ekziston ende idioma "buxhetim me pjesëmarrje", një term modern i programit të Sfidës së Mijëvjeçarit të OKB, çelës i projekteve të Europës së sotme.
Sipas intervistave me qytetarët, konstatohet një raport krejt i shtrembëruar që ekziston në Shqipëri mes qytetarëve dhe të zgjedhurve apo të mandatuarëve për të qeverisur. Disa bashki apo komuna prej dy vjetësh, për shkak të devijimit të vullnetittë zgjedhesve apo interesave të ngushta partiake gjenden në kushtet e një problemi të ndërlikuar: pamundësia e përdorimit të buxhetit . Shumica që zgjedh këshillin bashkiak dhe kryetarin pas riorganizimeve pas ccdo rifomatimi të pushtetit qendror, bllokon përdorimin e buxhetit (të krijuar prej të taksave të qytetarëve, biznesit lokal apo donacioneve nga buxheti qendror). Për shkak se raportet shumicë-pakicë lëvizin dhe duke krijuar shumicën bllokuese paralelisht me rreshtimet në qeverisjen qendrore ka bërë që të vonohet zbatimi i buxhetit apo realizimi i projekteve lokale.
Producent i filmit dokumentar është Alban Ramohitaj, skenari Monika Stafa, regjia Denada Beqiri.
Te nderuar lexues! Me poshte ju mund te perdorni mundesine te shpreheni rreth artikullit me komentet tuaja . Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e 24 ore Online.



Posto komentin tuaj