Fillimi | Arte | Libri | Një libër me kujtimet historike të Xhelal Staraveckës

Një libër me kujtimet historike të Xhelal Staraveckës

> Nga
Madhesia e germes: Decrease font Enlarge font
Së shpejti, “Naimi” publikon librin me kujtimet e jashtëzakonshme të një prej protagonistëve të luftës antifashiste dhe historisë politike në vitet 1935-1966 Së shpejti, “Naimi” publikon librin me kujtimet e jashtëzakonshme të një prej protagonistëve të luftës antifashiste dhe historisë politike në vitet 1935-1966

Së shpejti, “Naimi” publikon librin me kujtimet e jashtëzakonshme të një prej protagonistëve të luftës antifashiste dhe historisë politike në vitet 1935-1966

Dëshmia e Xhelal Staraveckës për masakrën e 4 shkurtit 1944 në Tiranë, e cila publikohet për herë të parë, është vetëm një nga qindra episodet, ngjarjet apo figurat historike që ai përshkruan, duke iu referuar periudhës nga viti 1914 deri në fund të vitit 1966. Në shumicën e tyre Xhelal Staravecka ka qenë vetë protagonist: si organizator, së bashku me Riza Cerovën, i kryengritjes së Fierit; si një nga komandantët e parë dhe më të mëdhenj partizanë, shkolluar në Perëndim në një nga akademitë më të mira ushtarake evropiane. Nën drejtimin e tij u çliruan nga pushtimi fashist krahina të tëra si Skrapari, Korça, Kolonja, Përmeti, Berati etj. Xhelal Staravecka, ndoshta, është i pari drejtues i Luftës Antifashiste shqiptare, që denoncoi publikisht, qysh në vjeshtë të vitit 1943, me anë të trakteve publike e jo përmes pseudorrëfimeve apo shkrimeve në kohë e kushte të tjera, ndërhyrjet e jugosllavëve dhe prapaskenat e tyre në gjirin e Partisë Komuniste Shqiptare.

Në kujtimet e veta, që do jenë në duart e lexuesit shqiptar shumë shpejt, besojmë në mars, gjenden dëshmi, dokumente, foto për masakrat greke mbi shqiptarët e jugut në vitet 1914-1915; pastaj për Ahmet Zogun dhe figura të tjera të rendit të parë të periudhës monarkike; për Fan Nolin kryeministër e poet; për të ashtuquajturën kryengritje të Fierit (1935). Më pas vjen njohja, bashkëpunimi dhe ndarja me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Spiro Mosiun, Haxhi Lleshin, Myslym Pezën,Gjin Markun, Mestan Ujanikun, Fiqirete Sanxhaktari (Shehu),  Mehdi Frashërin, Ali Këlcyrën, Dali Ndreun, Abas Kupin, Abas Ermenjin, Xhafer Devën, Rexhep Mitrovicën etj.  Dorëshkrimi përmban, gjithashtu, vlerësime deri edhe për figura të fesë, letërsisë e kulturës shqiptare apo të huaj, si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi etj., për rolin e tyre në raport me fashizmin dhe interesat e kombit shqiptar.

Krejt ndryshe nga kujtimet apo librat që janë shkruar për historinë në periudhën totalitare apo mbas viteve ’90, kur në Shqipëri u rivendos liria e fjalës dhe botimit, të cilat përgjithësisht i nxjerrin figurat apo ngjarjet historike bardh a zi, sidomos kur përshkruajnë kundërshtarët e ideve apo “të vetët”, Xhelal Staravecka di të mposhtë subjektivizmin, madje edhe kur historia i del kundër ideve, dëshirave apo nismave të tij.  

Me kujtimet e Xhelal Staraveckës ndryshon hierarkia e kontributeve dhe historia e antifashizmit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos fillimet e kësaj lufte në Shqipëri, përkatësisht ajo kundër fashizmit italian. Për fat të keq, këto dëshmi nuk janë publikuar më parë, edhe për faktin se autori i tyre nuk ishte dhe nuk u vu kurrë në shërbim të klaneve politike, fetare, krahinore, të vendit apo të huaja, majtas a djathtas, klane të cilave nuk do t’u interesonte kurrë të publikoheshin ato. Kujtimet e Xhelal Staraveckës mbajnë thjesht anën e Shqipërisë dhe të vërtetës mbi historinë e dhimbshme të saj.  

Pjesa e dytë e kujtimeve, pas arratisjes nga Shqipëria, i takon jetës në burgjet e Italisë si antifashist; gjyqit të madh në Romë kundër tij dhe fjalimit patriotik që tërboi prokurorin italian, për të cilin shkruan gazetat angleze dhe amerikane; njohjes me personazhet e jashtëzakonshme të emigracionit politik shqiptar dhe me lojën e shërbimeve të huaja me ta.

Xhelal Staravecka është dënuar tri herë me vdekje: nga regjimi i Zogut për “kryengritjen e Fierit”; nga regjimi i Enver Hoxhës për denoncimin publik të nënshtrimit të partisë komuniste shqiptare ndaj asaj jugosllave; nga drejtësia italiane për luftën e tij kundër fashizmit në Shqipëri. Të tri herët arriti të shpëtojë e të mbijetojë: nga Italia arratiset në Francë, ku jeton deri sa vdes në vitet 1980.

Familja, me të cilën Xhelali qëndroi vetëm disa muaj, pra, gruaja dhe djali i tij i vetëm, Naimi, pësuan një kalvar internimesh e persekutimesh nga regjimi komunist. Deri në fund të viteve 1990 ishin të internuar në Savër të Lushnjës, duke mos pasur dot asnjë komunikim me njëri-tjetrin. Ndonëse mund të konsiderohen një ditar personal, në kujtimet e Xhelal Staraveckës, ashtu si në jetën e tij, nuk ka asgjë personale: rrallë mund të gjenden në historinë tonë njerëz që ta duan Shqipërinë, të sakrifikojnë e shërbejnë për të me kaq devocion e pastërti sa Xhelal Staravecka. Ne do të lexojmë 500 apo 1000 faqe libër, por për Xhelalin vetë, do të mësojmë shumë pak gjëra drejtpërsëdrejti. E megjithatë, në fund të këtyre kujtimeve të krijohet ideja sikur autori i tyre thotë, po të shkruanim në stilin e tij: Të mos më dalë njeri e të më thotë se unë e dua Shqipërinë më shumë se ju. Por, as të mos më dalë njeri e të më thotë se unë e kam dashur më pak nga ju!

Në përkujtim të viktimave dhe dëshmorëve të 4 shkurtit 1944 në Tiranë, po publikojmë vetëm pjesën ku Xhelal Staravecka, i akuzuar edhe ai si “organizator dhe pjesëmarrës në këtë masakër” që tronditi kryeqytetin shqiptar. Sipas Staraveckës, e vërteta është krejt tjetër nga ajo që ka servirur historiografia komuniste dje dhe disa autorë sot. Për sqarim të lexuesit, themi se autori i dëshmisë, kishte vetëm pak muaj që kishte braktisur ushtrinë partizane të Enver Hoxhës, për arsye që Xhelali i sqaron në librin e tij që del së shpejti në treg.   

Kujtimet historike të Xhelal Staraveckës, shkruar në Paris më 1966, do të publikohen të plota si libër nga shtëpia botuese “Naimi”, në bashkëpunim me trashëgimtarët e autorit, të cilët aktualisht jetojnë në SHBA. Libri, i cili në dorëshkrim ka rreth 500 faqe në format të madh, daktilografuar e nënshkruar nga autori, është përgatitur për botim, në kuadër të 100-vjetorit të shtetit shqiptar.

 

 

 

 

Xhelal Staravecka: Ja, kush e bëri masakrën e 4 shkurtit në Tiranë

 

Pse pranova komandën e xhandarmërisë së Tiranës

 

Pas Kongresit të Ballit në Berat qëndrova në shtëpi, gjithnjë në Berat duke shkruar disa trakte kundër Partisë Komuniste si propagandë e që, më vonë, e pagova me 10 vjet burg në Itali, natyrisht nga zelli i bashkatdhetarëve të mërgimit, dëshira e të cilëve ishte që italianët të hakmerreshin kundra meje.

Drejt fundit të janarit 1944, Mehdi Frashëri, me anën e Ali Klisurës, më thirri të shkoja në Tiranë.

Kur shkova në Regjencë, Mehdi Frashëri më propozoi të qëndroja në Tiranë si komandant i xhandarmërisë së rrethit me cilëndo gradë që të dëshiroja. Në atë rast e luta regjentin të më lejonte 5-6 ditë të mendohesha. Natyrisht, përdora këtë formulë për mos ta refuzuar aty, sy për sy, pasi një mision të atillë nuk doja ta dëgjoja dhe jo më ta përqafoja.

Në Tiranë dëshiroja të qëndroja për të punuar për krijimin e “forcës së tretë”, por jo me ofiq dhe sidomos me atë të xhandarmërisë. Mirëpo kur arrita në Tiranë nuk pata vështirësi të konstatoja atë gjendje që edhe sot kur e kujtoj më rrëqethet mishi.

Në 2 shkurt (nuk kisha veç dy ditë që ndodhesha në Tiranë), kur dola në mëngjes nga hotel “Dajti” ku banoja, u ndodha përpara asaj gjëme dhe mynxyre, atij turpi dhe asaj nate të errët, atij veprimi kriminel që regjimenti “Kosova” kishte hedhur në një të dhjetën e popullsisë shqiptare, pasi Tirana në atë kohë numëronte më se njëqind e tridhjetë mijë banorë. Kuptohet vetvetiu se ajo panoramë e shëmtuar më tronditi nga thellësitë më të fundit të qenies time.

Ata diva djem që në dejet e tyre qarkullonte gjak thjeshtësisht shqiptar, me ndjenja kaloreske si mund të jenë bijtë Kosovës sonë të robëruar, i kishin transformuar në bisha të egra dhe grabitqare udhëheqësit e tyre, si Ago Agaj që ishte përgjegjësi kryesor, si Xhafer Deva e të tjerë, deri tek komandanti direkt i atij njësiti, një pjellje e shëmtuar e familjes patriote Boletini të Mitrovicës., kolonel Bajazit Boletini, një shtazë me fytyrë njeriu, që nuk kishte asnjë respekt për jetët e të tjerëve. Kurse, kur doli në mërgim, aq e kishte frikë vdekjen, qelbi me diarré vagonët e shemendiferëve të Gjermanisë nga tmerri që kishte nga avionët e Aleatëve që, në të vërtetë, nuk merreshin me bombardimin e trenave rrugës, pasi bombardonin qytetet.

Ç’them këtu mos e quani një bisedë të ujdisur apo të shtuar, apo të ma kenë thënë të tjerët, pasi e kam parë me sytë e mi, prej Zagrebit e deri në Vjenë, e prej kësaj deri në Salzburg që kemi udhëtuar së bashku. Sa herë që i thashë mos të sillej në atë mënyrë qesharake e të turpshme duke u hedhur nga treni në ecje nga tmerri, se po na turpëronte përpara kombësive të tjera, efekti i fjalëve të mia zhdukej sapo të zgjonte zhurmën e ndonjë aeroplani.

Si thashë më lart, kur u çova në mëngjes dhe iu drejtova hotel “Berlinit” e të merrja rojet e mia personale që flinin në atë hotel, pashë një beratas që e njihja: po më afrohej me hapa të shpejtë, dhe me lot në faqe më shtriu dorën që i dridhej, duke më lutur të bëja diçka për të. Xhandarët e regjimentit “Kosova” i kishin marrë dhe zhdukur kamionetën e tij me pesëmbëdhjetë teneqe djathë që kishte në to. I thashë se nuk mund të bëja gjë, pasi edhe unë isha mysafir në Tiranë. Ajo punë më bëri të hiqja për një çast mendimin nga problemi politik që kisha vazhdimisht në kokë e të mendoja për veprimin arbitrar të atyre që vishnin petkun zyrtar, me të cilin dëshmonin se tutëlonin drejtësinë. Kur iu afrova hotelit “Berlin”, në afërsitë e tij u përhap lajmi me një tmerr tamam sikur të ishte duke ardhur ushtria e Xhenxhis Khanit, që tmerrohej popullsia aty ky shkelte, pasi pashë burra e gra të tmerruar që bridhnin në pikë të vrapit pa drejtim. Me qenë se ajo skenë makabre më tërhoqi vëmendjen, e ndërrova dhe unë drejtimin tim nga ai i hyrjes së hotelit dhe iu drejtova asaj ane nga e cila ishte dhënë lajmi për të parë se ç’ngjante në atë mëhallë. Djemtë e dashur dhe të shtrenjtë të Kosovës së dhembur, të transformuar në bisha të egra nga vepra e turpit e kryetarëve të tyre që ceka më lart, kishin rënë si ujqër në kope të dhenve dhe, ashtu, me pretekst kontrollin, gjoja për të mbrojtur Tiranën dhe popullsinë e saj nga aksionet komuniste, pa pikën e pendimit, të frikës apo të turpit, po e plaçkitnin atë mëhallë, duke përvetësuar me përdhuni çdo gjë që ishte e vlefshme. U betohem se shumë grave u hiqnin nga veshët dhe nga gishtërinjtë e duarve vëthët dhe unazat.

Ajo skenë më tërboi, aq sa u betohem, u betohem në nderin e së Vërtetës se aty, dhe në atë çast, vendosa të pranoja propozimin që më bëri regjenti Mehdi Frashëri, vetëm për të shpëtuar popullsinë e Tiranës nga tmerri, nga gjëma, nga veprimi i turpshëm, nga ndyrësia ekstreme, nga çnderimi i papërshkruar e nga nata e errët në të cilën ai regjiment kishte zhytur popullin e kryeqytetit.

Nëse ka një vepër në të gjithë punën time që kam zhvilluar në fushën kombëtare, të çoj ballin lart me mburrje e të thërres me zë të lartë se kam bërë një vepër atdhetare, kjo është çështja e largimit të regjimentit “Kosova” nga Tirana.

Nëse populli i Tiranës, me të dhe ai i Shqipërisë mbarë, nuk duan ta njohin e ta pranojnë atë vepër si një nga episodet historike që më ngreh lart si një figurë e pastër dhe atdhetare, të më lejojnë të them se ata e meritonin atë çnderim që u perpetronte ai regjiment dhe që unë bëra shumë keq që i shpëtova nga ajo skëterrë.

Përpara asaj skene aq shtazore, u betohem prapë se nuk do të kisha hezituar t’ia nisja pushkës kundra atyre, megjithëse nuk bëja ndonjë punë të madhe me atë sakrificë supreme, pasi në atë çast isha krejt i vetëm, po të mos më kishte ndalur arsyeja se së shpejti do t’i shkulja nga Tirana pa sakrifica të mëdha. Pas 5 ditëve shkova në Regjencë dhe i thashë Mehdi Frashërit se pranoja barrën që ai më kishte propozuar ta merrja mbi shpinë, natyrisht për ta shpëtuar Tiranën nga një rrebesh tjetër si ai i 4 shkurtit.

-Po, i thashë, jam gati të vihem nën dispozicionin tuaj, pasi u konsideroj një nga atdhetarët më të mirë sot gjallë e, nga ana tjetër, pasi Tirana ka nevojë për një dorë të fortë për ta shpëtuar popullsinë e saj, jo nga komunizmi, por nga vepra kriminele e antikomunistëve, ...nga antikomunizmi kusar dhe shtazor, por vetëm më një konditë...

Nuk më la të shfaqja mendimin tim dhe më tha:

-Me qenë se kam krejt besim tek ti, nuk është nevoja të vesh asnjë konditë.

Atëherë, i thashë se grada ime ishte e shokëve të mi të kursit të Akademisë Ushtarake, Kapiten i klasit të parë.

 

Nata e Shën Bartolomeut në 4 shkurt 1944

 

Mbi çështjen e natës së Shën Bartolemeut në 4 shkurt 1944, në 3 shkurt, në mos gabohem, erdhi Kadri Cakrani nga Berati e të nesërmen dy komunistë shtinë dhe vranë një nga rojet personale të Kadriut si dhe xhajën e Xhafer Devës. Nga ai aksion komunist u bë ajo kasaphanë atë natë që iu kushtoi jetën më tepër se shtatëdhjetë personave të pafajshëm.

Në atë masakër nuk kam pjesë, pasi komandën e xhandarmërisë së kryeqytetit e mora më 13 shkurt. E, në sa i takon asaj çështjeje, kam dëgjuar se edhe qeveria e Tiranës e regjimit të sotëm nuk më ka akuzuar. Atë gjak e bëri regjimenti “Kosova”, i urdhëruar nga ministri i Brendshëm Xhafer Deva, në bazë të një liste përgatitur për të gjatë ditës në bashkëpunim me Ballin. Ministrit të Brendshëm, Xhafer Devës, njësiti komunist i vrau xhaxhain dhe komandantit të përgjithshëm të Ballit, Kadri Cakranit, i vrau një nga shërbëtorët e tij. Meqenëse Tirana ishte stan pa qen, Kadri Cakrani dhe Xhafer Deva ishin të mjaftueshëm të bënin atë masakër që bënë.

Sidoqoftë, dua të theksoj se shumë persona u vranë atë natë me pretekst si hakmarrje kundra komunistëve, kurse në të vërtetë shumëkush u vra për llogari personale, si, për shembull, Tahir Zajmi vajtonte djaloshin intelektual Ramiz Trenin duke akuzuar Xhelal Mitrovicën se e vrau thjeshtësisht për inate personale atë natë me regjimentin Kosova.

Një tjetër plagë turpi: Xhafer Deva në personelin e sigurimit të tij kishte dhe një vagabond, njëfarë Nexhip Mitrovica që kërkonte gjithë ditën në Tiranë “ezmer gjyzelër” (çuna të zeshkët). Për cilin?...

Masakrën e 4 shkurtit e bëri Xhafer Deva me Kadri Cakranin, që do të thotë qeveria nga një anë, megjithëse Rexhep Mitrovica, kryetari i qeverisë, jo vetëm nuk pati dijeni mbi përgatitjen dhe kryerjen e asaj vepre të shëmtuar, por të nesërmen deshi të jepte dorëheqjen, dhe, në tjetrën anë, Balli Kombëtar.

Mehdi Frashëri u hidhërua tej çdo kufiri, por ç’mund të bënte për atë krim të kryer? Ai kishte rënë në një gjendje shumë të keqe, qoftë me Ballin, qoftë me qeverinë, eksponentët e të cilëve ishin lidhur shumë ngushtë me gjermanët.

Sa për mua nuk kam pjesë në atë masakër, pasi në Tiranë në atë kohë isha vetëm mysafir e nuk isha as me Ballin, as me qeverinë, pasi komandant i Tiranës u bëra në 13 shkurt 1944. Punë fillova të nesërmen, në 14 shkurt. Dhe posa fillova punë, e para gjë që bëra, dhashë urdhër, them dhe e përsëris, dhashë urdhër, megjithëse atyre që u dhashë urdhër nga gradat dhe ofiqet ishin shumë më lart nga unë, që regjimenti “Kosova” të mos përzihej as në punën më të vogël në Tiranë, pasi përndryshe kisha për t’i qëlluar pa asnjë kursim edhe pse në zemrën time ata ishin vëllezërit më të dashur dhe më të dhembsur, si shqiptarë të robëruar. E nuk mjafton, por u thashë atyre që atë regjiment e quanin si fuqi personale të tyren, ta largonin nga Tirana brenda javës. Pasi nuk pati udhë tjetër, brenda asaj kohe ai regjiment la Tiranën.

Ago Agaj, që kishte disa llogari të vjetra personale për t’i rregulluar me disa në krahinën e vet, e çoi regjimentin “Kosova” në Vlorë dhe krahinat përreth, mirëpo rregullimin e atyre llogarive e volli dhe e volli keqas pa shkuar një kohë e gjatë, pasi, pse, pas nisjes së tij në mërgim, në Tiranë i vranë babën Shero Eminin. E, për t’i paguar Agua krimet dhe llogaritë personale që kreu me anën e Regjimentit Kosova, po ai që i vrau babën, doli jashtë si i mërguar, natyrisht pasi Agua i kishte përvëluar shpirtin, pasi i kishte vrarë të vëllanë, i ra Agos dhe e plagosi rëndë në Reggio Emila të Italisë.

Këto janë atdhetarizmat e nacionalizmit shqiptar

Patjetër kush këndon këto episode, çuditet kur sheh si protagonist Ago Agajn si protagonist në çështjen e regjimentit “Kosova”.

Dhe ja si qëndron puna:

Ago Agaj si “deutsche kultur” nuk pati sukses pranë italianëve, kur na u bënë sundonjës në vatër. Në 1941, ku Gjermania mësyu dhe shkatërroi Jugosllavinë, e la Malin e Zi, Kosovën dhe Metohinë nën influencën italiane, mirëpo në anën e vijës gjermane kishin mbetur edhe toka shqiptare, si Mitrovica e të tjera krahina. Mitrovicarët shqiptarë, për të mos ndenjur nën administratën serbe, u çuan dhe formuan, ose më mirë të themi proklamuan Mitrovicën e të tjera toka si “autonome”, duke u shkëputur nga administrata serbe, natyrisht nën pushtimin gjerman. Ago Agaj i “deutsche kultur” vrapoi me të shpejtë në Mitrovicë dhe atje, meqenëse është dinaku më i përsosur për të ngatërruar e korkolepsur punët më keq, rregulloi dhe çrregulloi, bëri dhe ç’bëri ç’i erdh për dore. Aktiviteti i tij do të ishte kufizuar vetëm në Mitrovicë po të mos kishte kapitulluar Italia. Pas kapitullimit të Italisë, gjermanët erdhën dhe pushtuan dhe Shqipërinë. Kështu në atë rast edhe “deutsche kultur”-ët e Mitrovicës: Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica, Rexhep Mitrovica e shumë të tjerë e, natyrisht, me ta dhe Ago Agaj erdhën në Tiranë. Me qenë se ky i fundit nuk donte të vinte në Tiranë vetëm më pendën në xhep, por me një fuqi që t’u imponohesh atyre që mund ta rivalizonin, ai bashkë me mizat e asaj qeverie të vogël të Mitrovicës erdhën dhe u ngulën në Tiranë dhe formuan qeverinë nën regjentin Mehdi Frashëri, duke prurë me vete dhe regjimentin që kishin formuar dhe organizuar në Mitrovicë.

 

(fragment nga libri në proces botimi i Xhelal Staraveckës “Përballë gjyqit të historisë”, kujtime historike: 1914-1966, nga shtëpia botuese “Naimi”)

REGJISTROHUNI QE TE MUND TE POSTONI KOMENTE

Te nderuar lexues! Me poshte ju mund te perdorni mundesine te shpreheni rreth artikullit me komentet tuaja . Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e 24 ore Online.

Regjistrohu te komentosh feed Kommente (2 postuar)

avatar
Roland 08/02/2012 06:01:20
Xhelal Staravecka ka qene thjesht nje kriminel dhe zbatues torturash ne sherbim te okupatoreve.
avatar
Remzi Lula 17/02/2012 10:32:55
Pse nuk tregohet ketu se ne çfare menyre ka vdekur Staravecka? Pse nuk tregojne se ka vijuar aktivitetin e tij si kriminel edhe jashte Shqiperise dhe sesi ne vitin 1952 u gjykua nga nje gjykate italiane, pra jo komuniste, per krime lufte dhe u denua me 10 vjet burg...
gjithsej: 2 | shfaqur: 1 - 2

Posto komentin tuaj

  • Te zeza
  • Kursive
  • E nenvizuar
  • Citim

U lutemi shkruani germat qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Dergoje tek nje mik Dergoje tek nje mik
  • Print version Print version
  • Tekst i thjeshte Tekst i thjeshte

Vleresoje kete artikull

1.00
Powered by 24-ore.com
Powered by 24-ore.com