Arvizu: Sulmet ndaj Ina Ramës alarmuan Uashingtonin! Mund të kenë pasoja
Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu foli për hetimet për ngjarjet e 21 janarit duke deklaruar se hetimi duhet te jete i plote gjithëpërfshirës dhe i paanshëm. “E kam ndjekur me pritshmëri të madhe shfaqjen e kryeprokurores në programin Opinion. Dy ditë përpara se të bëhej intervista kam drekuar me zotin Blendi Fevziu. Ka qenë mirë që TV Klan i ka dhënë asaj mundësinë dhe është e rëndësishme që ajo të kishte forumin për të ju përgjigjur pyetjeve dhe për të sqaruar pozicionet.
Ka patur më shumë kritikë për të nga PD se nga PS dhe ka qenë një situatë ku të gjithë mund të fitonin. Stafi im më ka dërguar e-maile dhe me sa duket ajo doli shumë mirë për prezantimin. Blendi ka bërë një punë të shkëlqyer me pyetjet dhe gjithsesi u takon shikuesve ta vlerësojnë se si ka folur. Forumi ishte aty dhe ishte rezultat pozitiv për të gjithë”, tha Arvizu ne ABC News.
Ne kemi qenë të qartë që nga dita e parë se pronësia e këtij hetimi është plotësisht në zyrën e kryeprokurorit të Shqipërisë. Pasi ka ndodhur ngjarjet tragjike të janarit të shkuar i jemi përgjigjur kërkesës së zyrës së saj për disa lloj ekspertizash teknike si analizë ligjore etj. kemi menduar se ka qenë e rëndësishme duke parë traumën që kanë përjetuar shqiptarët në 21 janar ku humbën jetën katër persona. Ishte e rëndësishme të kishte drejtësi dhe që ajo të shërbehej duhet të përcaktohej e vërteta. E vetmja mundësi ishte hetimi i plotë dhe gjithëpërfshirës e i paanshëm. Ju i keni dëgjuar këto terma edhe më herët. Kemi menduar se duke ofruar emrin e FBI kjo do të ndihmonte me kredibilitetin dhe paanshmërinë e këtij hetimi. Kur u shfaqa me të në konferencë shtypi ajo donte që unë të qëndroja për besueshmërinë e raportit të FBI-së. Ai është laboratori më i mirë në botë për ekspertizë dhe kemi dhënë mbështetjen tonë për zyrën e prokurores së përgjithshme. Nëse ne mund të kontribuonim në mënyrë pozitive unë e mbështes.
Mendoj se njerëz të ndryshëm ndërsa shikojnë atë intervistë mund të nxjerrin impresione të ndryshme e unë mendoj se zyra që ajo përfaqëson qëndron në vetvete. Deri në atë pikë që SHBA mund të shihen si një vëzhgues i paanshëm dhe lexues i paanshëm në këtë kërkim drejt drejtësisë dhe të vërtetës. Kjo është një gjë pozitive dhe një investim i mirë i kohës dhe energjive amerikane.
Mendoj se duke parë mjedisin politik në Shqipëri me kanale televizive që transmetojnë lajme 24 orë duhet që të takoj një shqiptar që nuk ka një opinion politik për një qëndrim. Njerëzit mund të kenë mendimet e tyre dhe është e vështirë të ndash pjesën ligjore nga pjesa politike. Kjo është pjesë e funksionimit të një shoqërie demokratike. Lidhur me përformancën e zyrës së kryeprokurores ajo ka dalë shumë mirë duke parë edhe të gjitha vështirësitë me të cilat janë përballur. Në Shqipëri ka edhe faktorë të tjerë që e bëjnë shumë të vështirë punën e kryeprokurorit. Unë dhe zonja Rama kemi zhvilluar orë të gjata bisedash dhe ka patur kohë edhe kur kemi patur mendime paksa të ndryshme. Unë kam qenë edhe jo komod me ndonjë informacion që ka rrjedhur nga zyra. Rrjedhjet në vetvete janë të mërzitshme por ajo çka më shqetëson është që rrjedhjet të mos kompromentojnë integritetin e hetimit. Unë ja kam bërë të ditur këtë qëndrim dhe ajo mendon njësoj e ka marrë hapa për ti trajtuar këto. Zyra e prokurorit të përgjithshëm është një zyrë publike dhe si e tillë ajo është e përgjegjshme dhe jep llogari për performancën e saj si çdo qytetar në këtë vend.
Nëse hidhemi në atmosferën e kërcënimeve dhe tejkalojmë kufirin kjo përbën një problem sa i takon SHBA-ve. Ne besojmë për të drejtën e lirisë për të folur dhe llogaridhënie të zyrtarëve por kur kalohet ky kufi dhe ka kërcënime të drejtpërdrejta apo të tërthorta apo abuzim verbal që vë në dyshim mundësinë e asaj zyre për të hetuar atëherë ekziston potenciale për të krijuar probleme me SHBA-në. Në ditët e fundit disa prej retorikave kanë çuar ajër të ftohtë në ambasadë dhe në Uashington. Për të tretën herë performanca e sjellja e zyrës, dhe e kryeprokurores është një subjekt legjitim që mund të kritikohet por ka një kufi që nuk duhet tejkaluar përndryshe mund të ketë pasoja.
Pasojat për të cilat flas kanë lidhje me konceptin e të vërtetës dhe drejtësisë. Dhimbja që kanë ndjerë ato katër familje dhe njerëzit kanë shumë probleme e pyetje për atë çka ka ndodhur. Unë kam thënë se duhet hetim gjithëpërfshirës. Vdekjet e shkaktuara nga armët e zjarrit ishin të tmerrshme dhe duhet kërkuar llogari për këtë. Duhet kërkuar edhe rrethanat që çuan në këtë ngjarje. Pikëpamjet e mia janë të qarta se ishte skicuar që në fillim se nuk do ishte demonstratë normale por e dhunshme.
Kryeprokurorja ka kërkuar heqjen e imunitetit për tre deputetë të PS-së por kjo nuk do të thotë se ata janë fajtorë por thjesht do hetohen. Hetimi duhet të vazhdojë në mënyrë shumë teknike dhe në formë shumë ligjore. Nëse mund të jem shumë i hapur dhe i sinqertë, në PS ajo çka ka qenë zhgënjyese është të kishte patur më shumë një shprehje të keqardhjes nga ana e PS për rolin e tyre në kontribuimin e situatës së zhvilluar në 21 janar. Ka pikëpamje të ndryshme se sa fajtor ka patur por qartazi ka patur një rol.
Sigurisht ka një përmasë politike dhe kjo duhet të zhvillohet në një mënyrë tjetër por për SHBA fokusi është në ruajtjen e integritetit të hetimit ligjor duke u përpjekur të arrihet drejtësia duke zbuluar të vërtetën.
Mund ta kuptoj se si për shumë shqiptarë njerëzit shohin për barazpeshë. Shumë thonë se është e rëndësishme kur kryeprokurorja kërkoi tre heqje imuniteti dhe tre urdhër arreste. Kjo është një gabim pasi duhen ndjekur provat dhe gjatë kursit të hetimeve duket se ka patur pyetje lidhur me serverin psh që gjendej në Këshillin e Ministrave dhe indikacione se ndoshta një nga armët që është përdorur nga Garda mund të jetë ndryshuar tyta. Kjo mund të shfaqë mundësinë e mbulimit, pra mund të ketë disa gjëra paraprake që shfaqin një mbulim. Kjo duhet hetuar sepse drejtësia duhet ta mbajë politikën sa më jashtë të jetë e mundur. Kryeministri është shumë i frustruar dhe zemëruar me mënyrën se si disa prej këtyre janë shpalosur. Duke qenë i sinqertë unë jam shumë i shqetësuar për demonstratën e dhunshme dhe sulmin ndaj këshillit të ministrave. Kjo nuk është mënyra se si duhet të fuksionojë një demokraci. Si do zgjidheshim ne nëse zgjidhemi në mënyrë demokratike dhe kemi një skenë të tillë jashtë. Nuk funksionon kështu demokracia. Duhet të vazhdojë hetimi dhe të ketë një kurs gjyqësor.
Komisioni hetimor parlamentar sa më takon mua ka zero qëndrim dhe pozitivitet. Do të ishte ndryshe nëse do kishte dy palët pozitë dhe opozitë në komision. Ky komision hetimor parlamentar thjesht tërheq vëmendjen e cila duhet të jetë në zyrën e kryeprokurorit.
Problem është kultura e mos ndëshkueshmërisë. Gjyqtarët janë sektori më i dobët. Prokurorët bëjnë disa gjëra dhe nëse ata e bëjnë punën e mirë apo të keqe qytetarët e gjykojnë. Në Shqipëri por dhe jashtë ka perceptim se ka gjyqtarë të korruptuar dhe se mund të blihen. Nëse je avokat dhe të shkosh tek gjykatësi e të paguash atëherë për çfarë bëhet fjalë? Ka zyrtarë të korruptuar edhe në SHBA dhe gjetkë por atje ka një mekanizëm se njerëzit mund të japin llogari dhe duhet të ketë llogaridhënie e përgjegjshmëri. Drejtuesit dhe zyrtarët publikë duhet të pranojnë përgjegjshmërinë dhe të japin llogari. Njerëzit mendojnë se sistemi nuk u kërkon llogari njerëzve.
Te nderuar lexues! Me poshte ju mund te perdorni mundesine te shpreheni rreth artikullit me komentet tuaja . Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e 24 ore Online.



Posto komentin tuaj