Fillimi | Kronika | Sociale | Mësuesit do konkurrojnë me CV për vendet e lira të punës

Mësuesit do konkurrojnë me CV për vendet e lira të punës

Nga
Madhesia e germes: Decrease font Enlarge font
Mësuesit do konkurrojnë me CV për vendet e lira të punës

Përzgjedhja e mësuesve të rinj që do të fitojnë një kontratë pune në arsim do të zhvillohet mbi kritere të reja që kanë të bëjnë me konkurrime të hapura në shkollë, ku mësuesit do të garojnë me anë të kualifikimeve për të fituar vendin e punës. Kështu, pikët e fituara nga përmbajtja e dosjes do t’u vijnë në ndihmë mësuesve të rinj që të fitojnë një kontrate pune në arsim, sipas vendeve të lira që krijohen si rezultat i largimit të mësuesve që mbushin moshën e pensionit, apo në rastet kur mbingarkesa në klasa kërkon shtimin e stafit pedagogjik. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, i cili tashmë ka marrë edhe miratimin e Këshillit të Ministrave, detajohet se emërimet në arsim gjatë vitit të ri shkollor 2013-2014 do të ndjekin një tjetër rrjedhë. Pas verifikimit të nevojave për staf pedagogjik, drejtuesit e shkollave duhet të shpallin në vende të dukshme kërkesat për vendet e lira të punës sipas specialiteteve përkatëse. Shpallja e këtyre vendeve të lira i hap udhë nisjes së aplikimeve për dorëzimin e dosjes me dokumentet e kërkuara nga të gjithë kandidatët që janë në pritje të një emërimi në arsim. Dosja me dokumentet e dorëzuara më pas do t’i kalojë për verifikim komisionit të ekspertëve që ngrihet pranë shkollës. Për t’u cilësuar si e vlefshme dosja në brendësi të saj duhet të përmbajë këto dokumente: “ CV dhe kopjet e dokumenteve që dëshmojnë kualifikimet e detajuara në përmbajtje të CV-së (sipas modelit të përcaktua), tabelën e të dhënave për aplikant, raportin mjeko-ligjor, dëshminë e masave disiplinore në fuqi në ngarkim të tij (nëse nuk ka, e deklaron me shkrim që nuk ka), dëshminë e penalitetit, dy rekomandime nga mësues ose drejtorë të institucioneve arsimore që kanë punuar me aplikantin sipas formatit të kërkuar”. Sipas përcaktimeve të detajuara në udhëzim, dorëzimi i kësaj dosje duhet të kryhet brenda dhjetë ditëve nga koha e shpalljes së vendeve të lira të punës. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara dorëzimi i dosjes nuk do të flejë më në sirtarët e Drejtorisë Arsimore, pasi në udhëzim theksohet se mësuesit do të konkurrojnë për vendet e lira të punës direkt pranë shkollave përkatëse. Pas përmbylljes së aplikimeve konkretizohet edhe ngritja e komisionit që do të vlerësojë dosjet e depozituara, për të përcaktuar  më pas se cili nga mësuesit do të mund të fitojë kontratën punës në arsim. “Komisioni i vlerësimit përbëhet nga një përfaqësues i njësisë arsimore vendore, nga kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve. Një nga mësuesit me përvojën më të gjatë në atë institucion drejton komisionin. Titullari i njësisë vendore arsimore cakton një përfaqësues në komision duke pasur parasysh profilin e mësuesit që kërkohet. Këshilli i mësuesve zgjedh, me votim të fshehtë dy mësues në komision duke pasur parasysh profilin e mësuesit që kërkohet”, citohet në udhëzim sa i takon përbërjes së komisionit të përzgjedhjes së mësuesve fitues. Aplikantët që nuk pranohen, njoftohen me shkrim për mangësitë në dokumentacion. Për çdo dokument të depozituar në dosje dhe kualifikim të kryer, komisioni do të vlerësojë me pikë mësuesin. Kush siguron sasinë më të lartë të pikëve do mund të fitojë edhe vendin e punës. Gjatë verifikimit, komisioni interviston secilin aplikant për metodat e tij të mësimdhënies e nxënies dhe çdo anëtar e vlerëson me pikët nga 1 në 10, si dhe vëzhgon dy orë mësimore të zhvilluara nga secili aplikant duke dhënë po të njëjtën sasi pikësh. Komisioni mbledh pikët e secilit aplikant, veçon dy aplikantët me shumën më të madhe të pikëve, duke përcaktuar kështu dy kandidatët për vendin e lirë të mësuesit. Më pas të dhënat e plota me pikët e marra i dërgohen drejtorit të shkollës, dhe pasi mësuesit të jenë vëzhguar edhe në formën se si zhvillojnë orën mësimor përcaktohet se cili nga dy kandidatët fiton të drejtën e emërimit. Për rastet e veçanta në udhëzim specifikohet se kur nuk ka aplikant, detyrën e mësuesit e kryen përkohësisht një mësues zëvendësues, i cili punon me kontratë pune me afat. Ndërkohë që kërkesa për vendin e lirë të mësuesit përsëritet çdo tre muaj. Për rastet kur ka më shumë se dy aplikantë me numër të njëjtë pikësh, veçohen dy kandidatët që kanë më shumë pikë për vëzhgimin e orëve mësimore.

Mësuesit  humbasin punën kur kryejnë kurse private me nxënësit e tyre

Mësuesit që zhvillojnë kurse private me nxënësit e tyre do të humbasin vendin e punës. Të paktën kështu citohet në udhëzimin e fundit mbi emërimet dhe shkarkimet e arsimtarëve në institucionet e arsimit parauniversitar. Duhet të presim nisjen e vitit të ri shkollor 2013-2014, për të parë nëse kjo pikë e përcaktuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit do të gjejë zbatim. Ndonëse në praktikat e viteve të shkuara është denoncuar shumë herë një fenomen i tillë, në të vërtetë asnjë mësues nuk është ndëshkuar me largim nga puna, për zhvillim të kurseve private me nxënësit e shkollës. Madje në pjesën dërrmuese të rasteve këto kurse zhvillohen edhe brenda ambienteve të shkollës, veçanërisht në sezon provimesh të Maturës Shtetërore. Megjithatë, kjo gjë mbetet për t’u parë në vijim të procesit mësimor, ku do mund të vëmë në dukje nëse ky rregull do gjejë zbatim apo është bërë thjeshtë për të mbushur fletët e udhëzimit. Më tej në udhëzim përcaktohet se mësuesit humbasin vendet e punës edhe për raste të tjera në të cilat do të konfirmohet :“ Falsifikimi i dokumenteve zyrtare, ushtrimi i dhunës fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit arsimor, ngacmimi seksual i nxënësve ose punonjësve të  institucionit, përvetësimi i fondeve financiare ose materialeve të institucionit, kurseve me pagesë me nxënësit që u jep mësim, në rastet e marrjes së ryshfetit, si dhe në dhënien e kopjeve ose lejimin e të kopjuarit në provimet kombëtare. Një tjetër arsye që mund të vërë në rrezik kontratën e punës së një mësuesi është edhe rasti kur nxënësit e klasës së tij do të manifestojnë rezultate të dobëta për një kohë të gjatë. Me rregullat e reja, mësuesve do t’u duhet më shumë përkushtim dhe durim për të justifikuar mbajtjen e vendit të punës. Pas mbledhjes së provave për parregullsitë dhe shkeljet e kryera nga mësuesi, drejtori i shkollës ia paraqet ato komisionit përkatës. Është pikërisht ky i fundit që do të vendosë në bazë të vlerësimit të këtyre provave nëse mësuesi duhet shkarkuar apo jo. Është e detyrueshme që drejtori të konsultohet me komisionin para se të vendosë për largimin e mësuesit. Komisioni shqyrton provat që drejtori i paraqet. Kur shumica e komisionit nuk i konsideron të mjaftueshme provat, drejtori grumbullon prova të tjera, ose anulon largimin e mësuesit, ose i jep mësuesit 6 muaj provë.

REGJISTROHUNI QE TE MUND TE POSTONI KOMENTE

Te nderuar lexues! Me poshte ju mund te perdorni mundesine te shpreheni rreth artikullit me komentet tuaja . Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e 24 ore Online.

Regjistrohu te komentosh feed Kommente (0 postuar)

gjithsej: | shfaqur:

Posto komentin tuaj

U lutemi shkruani germat qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Dergoje tek nje mik Dergoje tek nje mik
  • Print version Print version
  • Tekst i thjeshte Tekst i thjeshte

Tagged as:

No tags for this article

Vleresoje kete artikull

0
AMC