Fillimi | Kronika | Sociale | Rrëfimi nga Zvicra i Orik Shytit: Argita bleu shtëpi te “pallati i Hakmarrjes”

Rrëfimi nga Zvicra i Orik Shytit: Argita bleu shtëpi te “pallati i Hakmarrjes”

> Nga
Madhesia e germes: Decrease font Enlarge font
Rrëfimi nga Zvicra i Orik Shytit: Argita bleu shtëpi te “pallati i Hakmarrjes”

Orik Shyti, djali i akuzuar që adoleshent si drejtuesi i një prej organizatave kriminale më të mëdha në vend, prej vitesh kërkon të fitojë pafajësinë tek drejtësia shqiptare. Pak ditë më parë u bë I njohur fakti që Gjykata Kushtetuese ka kthyer në Gjykatën e Lartë çështjen e kësaj organizate të përmendur qindra herë publikisht nga politikani Berisha. Orik Shyti, ndërkohë, ia dalë mbanë të nis një jetë të re, në një qytet të Zvicrës. Është i mirinformuar për gjithçka ndodh në Shqipëri edhe pse ka vite që nuk i shkel këtu këmba. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Shyti, djali i ish-funksionarit të njohur të para ‘90-s, Aredin Shyti tregon…

Z.Shyti, çfarë jete bën një azilkërkues, ndërkohë që në vendin e tij është një nga personat më të kërkuar nga drejtësia?

Periudha e azilkërkuesit zgjati disa muaj. Prej disa vitesh jam azilant, me statusin e të përndjekurit nga vendi im. Fakti që jam person shumë i kërkuar në Shqipëri nuk ka ndikim në jetën time të përditshme, në kuptimin që nuk pengohem të bëj çdo punë që më ofrohet dhe që jam i aftë ta bëj.

Në kabllogramet e ambasadës amerikane p.sh., thuhej se ju e shpenzonit atë pak kohë të lirë që keni duke bërë ski e duke i dhënë biçikletës. Çfarë shoqërish apo biznesi menaxhoni, apo aktivitet tjetër që ju mban kaq të impenjuar?

E lexova kabllogramin e z. Uidhers. Ai citonte në mënyrë korrekte fjalinë e fundit të një intervistës sime, botuar më 3 korrik 2008. Nuk arrij ta vlerësoj pse i kanë bërë përshtypje njëmbëdhjetë fjalët që përmend (“kur kam kohë merrem me pasionet e mia, biçikletën dhe skitë”) nga një intervistë me mbi njëmijë fjalë. Nuk e kuptoj dot humorin e ambasadorit, por kjo nuk do të thotë se jam penduar që iu përgjigja me sinqeritet pyetjes së gazetës. Në këto 7 vjet kam provuar të jetoj si i papunë për shkak se nuk gjeja dot punë, të ngre ndërmarrje (firmë, siç thuhet shpesh) dhe të provojë shijen e hidhur të dështimit, të provojë sërish dhe të gjej veten të vetëpunësuar. Vitet e fundit merrem me vëzhgimin e tregut për materialet plastike dhe të gurit, si dhe ndërmjetësoj për shitjen e tyre. Vështirësitë janë të zakonshme për të gjithë njerëzit, por ato janë edhe më të mëdha për emigrantët.

Si është e përditshmja juaj, në kuptimin me kë jetoni? Dhe si jetoni? Si ia dilni për të paguar qoftë edhe ato rrëshqitjet me ski kur keni kohë të lirë?

Kam rreth dy vjet që jetoj në një shtëpi më vete, kohët e fundit,bashkë me nënën. Skitë kanë sezonin e tyre që nuk mund ta shfrytëzoj çdo javë për shkak të punëve. Ashtu si shalimi i biçikletës edhe ato nuk kërkojnë “para droge” a “para krimi”, siç përrallis Sali Berisha.

Deklarata juaj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pak ditë më parë, lë të kuptosh se ju jeni i mirinformuar për çfarë ndodh në Shqipëri. Z. Shyti përse ky interes?

Më ndodh shpesh që ndihem se nuk di asgjë për çfarë ndodh në Shqipëri. Por rrallë zihem në befasi për informacione që kanë të bëjnë me mua dhe familjen time.

Si informoheni?

Lajmet i shoh pothuajse rregullisht, një herë në ditë. Në internet rri gjatë, por rri për arsye pune dhe shumë pak për të ndjekur lajmet dhe shtypit të shkruar. Njerëzit e familjes, që kanë kohë më të lirë, më informojnë rregullisht për gjërat më të rëndësishme, duke përfshirë edhe shkrimet e gazetarëve që vrojtojnë politikën. Natyrisht që barra e përzgjedhjes së informacionit u bie atyre.

Në të gjitha deklaratat tuaja, përfshirë atë të pak ditëve më parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, theksoni se Berisha përdor emrin tuaj për interesat e tij politike. Çfarë keni parasysh konkretisht?

Sali Berisha e përdor emrin tonë për interesat e tij politike, jo vetëm sipas nesh, por sipas të gjithë atyre që kanë vullnet për të parë e dëgjuar dhe kujtesë për të kujtuar. Kujtoni dhe përpiquni të gjeni një fushatë të vetme elektorale që Saliu nuk ka përdorur emrin tonë, duke filluar që nga ajo e korrikut të vitit 1992, kur arrestoi babanë tonë e deri tek kjo e vitit 2011. Mund të gjeni disa ditë e deri pak muaj që nuk na ka përdoru publikisht, por nuk do gjeni fushatë elektorale që nuk na ka përdorur për qëllimet e tij. Të njëjtat përpjekje ka bërë edhe për të na ndëshkuar në të gjitha mënyrat për krimet e rënda që kanë ndodhur para e pas vitit 1996, deri tek më i fundit. Herë personalisht dhe herë duke nxitur bashkëpunëtorët e tij të afër, “pista” e parë për çdo krim të rëndë është “Hakmarrja për Drejtësi”. Lufta e tij nuk ka mbetur kurrë në kufijtë e “luftës” mediatike. Ajo ka pasur efekte të drejtpërdrejta mbi njerëzit e drejtësisë që janë marrë me çështjen tonë, që vazhdon të gjykohet. Ajo që bëjmë unë dhe im vëlla nuk i kalon kufijtë e një përgjigje modeste për akuzat e padrejta që na bëhen.

Z. Orik ç’ndjesi keni provuar kur në një moshë fare të vogël, 15 vjeç në mos gaboj, jeni akuzuar se ishit drejtuesi i një organizate kriminale me qëllime të pastra politike, siç është thënë?

Fillimisht jam çuditur, por isha shumë i ri dhe, për një kohë të shkurtër, vëmendja e tepruar e njerëzve, në një farë mase, ma përkëdhelte sedrën. Edhe kam qeshur shumë herë dhe për një kohë të gjatë. Shkak ka qenë përherë Gëzim Gjoni. Unë dhe Learti sa herë që komunikonim me Gëzimin qeshnim. Ai kishte mënyrën e vetë të talljes me “Hakmarrjen”, kishte zgjedhur dokrra nga ato që kishte botuar me shumicë gazeta “Albania”, dhe, me gjuhën e prefektit të komedisë së njohur, i përdorte befasisht gjatë bisedave. Por më vonë, pas muajt shkurt 2003, për ne u bë e qartë se “Hakmarrja” ishte rreziku ynë. Shpifjet, që dilnin si sokëllima nga goja e Saliut, ushqenin makinën e tmerrshme të propagandës që ende nuk është ndalur. Shpifës të shtatit të tij, shërbëtor shkurtabiq nga mendja dhe shpirti, por besnikë fanatikë, e deri teveqelë të korruptuar,të shpërblyer njëri me titullin akademik dhe tjetri me nofkën shkrimtar i madh që mëtojnë t’i përkasin bashkësisë së akademikëve, e kanë ushqyer pareshtur mitin e “Hakmarrjes” dhe njerëzit nuk kishin më kohë të arsyetonin mbi fakte reale dhe as për moshën 15 vjeçare të “themeluesit” të organizatë kriminale.

Tani që jeni 34 vjeç drejtoni ende organizatën?

Drejtoj biçikletën dhe rrallë makinën (druaj të bëj humor se keqkuptohem).

Para disa kohësh ju botuat një libër “Ne, ‘Hakmarrja për Drejtësi’ dhe …”. Keni harruar gjë në këtë libër që shumë shpejt u hoq nga qarkullimi?

E kemi thënë në libër se dorëshkrimi u kthye dy herë për t’u rishikuar. Kjo na dha kohë për të mos harruar ndonjë të vërtetë. Por sigurisht që kemi shmangur shumë fakte, të cilët nuk mund të përfshiheshin në një libër të vetëm. Më vjen keq që ka njerëz të interesuar për librin dhe nuk munden ta gjejnë. Mendoj se shkaku është tek vështirësitë në shpërndarje.

Ju keni insistuar se “Hakmarrja për Drejtësi” është një organizatë e sajuar nga Sali Berisha dhe strukturat e tij. Si ka mundësi që proceset gjyqësore janë realizuar dhe ju jeni shpallur fajtor kur në pushtet ishin socialistët?

Ne kemi insistuar se “Hakmarrja për Drejtësi” është sajuar nga Sali Berisha pasi u bindëm me fakte të pranuara nga gjykata. Qysh në fillim pamë se provat që iu dhanë publikut nëpërmjet televizionit nuk kishin të bënin me ne. Prandaj gjatë një viti kërkuam hetim nga prokuroria, pa i përjashtuar nga grupi hetimor prokurorët që e kishin nisur procesin. Kërkuam edhe hetim parlamentar për armët, kasafortën me një milion dollarë etj. Hetime nuk u kryen dhe as arsyet nuk u thanë. Çështja shkoi për gjykim. Para gjykatës u demaskua falsiteti i procesit. Në fund, prokuroria i deklaroi gjykatës se nuk kishte më prova për të paraqitur. Atëherë, gjykata i dha kohë të paraqiste pretencën.

Prokuroria nuk mbajti pretencë. Në kundërshtim me ligjin kërkoi tërheqjen e dosjes. Gjykata dëgjoi konkluzionet e mbrojtjes dhe vendosi pushimin e çështjes. Pas kësaj Saliu mori përsipër të prishte vendimin e gjykatës. Lexuesit tuaj dy ditë më parë u njohën me deklaratën tonë dhe i kanë të qarta ato që tha Saliu dhe ato që ndodhën. Pra, ne nuk u shpallëm fajtorë nga gjykata. Fajtorë na shpalli për të dytën herë Saliu. Qenia e socialistëve në pushtet nuk ka asnjë lidhje me vendimet e gjykatave. Shqiptarët nuk duhet të bëjnë sikur nuk e dinë që jetën politike në Shqipërinë e 21 viteve të fundit e ka sunduar një njeri i vetëm. Ky sundimtar është Sali Berisha. Ai i ka falur të gjithë ata që ka dashur të falë, pavarësisht nga përgjegjësitë që kanë pasur, si atëherë kur ka qenë në pushtet ashtu edhe kur ka qenë në opozitë.

Të njëjtin sukses ka pasur edhe për ata që ka dashur të dënojë, pavarësisht kanë qenë apo jo të fajshëm. Kjo është e verifikueshme. Nëse shqiptarët gënjejnë veten me ëndrrën e institucioneve të pavarura, në Evropë kjo shkakton të qeshura. Për shembull po jap vendimin që dha për çështjen tonë një treshe gjyqtarësh këtu në Zvicër. Me vendimin e tyre, të vitit 2004, shprehen: “Berisha ka në Shqipëri pushtet të konsiderueshëm…Edhe rrethana, që Sali Berisha nuk është i veshur përkohësisht me pushtet, nuk ndryshon gjë në këtë vlerësim”. Vendimi që citova është në dosjen gjyqësore.

Me gjithë këtë, Gjykata Kushtetuese ma kërkoi dhe unë ia dorëzova edhe asaj. Do ishte në interes të publikut që shtypi t’i botonte vendime të tilla. Kjo do t’u shërbente njerëzve. Me shërbim nuk duhet kuptuar dhënia e mundësisë për të zhvlerësuar propagandën që bëhet për të mbuluar dështimin e ekstradimit tonë, por për të kuptuar se azili mund të fitohet edhe pa shumë vështirësi, por kurrë nuk mund të fitojë azilin një person që akuzohet nga drejtësia e vendit të tij për akte terroriste, vrasje dhe vjedhje bankash. Për krime të tilla nuk pinë ujë zotësitë e avokatëve dhe të atyre që kërkojnë azil. Janë provat ato që vendosin. Dhe provat, e paraqitura nga shteti dhe kërkuesi, i nënshtrohen verifikimit. Me kapjen që Saliu u ka bërë institucioneve, filluar që nga qeverisja e tij e parë, ka gjasa që edhe kur të dalë nga politika do t’i ruaj mundësitë për të diktuar vullnetin e tij, veçanërisht në drejtësi.

 

Përgjatë këtyre viteve keni mësuar se si dhe pse u vra Enkeled Agaj. E mbani mend këtë djalë? Ka qenë dhe ai njëri prej 11 personave të akuzuar nga prokuroria, si anëtarë i organizatë së drejtuar nga ju?

Fatkeqësisht asgjë s’kam mësuar. Nuk kemi dëgjuar të bëhen hetime për të. Nuk kam fakte të them se hetimet për ngjarjen e tij janë penguar në mënyrë të qëllimshme, por sjellja e policisë dhe e prokurorisë dhe aludimet publike të Sali Berishës se vrasjen e tij e kishim bërë ne, më ndihmojnë të mendoj se ka munguar dëshira për hetime. Këto më bëjnë ta kujtoj edhe me më shumë dhimbje. Në libër u kemi kushtuar një kapitull njohjes me të dhe rrethanave në të cilat u vra.

 

Cila ka qenë marrëdhënia juaj me Dritan Haten, edhe ky një njeri i akuzuar dhe sot nuk jeton më?

Dritan Haten nuk e kam njohur. Më vjen keq që nuk jetuaka më. Ai ishte kunat me Nikolin Novruzajn, një nga të akuzuarit. Nikolini ka qenë shok gjimnazi i Altin (Arapit), kushëri yni. Me Nikolinin jam takuar disa herë, ndërsa me vëllanë e tij, Pashon, nuk kam pasur njohje. Për një kohë, kam menduar se mund ta kisha takuar në ndonjë rast, por kur kam parë fotografinë e tij në internet nuk më është dukur fytyrë e parë. Siç e kemi shpjeguar në libër, me vëllezërit Novruzaj ka arritur të komunikojë babai, disa ditë pasi ata kishin kërkuar azil në Holandë. Nga babai kemi mësuar për vështirësitë që kanë kaluar deri sa morën azilin dhe për jetën e tyre atje.

 

Disa prokurorë që kanë hetuar dosjen e “Hakmarrjes për Drejtësi”, kanë dhënë dorëheqjen. Po kështu asnjë prej personave që aso kohe, në vitet 92-96 kanë pasur dijeni për dosjen, sot nuk flasin. Përse kanë frikë njerëzit nga ju?

Kanë dhënë dorëheqjen? Kjo nuk duhet të jetë e vërtetë. E vërtetë është ikja fshehurazi nga Shqipëria e dy prokurorëve që kanë qenë nismëtarë të procesit. Dy muaj pasi iku i pari, u arratis edhe tjetri, pa dorëzuar detyrën. Rrethanat në të cilat ata janë larguarjanë dokumentuar në libër. Këta kanë për çfarë flasin dhe do ishte mirë të flisnin. Së paku, ata janë në dijeni se në apartamentin e marrë me qira nga shoku ynë, i ndjeri Enkeled Agaj, nuk ka pasur asnjë armë; se as çiftja ime, bashkë me lejen dhe as blloku i shënimeve dhe letrat e tjera nuk janë gjetur në apartament; se në kasafortën e Klement Kolanecit, e paraqitur si kasaforta e Aredin Shytit, nuk është gjetur asnjë dollar.

Ata nuk ishin leshko që të mos kërkonin gjurmë gishtash në armët, në minat dhe mbi objekte të tjera që ndodheshin në apartament, apo të mos kërkonin ekspertim për shkrimin e bllokut, që kishte përmbajtje antikushtetuese. Për rrjedhojë, nuk mund të mos kuptonin se njerëzit me pushtet po u jepnin atyre dhe opinionit prova false, si: magazina me armë ku nuk mungonin as kundërtanke, që dukeshin qartë se ishin filmuar brenda mjediseve ushtarake dhe jo në një apartament banimi; kasafortën me një milion dollarë brenda saj etj.

Shpresoj se ata do flasin një ditë dhe do sqarojnë edhe për atë që i urdhërojë, kundër vullnetit të tyre, të lirojnë të arrestuar për vrasje dhe për t’i transferuar akuzat tek ne. Dy prokurorët e larguar u zëvendësuan nga dy të tjerë. Këta, në fund të gjykimit (dhjetor 2002), në vend të pretencës, siç e përmenda më lart, i kërkuan gjykatës tërheqjen e dosjes se do t’i pushonin disa akuza dhe do pyesnin dy ish-oficerë që nuk kishin mundur t’i gjenin për t’i sjellë para saj (gjykatës). Janë këta të dy që e ridërguan çështjen për rigjykim dhe që e përfaqësuan akuzën deri në fund të procesit.

Nuk di nëse e kanë dhënë dorëheqjen pas përfundimit të gjykimit, por para se të dilte libri në qarkullim kam mësuar se të dy vazhdonin të punonin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Për sa u përket dy apo tre oficerëve të policisë gjyqësore që kanë lozur rolin e torturuesit në hetime, ata vazhdojnë të gëzojnë shëndet të plotë dhe grada të larta. Njërin prej tyre shefat e lartë e dëgjojnë si ekspert të “Hakmarrjes” dhe e ngarkojnë me detyra speciale. Këta kanë folur para Gjykatës gjatë gjykimit të dytë dhe nuk kanë pasur frikë për të gënjyer në dëmin tonë dhe as turp nga demaskimi që u kanë bërë me fakte avokatët dhe ndonjë nga anëtarët e trupit gjykues. Lexuesi le t’i përgjigjet vetë pyetjes: kur nuk na kanë frikë këta zullumqarë, përse duhet të kenë frikë të tjerët?

15. Z.Orik, megjithatë, sipas prokurorisë shqiptare, ju jeni lideri i një organizate të quajtur “Hakmarrja për Drejtësi”, në emër të së cilës u bashkëngjit edhe akuza e shpërthimit të një autobombe përballë ish-supermarketit Vefa, në Rrugën e Barrikadave si dhe përgjegjësia për 28 krime të kryera në Shqipëri nga vitet 92-96. Besoni se ndonjë ditë do të rrëzohen këto akuza?

Nuk e di me siguri shifrën, por afërsisht jam akuzuar për 17 vepra penale. Për mua nuk është i rëndësishëm numri, e rëndësishme është se provat, ku mbaheshin akuzat, janë rrëzuar. I kanë rrëzuar gjykatat. I ka rrëzuar gjykata e parë, i rrëzoi edhe gjykata e Krimeve të Rënda. Ndonjë lexuesi kjo mund t’i duket përçartje për të imituar Saliun e përçartur, por është e vërtetë. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë në vendimet e gjykatave.

E thënë thjeshtë, në këto vendime shkruhet se armët që kanë kryer krimet nuk janë tonat, platforma e “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë” nuk është shkruar nga ne, se oficerët e policisë që dëshmuan para gjykatës kanë gënjyer, se asnjë dëshmitarë, nga më shumë se 250 të pyetur, nuk ka thënë se ne jemi autorë të ndonjë krimi. Kush dyshon në këto që them le të lexojë vendimet e gjykatave. Si mund të ndodhë të dënohesh pa prova? Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri, se në Shqipëri Sali Berisha ka trimërinë të bëjë shpifje të tilla si të shpërmendurat e të tjera dhe kur, gjatë hetimit gjyqësor, të gjitha këto dalin bllof, opinioni nuk informohet.

Nuk informohet ngaqë media nuk e bën detyrën e saj, prandaj Saliu i përsëritë me dhjetëra herë të njëjtat shpifje. Vetëm në Shqipëri ndodh që Sali Berisha të përsërisë me dhjetëra herë se Edi Rama prishi zonën historike të Tiranës për t’i dhënë shesh ndërtimi “Hakmarrjes”. Mediat shumëfishonin shpifjen, por asnjë punonjës i saj nuk shkonte në Bashki të kërkonte të shihte dokumentet për të parë dhe informuar se kush ishte ndërtuesi.

Ndodhi që në pallatet “e ndërtuara” nga “Hakmarrja” bleu apartamente vajza e tij. Të gjithë e mësuan këtë fakt, por askush nga shtypi nuk e pyeti Saliun: a ia fali “Hakmarrja” apartamentet të bijës, ia shiti apo ishte partnere me anëtarët e saj? Në asnjë vend evropian nuk do ndodhte kjo indiferencë-gjëmë. Në Shqipëri ndodh se mediat janë kapur prej tij, prandaj ai vazhdon të sundojë, të shpif e kërcënojë rrugaçërisht.

 

Po të ishit përballë një gjykate të pavarur, çfarë do t’u thoshit shqiptarëve që për 15 vjet emrin tuaj e lidhin me krimet më të rënda të ndodhura në këtë vend, duke filluar nga vjedhjet e bankave e deri tek vendosja e bombës tek VEFA apo edhe vrasja e shoferit të ish-kryeprokurorit të përgjithshëm, Theodhori Sollaku?

Po të isha përballë një gjykate të pavarur do thosha shumë pak nga këto që kam thënë në këtë intervistë, sepse provat flasin vetë. Këtë e kam përjetuar para gjykatave të huaja, që nuk duan t’ia dinë fare se çfarë them unë, por ç’thonë provat. Do kisha shumë për të thënë po të isha para gjyqtarëve që kanë frikë nga përdhosjet që u bën Saliu apo që kanë dëshirë për t’i shërbyer qëllimit të tij.

Për shembull, do thosha: dëshmitarët x, y, z etj. dhe rojat e objektit thonë se shkëmbimi i zjarrit midis rojave dhe vjedhësve ka zgjatur gati 30’, janë zbrazur me dhjetëra plumba nga të dy palët, njëri nga vjedhësit është plagosur, ka rënë në tokë dhe shokët e tij e kanë mbartur në krah deri tek makina e tyre, sipas procesverbalit të këqyrjes së vendit prokuroria ka marrë mostër nga gjaku i vjedhësit të plagosur etj. rrethana, për të dalë tek pyetjet: cili nga ne të akuzuarit është i plagosuri, kujt nga ne i përket gjaku i marrë në vendngjarje, cili laborator e ka bërë analizën e gjakut dhe ku është akti i ekspertimit të gjakut? Natyrisht që s’më mbetet merak, ngaqë këto,dhe shumë të tjera të ngjashme me to, i ka thënë shumë më mirë avokati, z. Mani dhe kolegët e tij. Argumentet dhe pyetjet e tyre kanë mbetur pa përgjigje. Prokurorët ulin kokën, gjyqtarët bëjnë sikur nuk dëgjojnë, por fatmirësisht sekretarja i ka fiksuar në procesverbalet e seancave.

Tashmë që gjykata Kushtetueseju dha të drejtë kërkesës suaj duke e rikthyer edhe një herë çështjen në Gjykatën e Lartë, a u është rikthyer besimi tek drejtësia shqiptare?

Në deklaratën tonë për mediat kemi shprehur pendesën tonë për bindjen e gabuar që na qe krijuar se Gjykata Kushtetuese nuk do ta gjykonte çështjen. Por doli ndryshe. Nuk na lejohet ta përsërisim gabimin e paragjykimit. Drejtësia jonë nuk vuan nga mungesa e profesionalizmit, por nga korrupsioni. Në rastin tonë nga korruptimi me natyrë politike dhe nënshtrimi prej presionit politik.

Sipas Orik Shytit, përveçse njerëz të një gjaku dhe miq, cila është e vërteta e anëtarëve të akuzuar si pjesëmarrës së organizatë “Hakmarrja për Drejtësi”?

Nuk kam pse të veçoj njeri. Si “hakmarrës” janë arrestuar më shumë se 120 persona, brenda 15 ditëve, nga Shkodra gjer në Vlorë. Nuk dihet sa do kishte shkuar numri i tyre në qoftë se piramidat financiare nuk do ta zinin Saliun nën vete. Numri i atyre që njihja ishte shumë i paktë. Kisha shoqëri me Gëzim Gjonin, Kreshnik Spahiun dhe të ndjerin Enkeled. Nuk kam ditur dhe nuk ma ka marrë mendja as më vonë se ndonjëri nga këta ka kryer krime.

Në përfundim, legjendë apo realitet, çfarë është sot “Hakmarrja” sipas atij që është akuzuar si drejtues?

Tashmë pyetja nuk ka nevojë për përgjigje. Por mund të them se legjenda “Hakmarrja” do vazhdojë të përdoret që nga njerëzit e rrugës, që duan të bëjnë ndonjë lekë, e deri tek Saliu që i duhet për të mbyllur gojët e atyre që i rrezikojnë pushtetin dhe i kujtojnë krimet.

 

REGJISTROHUNI QE TE MUND TE POSTONI KOMENTE

Te nderuar lexues! Me poshte ju mund te perdorni mundesine te shpreheni rreth artikullit me komentet tuaja . Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e 24 ore Online.

Regjistrohu te komentosh feed Kommente (11 postuar)

avatar
gjovalini 12/11/2011 11:26:23
Ça do thote ky Sala tash e mbrapa? Tre vende europiane me drejtesi shekullore kane thane se nuk jane kriminela, se Sala i ka akuzue per qef te vete. Ne Shqiperi gjykohen dhe marrin pafjesine, por Sala nuk do dhe i gjykon si don vet. Gjykata me e madhe e Shqiperise thote se Sala i ka ba vete krimet.
Burri nuk mun te jete ma burre kur rren si dreci. Turproi edhe vajzen e vet Sala. Keshu del se Vajza e vet eshte ne “hakmarrje”. Turp Sal Berisha!
Une i them Sales: paguej demin qe ju ke shkaktu.
Kam lexu deklaraten e ketyne tek nje blog dje.
Turp Sale!
avatar
26/11/2011 17:16:53
Shko re mbushu ti,plehre,Ky eshte kriminel more dhe duhet varur.
avatar
Julian 26/11/2011 17:14:21
Ky eshte kriminel mo,dhe si kriminel duhet te denohet me vdekje.Plehra si ky dhe si babai i tij e kane demtuar ate popull ne vite,dhe akoma jetojne te lire.Kujt i shet ky keto pislleqe mo?pse akoma bar hane njerezit si ne kohen e plehres,babait te tij.Ku i ka gjetur tere keto para ky qe jetoka papune?Gjithe keto vite,ku i gjeti parate te paguaje avokatet?dhe na tregon ketu pislleqe se na qenka i pafajshem.Ato qe ke bere more ndyresire do ti paguash shume shpejt,se Zoti eshte i madh nuk harron.Shpirti si qen ka per te te dale.Cti besh shtetit Shqiptar qe nuk organizon Interpolin dhe ta qerojne atje ku eshte,se kujton ky plehra se nuk mund ta gjejne.Ndyresire,kriminel,duket qe nga surrati qe eshte kriminel.
avatar
elis 13/12/2011 02:25:12
ndoshta nuk eshte kriminel ku e dim ne?po te ishte e priste burgu dhe ate....po ne moshe 15 vjecare s'mund te akuzosh njeri si kriminel si thoni ju?ndoshta sali berisha e sheh si te pa deshiruar pun per te ,ky shtet qe kemi ne te shkel me dy kembe,shajne xhaxhin enver keta horra jane me keq se enver hoxha.
avatar
bledari 14/12/2011 05:10:43
Ky Juliani ta mbush menjen per dy gjera. E para nuk e ka lexuar fare intervisten. E dyta vlen per tu shpall sherlokhomesi i Sales.
Jo per Juliani qe i ditka te tana, por per ata qe dun me dite dicka me shume per kete "Hakmarrjen" po qes nje pjese prej deklarates qe keta botuen ne disa gazeta on line dhe te shtypuna, kater dite para se me dhene intervisten:

Deklaratë për Masmedian
Sot, më 07.11.2011, Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin për çështjen tonë, e njohur gjerësisht me emrin “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Gjykata, ndonëse nuk i ka pranuar të gjithë argumentet e parashtruar në kërkesë, njëzëri ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë...
Me qindra herë Sali Berisha ka deklaruar botërisht se ne kishim krijuar organizatën kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” dhe se, në zbatim të platformës së saj, kishim kryer dhjetëra krime. Gënjeshtrave dhe shpifjeve të tij u jemi përgjigjur me fakte. Në dosjen gjyqësore ndodhen të administruara dëshmi dhe të tjera prova, shkresore dhe shkencore, që faktojnë se Saliu është ati, nuni dhe pagëzori i “Hakmarrjes Shqiptare për Drejtësi”. ...

Gjykata Kushtetuese nuk mund ta rrëzonte kërkesën për arsye se nyjën nuk e mbanin të lidhur provat dhe ligji, por guximi i munguar i gjyqtarëve për t’u përballur me presionet poshtëruese e shkatërruese të Sali Berishës. Ende kundërmojnë ndotësitë e shpërndara nga goja e tij. Gënjeshtra dhe shpifje pa anë e fund për “Hakmarrjen”, për ne me emra të përveçëm, për lidhjet tona familjare, miqësore dhe shoqërore; fyerje, kërcënime, poshtërime të llojeve nga më të pamenduarat të adresuara botërisht për politikanë, gjyqtarë, prokurorë, për familjarë të tyre, për policë dhe funksionarë policie. Nga goja e tij “pikojnë çezma me helm të zi”, siç shprehet Dritëroi me vargje, çezma që kanë helmuar jetën tonë, të njerëzve të afërt, por edhe të shumë njerëzve të tjerë, me të cilët nuk na lidhte gjë dhe, njëherësh e shumë fortë, kanë helmuar Drejtësinë.
Pafajësia jonë ka qenë e ulur këmbëkryq në dokumentet e falsifikuara që prokuroria i ka paraqitur gjykatës. Gjykata e Shkallës së Parë e ka pasur të lehtë ta argumentonte pafajësinë, por e ka pasur shumë vështirë ta shprehte. Në të vërtetë e shprehu në shkurt të vitit 2003, por vendimi i saj jetoi pak muaj. Berishën e pushtoi tërbimi. Mesa u duk nga klithmat, që shprehnin trazime të thella, të kuptueshme e të pakuptueshme, nuk e kishte pritur që një gjykatë të gjente kurajë të deklaronte të pafajshëm ata që ai i kishte quajtur fajtorë për të gjitha krimet që kishin ndodhur gjatë sundimit të tij të parë. Gjyqtarët i shpalli anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Shefi i Akuzës ia shprehu besnikërinë flakë për flakë. Me zellin e shërbëtorit pa dinjitet personal dhe profesional, pa ngritur akuzë sipas ligjit, i shpalli gjyqtarët “frikacakë, që e kishin dhënë vendimin nën presion”.
Për të arritur qëllimet e tij, Berisha, ashtu siç nuk u ndal nga vendimi i gjykatës i muajit shkurt 2003, nuk u ndal as kur Gjykata e Lartë e Zvicrës u shpreh se “Hakmarrja” nuk ekzistonte, se: “Berisha inskenoi një shou politik fantazie me një grup terrori...”. Nuk u ndal as kur gjykata e Apelit në Belgjikë shprehu të njëjtën gjë, duke vënë në dukje përpjekjet e shërbëtorëve të tij: “për të instrumentalizuar policinë dhe drejtësinë belge...”. Nuk u ndal as pasi një Kolegj, me gjyqtarë nga më të respektuarit në Zvicër, u shpreh me vendim se: “i gjithë procesi është inskenuar nga klika e Berishës”. Nuk u ndal as kur një gjykatë tjetër në Holandë vendosi që vëllezërit Novruzaj të merreshin në mbrojtje nga shteti holandez, sepse përndiqeshin padrejtësisht nga Sali Berisha. Nuk u ndal as kur ekspertë të OSBE-së, që monitoruan procesin gjyqësor për dy vjet, në nëntor të vitit 2006 dhanë konkluzione si të porsa cituarat dhe theksuan se prokuroria nuk duhet ta kishte çuar çështjen për gjykim as në vitin 1998.
Saliu ka dhënë prova se qëllimi, për të cilin e sajoi “Hakmarrjen”, është shumë i rëndësishëm për të. Prandaj nuk ka të ngjarë të ndalet as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që, po ta shprehim me shifra, siç atij i pëlqente të shprehet për vendimet e Kolegjit Zgjedhor të këtij viti, është 9 me 0. Por jo për ta zbardhur, por për ta nxirë edhe më shumë shpirt-e-faqeziun.
Ndoshta sot a nesër, do t’u bëjë të njëjtën akuzë fyese edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; ndoshta, meqë ka nja dy vjet që përsërit gënjeshtrën se respekton Kushtetutën, institucionet e pavarura, posaçërisht vendimet e gjykatave, “në nderim të tyre” do t’i shtrëngojë dhëmbët dhe helm e vrer bashkë do t’i zbrazë në tjetër formë, jo botërisht.
Sido që të shfaqet në skenë dhe çfarëdo që të kurdisë në prapaskenë, vendimi është dhe do të mbetet i rëndësishëm. I rëndësishëm, por jo se po na shpëton nga vuajtjet e burgut që Saliu na caktoi, sepse prej kohësh drejtësia e disa vendeve evropiane na ka marrë në mbrojtje, përkundër ulërimave të tij, kinse prej luftëtari për drejtësi, kundër “organizatës kriminale më të rrezikshme të Evropës”. Ulërima që transkriptoheshin dhe mbërrinin me shpejtësi në gjithë shtetet e Evropës në rrugë policore, diplomatike dhe mediatike. Ç’ironi! Evropa mbron një grup shqiptarësh edhe pse sundimtari i shtetit të tyre i thotë me ngulm se është e rrezikuar, ngaqë ata janë terroristë, vrasës dhe vjedhës! Fatkeqësisht në Tiranë mungojnë gojët për ta shprehur habinë, qoftë edhe duke i drejtuar pyetjen e pafajshme: kaq e rrjedhur qenka Evropa sa beson kriminelët dhe jo ty, të parin e Shqipërisë?
Rëndësia e vendimit nuk ka të bëjë me të ndierit tonë fitues dhe të gëzuar. Nuk ndihemi fitues. Nuk u ndiem të tillë as në vitin 2003, kur u dha vendimi i parë i pafajësisë. Kemi humbur shumëçka përgjatë 15-20 viteve dhe nuk mund të ndihmi fitues. Çdo njeri i arsyeshëm e kupton se sa e pamundur është të ndihesh fitimtar apo i gëzuar në këto kushte. Beteja e këtyre viteve ka pasur një fitues. Ai ka qenë Sali Berisha, që, edhe kur dështon kështu, në mënyrë të turpshme, i krekosur për t’u dukur me doemos ngadhënjimtar, ngre në hava “trofeun” e një beteje tjetër, gjithashtu të humbur. ....

Vendimi e zhvlerëson edhe juridikisht investimin shumëvjeçar që Berisha bëri për të ngritur në mit një organizatë kriminale që nuk ka ekzistuar kurrë. Ajo u ngjiz në mendjen e tij dhe, më pas, u formësua në dokumente të falsifikuara për t’u përdorur kundër nesh dhe kundër kujtdo që nuk pranonte t’i nënshtrohej ose që duhej të poshtërohej.
Leart Shyti
Orik Shyti
avatar
BEN Q 17/12/2011 10:38:07
he mor orik se edhe ju nuk jeni kaq te paster sa dukeni qe nga babai juaj deri tek ju te fundit ! Por po te ishit me gjithe mend hallexhinj si po hiqeni shkoni edhe e mbani fort ate vendin e azilit edhe mos jepni deklarata per shtyp sikur jeni te perndjekurit e shekullit. Ju njofin mire edhe ne Belgjike edhe Zvicer por ju jeni me fat qe nuk jeni ndaluar nga drejtesia shqiptare se ajo ndoshta do ju vinte hakut ,sa per sal rame berishen une s'kam asnji simpati por edhe njerez si ju qe vene bomba neper supermarkete duhen izoluar .

BeN Q
avatar
A 29/12/2011 09:38:51
Tritol, thika me helm, arme etj etj. Keto tha S. Berisha per 21 Janarin 2011.
A ka njeri qe i beson akoma keto perralla????.
Une nuk injoh fare vellezerit Shyti por respektoj drejtesine e vendeve qe shqyrtuan rastin e tyre. Une nuk kam asistuar ne asnje gjyq shqiptar por eshte e njejta gje si ne te ashtuquajturin gjyqi Meta-Prifti ku na dalka qe video qenka e fallsifikuar (a thua ka shqiptar qe e beson kete!!!!!?????). Pastaj mosha e ketyre djemve ne vitet kur doli ne skene "Hakmarrja per Drejtesi" etj etj probleme. Dhe ti Julian djali mos ofendo njerez duke i thirrur plehra apo duke kerkuar egzekutimin e tyre ne menyrat alla Al Kaeda. Ti duket qe me se paku je budalla dhe me se shumti nje kriminel i vertete por perseri budalla.
avatar
vlonjati 01/01/2012 09:55:09
Jko eshte e dyta here qe o po ju shkruaj,ndersa ju nuk e botoni komentin tim.Kjo do thote se po mbroni nje kriminel qe ka suratin si Cavezi i Venecueles.Si eshte e mundur qe nje kriminel nga babai te veje bomba ne shtetin ligjor te Shqiperise demokratikeqe populli i ka dhene voten e lire,e ju te jeni ende ne liri ne nje shtete qe shtiret se eshte teper demokratik.Dihet kush ishte Dick Marti,Parlamentar nga Zvicrra dhe Karla Del Ponte ish Kryetare e Gjykates se Hages,tani Ambasadore e Zvicrres ne Argjentine.Keta te dy kane rrene dhe shpife duke u paguar shume mire nga regjimi i Milosheviqit,se gjeja luftetaret dhe mbrojtesit e lirise se Kosoves,kane transplatuar neper melet e Kosoves dhe Shqiperise organe te njerrezve te piste serbe.Cka eshte konstatuar disa here nga ish UNMIKU si humor i personave psikopat,Ja kjo eshte demokracia zvicrrane dhe paftyresia e prokurorise shqiptare qe nuk e kerkon ugjentisht kete fare kriminel Shyti dhe ta denoje sipas ligjeve me te rrepta shqiptare dhe Europiane.Ju lutem staf i nderuar i 24 ore,botojeni kete koment.Faleminderit.
avatar
hysni 06/01/2012 13:52:41
Jo mo Juljan kush te tha qe ha bar, ti dukesh qe ha tjeter gje. Si duket qenke ngopur mire ne guzhinen apo h.... e Saliut e Fariut MO. Ne kete interviste mesojme se kete djalin e kane akuzuar qe femije se paska drejtuar nje organizate me ushtare me te medhenj se ai dhe te tjera cudira. Gjykatat e huaja i kane vleresuar provat e prokurorise dhe e paskan lene te lire. Gjykata kshteuese paska vendosur ne favor te tij.Ti nga e nxore qe eshte kriminel MO?
Saliu vete paska thene qe ky ka ndertuar pallate ne tirane. Ne keto pallate ka blere edhe e bija ambiente. Genjen Saliu apo e bija ben biznes me kriminele?
Keshtu pyet veten MO kur te lexosh dhe mos na jep direktiva si Saliu.
avatar
bledari 08/01/2012 12:31:18
Sa i mjere eshte ky Juliani, sapo i jepet keshilla te lexoi pastaj te komentoje, ai serish nuk lexon, por komenton here si vlonjati e here si b...
Mjerimi i ketyre tipave eshte i skajshem, se nuk kuptojne qe serveri i faqes shenon jo vetem vendin nga dergohet komenti, por edhe numrin e kompjuterit. Nje tip i tille nuk ka as minimumin e kultures gjuhesore, nese do ta kishte do te kuptonte se cilido qe ka marre nje arsim normal e dallon autorin e shkrimit nga fjalori dhe sintaksa.
avatar
Hektor 10/01/2012 14:20:29
Intervista ishte korrekte dhe informuese per mendimin tim. Ne te meson shume per gjendjen e mjere te drejtesise dhe varesine politike te saj ne Shqiperi. Politikane te njohur per papergjegjshmeri, shpifin aq shume sa dikur me shpifjet dhe genjeshtrat e tyre demtojne edhe vetveten e familjen e tyre. Keta politikane nuk pendohen ne Shqiperi sepse opinionit ende nuk i ben shume pershtypje dhe e pranon pa shume kokecarje genjeshtren. Cudi te bejne disa komentues (mund te jete i njejti) qe i lejojne vetes qe jo vetem te kercenojne e ofendojne te intervistuarin, por edhe te japin "urdhezime" per organet e drejtesise shqiptare e madje edhe per ato te huaja. Ky i mesipermi dyshon edhe per demokracine zvicerane! Pastaj ankohet se redaksia nuk boton ato qe shkruan. Nderkohe qe redaksia e ka vene qe ne krye njoftimin se nuk do te botoje komente qe permbajne fyerje.
gjithsej: 9 | shfaqur: 1 - 9

Posto komentin tuaj

  • Te zeza
  • Kursive
  • E nenvizuar
  • Citim

U lutemi shkruani germat qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Dergoje tek nje mik Dergoje tek nje mik
  • Print version Print version
  • Tekst i thjeshte Tekst i thjeshte

Vleresoje kete artikull

3.00
Powered by 24-ore.com
Powered by 24-ore.com