Sporti

Kampionët e Botës pushtojnë merkaton

Gjermania-fitimtare-320x212Futbollistët e Gjermanisë janë “mbretërit” e botës, jo vetëm për titullin e fituar në Brazil 2014, por edhe për faktin se janë kthyer në epiqendrën e merkatos së futbollistëve në Europë. Kros, Khedira, Ginter, Kramer apo edhe Mustafi janë disa lojtarë që në ditët në vazhdim do të firmosin kontratat me klubet e reja.

Emri kryesor i merkatos është padyshim ai i Toni Kros, i cili dje ka konfirmuar për mediat spanjolle se është pranë firmës me Real Madridin. “Nesër ose pasnesër do të nënshkruaj kontratën e re”, tha lojtari, i kontaktuar nga gazetarët e “AS” në Majorka, ku gjendet për pushime. Bajern do të përfitojë 25 milionë euro për futbollistin, aq sa ka të shkruar në klauzolën e largimit të tij, një shifër shumë e ulët po të marrësh parasysh se është vetëm 24 vjeç dhe cilësohet si një nga mesfushorët më të mirë në qarkullim.

Vendin në formacion te Reali atij do ia lëshojë një tjetër protagonist i Gjermanisë kampione, Sami Khedira, i cili pritet të firmosë në Angli. Klubi spanjoll ka një akord parimor prej 20 milionë eurosh me Arsenalin për transferimin e tij, por në orët e fundit është folur për një interesim në rritje të Çelsit, që mund të hapë një ankand interesant për këtë lojtar.

Nuk janë vetëm emrat e njohur ata që janë në lëvizje, pasi pritet që edhe të rinjtë protagonistë të këtij Botërori të lëvizin drejt klubeve më të njohura. Mesfushori Kristof Kramer ka tërhequr interesimin e Napolit, që është gati të ulet në tavolinën e bisedimeve me Borusia Mynshengladbah për të marrë këtë futbollist mjaft interesant që luan si mesfushor me tipare mbrojtëse. Napoli ofron 7 milionë euro, por klubi gjerman kërkon dyfishin, me negociatat që pritet të zgjatin për të paktën dy javë. Edhe Matias Ginter do të ndryshojë skuadër gjatë verës, pasi tashmë Borusia Dortmund është gati të investojë rreth 12 milionë euro për të marrë nga Fraiburgu këtë mbrojtës 20-vjeçar që tregoi se mund të luajë mjaft mirë në nivele të larta.

Një Kampion Bote për të cilin kanë ardhur disa oferta gjatë këtyre ditëve është edhe Shkodran Mustafi, të cilin Sampdoria është gati ta shesë nëse arrin një ofertë prej rreth 10-12 milionë eurosh. Juventusi ka shprehur interesim për 22-vjeçarin, por tani klubi bardhezi pret edhe opinionin e Alegrit para se të bëjë një ofertë zyrtare. Oferta mund të vijnë shumë shpejt nga Gjermania, me Bajer Leverkusen dhe Shalken, që e shohin qendërmbrojtësin si një përforcim cilësor, të gatshme për të investuar rreth 7 milionë euro për kartonin e tij.

Situata më e çuditshme e merkatos i përket Tomas Myler dhe Mario Gëtce. Të kërkuar nga të gjitha klubet e njohura europiane, të dy lojtarët nuk do të lëvizin nga Bajern Mynih, edhe pse aty për momentin nuk e kanë të sigurt vendin në formacionin titullar. Dy lojtarët ofensivë nuk kanë vend në tredhëmbëshin e përparuar të bavarezëve, ku Guardiola preferon të luajë me Riberi, Roben dhe Levandovski si titullarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button