Opinion

Kanuni i Lek Hashashit

AHMET DURSUN

ahmet dursunKy kanun ua kalon edhe ligjeve të Zotit!

Mendo, kanuni i fesë më të vjetër abrahamite, trajton veçse 10 sëmundje… i yni 170!

Edhe shejtanin e lamë pa punë!

Unë për vete, e ndieja në tym e sipër se do ta arrija këtë ditë! Erdhi, e pashë, ia dolëm!

Ia futëm Perëndimit! Madje edhe perëndimit të perëndimit!

Si farat e zeza në shkallët e stadiumit duken tashmë mendimet e dijetarëve në mijëra vite… miliona libra, miliarda thënie, krejt kot.

E more vesh? Falimentoi Forbes-i sapo dëgjoi Kanunin e Lek Hashashit! FMN u gjunjëzua, veçse pastrueset kanë ngel në ndërtesën e Bankës Botërore!

Shkencëtarët, hulumtuesit, laborantët u kthyen në shtëpi për t’i shkulur flokët që u thinjën gjatë përpjekjeve për të na kuruar!

Pse vetëm ata neve?! Ua futëm të tërëve!

Gjigante!

Hirësia, me një butësi të pashoqe në Ballkan preu shiritin e një epoke oksimorone të rendit të ri… demokraci “përfaqësuese”, media “e pavarur”, fjala “e lirë”! Kurim përmes halucinacioneve!

Robtë ku t’i kenë, po s’ia dhanë çmimin Nobel! (Ndjesë! S’i shpëtoj dot, jam ballkanas fundja).

“Hashashi kuron 170 shqetësime, duhet ta ligjërojmë”- tha!

Kaq!

Hirësitë nuk flasin gjatë kështu si ne…

Gjeniale!

Ashtu sikurse kuroi 150 taksa të dëmshme për biznesin, tani radhën e kemi ne.

Si pas hallit dermani!

Sipas mallit dermani!

Je dorëlëshuar p.sh., të duhet tymosje prej Gjirokastre… dhe ja ku u kurove!

I mërzitur, pa humor… ja ku e ke bahçallëkun e Shkodrës… mbështillja!

Nuk paguan dot dritat, thith barin e Kukësit, Hasit, Tropojës… lërua veten vërshimeve!

Nëse nuk të janë kthyer pronat e gjyshit, mbill ca rrënjë në kodrat e liqenit!

Për punë në administratë… mall verilindor!

Të kalben patatet, domatet, mollët, trangujt?! Shpo tri vrima në to. Njërën mbushe me këtë bimë “mjekësore”, ndize. Në të dytën vëri buzët. Të tretën mbaje me gisht! Thithe, të ndiesh kënaqësi…

Por ama…

Do drejtësi, rend, punë, dinjitet, siguri, etikë, përkatësi, begati, lumturi? Shpo tri vrima, jo më në kalbësira! Njërën në kokë dhe mbushe me mend. Në të dytën, vër një sy që më në fund të shohësh… dhe të tretën bëji një vrimë gojës që të flasësh ndërsa je gjallë!

Asnjë popull nuk ka lindur të turpërohet! Aq më pak i juaji, që është i imi…

Ma beso, është e mundur…

Ende!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button