Opinion

Karikaturë e bukur elektorale

Nga Aleksandër Çipa

Fushata elektorale që po mbyllet në këtë fundjavë riktheu forcën e iluzionit të njohur alla elektoral për Shqipërinë. Kjo fushatë u pasqyrua nga mediat, sipas metodës së re të vetëraportimit nga stafet elektorale dhe nga selitë partiake. Media e re iu nënshtrua në shumicën e rasteve raportimit të porositur dhe atij fragmentar, duke dhënë provat se si telefoni mund të zëvendësojë lehtësisht reporterin. Në pamje të parë, kjo është çështje e problemit që ka “pasqyra e fushatës”, domethënë media. Ndërkohë që duhet thënë se ky është problemi serioz që ekspozon kaq keq të ashtuquajturin “pushteti më shumë se një pushtet-media”. Gazetarët kanë qenë në punë, por jo në raportim. Në këtë brendi dhe përmes këtij realiteti, kjo fushatë e zhbëri edhe më shumë rolin raportues të medias dhe të gazetarëve. Sikundër duhet thënë se kjo fushatë, për ta bërë edhe më të plotë sfidën e vet ndaj pushtetit tonë, përfshiu dy çështjet më të bujshme: “çështjen Beketi” (raportin e gjendjes kritike të krijuar me televizionin “Agon Channel”) dhe gjatë ditës së djeshme, një pasazh të regjistruar, por ende të pakonfirmuar zyrtarisht, të një pohimi që kandidati i majtë për kryebashkiak në Elbasan, zoti Sejdini, ka bërë para gazetarëve lokalë. Ky publikim i djeshëm i nxjerr shumë më zbuluar e poshtërueshëm gazetarët dhe aq më tepër pronarët e mediave, nëse vërtetohet autenticiteti i videos. Mjaftojnë këto dy detaje për të pasur një kampion shqetësues për situatën dhe integritetin raportues të gazetarëve në mediat klasike dhe pse jo, edhe në mediat e reja të vendit. Duke mos përjashtuar efektin dhe ndikimin e njohur që episode të tilla kanë në fushata dhe që lidhen me mediat dhe gazetarët e ndarë në formacionin klasik pro dhe kundër, mund të themi se marrëdhënia e mediave dhe e komunitetit të reporterëve, mbetet ajo karikaturë e bukur e tranzicionit që ka lidhje me një shoqëri të shëmtuar, informale dhe kaotike gjer në pandreqshmëri.

Por kjo është një brendi e karikaturës së bukur. Të tjera edhe më shkëlqyese ka tabloja karikatureske e kësaj fushate. Autorja dhe aktorja më e suksesshme e kësaj tabloje e skene njëkohësisht, mbetet politika. Gjatë orëve të fundit, partitë politike kanë nisur të shpërndajnë foto me persona të shënuar, të cilët për shkak se janë prezent në tubimet zgjedhore të kandidatëve, denoncohen për të dëshmuar kriminalizimin e kandidatëve dhe të mbështetësve të tyre. Ose më saktë lidhjen kriminale që kandidatët kanë me personat e inkriminuar. Vini re sa diabolike është diçka e tillë. Kësaj i thonë ta heqësh gishtin nga lojtari dhe të shënjosh tifozin! Është hapur një manovër për ta bërë qesharake kauzën e dekriminalizimit ose procesin e premtuar dhe të pakryer në këtë fushatë.

Por kjo skenë mbart edhe shumë e shumë aspekte të tjera të vlefshme si brendi karikature. Projektet që premtojnë kandidatët janë në jo pak raste utopikë, të ngjashëm me mosrealizimet më të bujshme të së shkuarës. Udhëtimet e kandidatëve nëpër zonat rurale të Tiranës dhe qyteteve të tjera janë një komedi e re postmoderne e kësaj fushate, të cilën do ta dëshironin ta kishin imagjinatë të tyre edhe komedianët më të talentuar të shekullit XIX. Ka më tepër se dhjetë ditë që Parlamenti i vendit, opozita dhe krerë të LSI-së kanë mbajtur në fokus fushatën që zhvillohet për Bashkinë e Vorës. E gjithë skena e kësaj beteje të shtyn në qeshje, por edhe të trishton me paskuintën e vet. Pse Vora po bëka kaq shumë bujë në ballafaqimin elektoral? Si ka mundësi që bashkia ndanë kryeqytetit të bëhet më e rëndësishme se debati për metropolin? Çfarë fshihet pas dhe brenda Vorës? Nuk është e vështirë të mendohet se brenda territorit administrativ të kësaj bashkie do të kemi në vitet e ardhshme një instalim të qendrave infrastrukturore si stacionet hekurudhore, doganat, bazat grosiste të biznesit etj., etj. Është e qartë se po bëhet një betejë për “minierën mbitokësore” të Vorës. Kjo është arsyeja reale dhe nuk është konkurrimi i dy palëve me një projekt të ri zhvillues për Vorën. Çdo pohim apo deklaratë e aktorëve konkurrues në këtë njësi vendore, nuk ka lidhje me kontrastin klasik se “këto premtoj unë dhe ato ju”. Përballja agresive e stafeve elektorale dhe e kandidatëve të lë shijen e betejave agresive me “të fortët” e me të pathyeshmit, sikundër ndodhte në periudhat e zymta të fushatave me konflikte dhe sherre. Brenditë e tjera të shëmtuara dhe negative të kësaj fushate kanë lidhje me transparencën e pakryer dhe me rekrutimet e pabujshme të “të fortëve”, qoftë ata që janë kthyer nga mërgimi, qoftë ata që janë rikthyer në vendin e tyre të “krimit” të përsëritur. Qëndrimi dhe reagimet akuzuese të partive dhe udhëheqësve të “rëndë” nuk bëjnë gjë tjetër, veçse rrënjosin imazhin e fushatave që kanë nevojë për forcë e për dhunë e nuk pranojnë verdiktin e votës së lirë të sovranit. Regjisorët e kësaj karikature të njohur, janë të vetmit përfitues prej kësi fushatash të kushtueshme që e rikonfirmojnë shëmtinë e shoqërisë sonë edhe në aktin e zgjedhjeve pa demokraci e pastërti vote, siç po duken këto të 21 qershorit të sivjetshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button