Kosova

Kosova: Korrupsioni krijon kushtet për trafik njerëzor

Në raportin e Departamentit të Shtetit për trafikun njerëzor për këtë vit, Kosova klasifikohet si edhe një vit më parë, në shkallën e dytë, në një sistem me tre shkallë.

Kosova, thuhet në raport, është një vend burim dhe destinacion për trafikimin e qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar.

Shumica e viktimave të trakikut seksual në Kosovë janë vajza, megjithëse grupet kriminale në Kosovë, detyrojnë edhe femra nga Shqipëria, Serbia, Rumania dhe vende të tjera evropiane për prostitucion.

Gratë dhe vajzat i nënshtrohen trafikimit seksual në shtëpitë private dhe apartamente, klube nate dhe sallone masazhi.

Trafikantët u premtojnë punësim femrave si valltare apo këngëtare në restorante por i detyrojnë viktimat të trafikohen seksualisht.

Fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinjë detyrohen të dalin në rrugë dhe të lypin brenda vendit. Trafikantët i bëjnë qytetarët e Kosovës subjekt i prostitucionit dhe punës së detyruar në gjithë Evropën.

Korrupsioni qeveritar krijon kushtet që mundësojnë disa lloj krimesh trafikimi. Disa oficerë policie, zyrtarë të ministrisë së punës dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë janë akuzuar ose dënuar për krime trafikimi.

Qeveria e Kosovës nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikut, thuhet në raport por gjithsesi po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë dhe për këto arsye është në grupin e vendeve të shkallës së dytë

Qeveria e rriti numrin e rasteve të shpalljeve fajtorë për trafikime, por dënimet që u dhanë ishin të buta dhe qeveria ndoqi penalisht më pak të dyshuar për trafik. Qeveria i rriti fondet për mbrojtjen e viktimave po nuk arriti të krijojë një fond për kompensimin e viktimave që parashikohet nga ligji dhe në raport sugjerohet që ligji për mbrojtjen e viktimave të zbatohet plotësisht, përfshirë fondin për kompensim.

Qeveria ka identifikuar më pak viktima krahasuar me periudhën që përfshinte raporti i mëparshëm.

Departamenti i Shtetit bën thirrje që Kosova të hetojë, ndjekë penalisht dhe të dënojë me forcë trafikantët, përfshirë zyrtarë të implikuar.

Në raport sugjerohet që të mbahen kurse kualifikimi anti-trafikim për gjykatësit, prokurorët dhe organet e rendit, të intensifikohen përpjekjet për të identifikuar dhe ndihmuar fëmijët që detyrohen të lypin.

Po ashtu mes rekomandimeve bëhet thirrje që t’u krijohet mundësia viktimave të trafikimit që të shkojnë në strehat e sigurta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button