Kronika

Krimet e Rënda, “arrest me burg” për Alban Alikon. Seanca u shty deri në ardhjen e një psikologu

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për njërin prej vëllezërve Aliko, më të voglin Alban, të dyshuar si pjesëmarrës në grupin e zjarrit që shkaktoi vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Seanca gjyqësore nisi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, por është ndërprerë përkohësisht, për shkak të moshës së mitur të të pandehurit. Alban Aliko është vetëm 17 vjeç dhe, për këtë arsye, përpara sesa t’i komunikohej masa e sigurisë, avokati mbrojtës ka kërkuar një psikolog, për ta rinisur seancën në një moment të dytë.

Avokati Neshat Fana i dy vëllezërve Aliko, pas dhënies së masës së sigurisë, deklaroi se, provat e paraqitura nga Prokuroria nuk vërtetojnë aspak autorësinë e vëllezërve Aliko në vrasjen e efektivit Basha. Sipas tij, të dyshuar për atë vrasje janë me dhjetëra persona.

Ndërkohë, po sot pritet të dalë para gjyqtarëve edhe vëllai i madh i tij, Arbion Aliko, për t’u përballur jo vetëm me akuzën e vrasjes së efektivit të RENEA-s, por edhe akuza të tjera si armëmbajtja pa leje.

Dy vëllezërit u arrestuan mbrëmjen e vonë të së shtunës, teksa u rrethuan pranë urës së Kardhiqit në Gjirokastër, pas një operacioni të gjatë të forcave speciale, të ndihmuar edhe nga një helikopter i ushtrisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button