Politika

Kuvend, bllokohet ligji për Policinë, LSI del kundër Byrosë dhe shkrirjes së Gardës

parlamenti-320x207Spartak Braho – “Ne jemi juristë, nuk tallemi as me veten e popullin; nuk mund të na përdorë ne kushdo qoftë në interes të karrierës së tij profesionale, axhendës së tij politike. Mua më nxihet faqja që të bëhem këtu dhe në Parlament, bashkëfajtor”Fatmir Xhafaj – “Atje ku çmojmë se ka pika për më shumë reflektim, besojmë se do të kemi si dhe herë të tjera, disponibilitetin e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme e ta kalojmë për ta gjykuar në një ditë tjetër”

Ermonela Felaj – “Nuk e kam për mungesë modestie, por kemi kaluar orë të tëra mbi këtë projekt. Do të lutesha që secili nga kolegët ta respektonte së paku këtë punë. Sigurisht, që mund të kemi mendime të ndryshme”

Pandeli Majko – “Sa i përket krijimit të Këshillit të Politikave, kjo strukturë  më shumë duket si strukturë fiktive dhe shërben sa për të futur njerëz të panevojshëm në punë edhe kaq”, tha deputeti socialist.

Bashkim Fino – Teksa diskutimi nen për nen për projektligjin e policisë do të vijojë, Komisioni, më herët miratoi projektligjin për funksionimin e Gjykatave Administrative, të cilin socialisti Bashkim Fino e abstenoi.

Reforma – Debate në Komisionin e Ligjeve. Kontestohen disa nene. Në pikëpyetje votimi brenda këtij sesioni

NGA HERION MESI

parlamentiBllokohet në Kuvend projektligji “Për Policinë e Shtetit”. Debatet brenda mazhorancës, mes PS-së dhe LSI-së për draftin e paraqitur nga qeveria konkretisht për Byronë e Hetimit dhe Gardën e Republikës po rrezikojnë votimin e nismës brenda këtij sesioni parlamentar. Qeverisë i ka mbetur dhe një seancë parlamentare, ajo e 31 korrikut për të votuar projektin për Policinë e Shtetit. Aleati kryesor i PS-së, LSI-ja ka dalë haptazi kundër shkrirjes së Gardës së Republikës, ndërsa ka rezerva të konsiderueshme mbi mënyrën se si do të funksionojë Byroja e Hetimit. Debatet e ashpra u zhvilluan dje pasdite në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku pati dhe momente të braktisjes së mbledhjes së deputetëve të LSI-së, si Spartak Braho, Silva Caka dhe Petrit Vasili.

Mbledhja

Gjithçka do të niste me kërkesën e deputetit Spartak Braho ku në emër të LSI-së kërkoi që të hiqen nenet, të cilat parashikojnë kalimin e Gardës në varësi të Ministrisë së Brendshme, duke u shndërruar më pas në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve, si dhe krijimin e Byrosë së Hetimit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme. Sipas projektit të qeverisë, kjo byro do të zhvillojë hetime të pavarura nga prokuroria. Dhe për këtë arsye, Braho kërkoi që t’i liheshin mënjanë nga diskutimi i ligjit në tërësi, me argumentimin se këto nene është vendosur nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare ku Braho është dhe kryetar, që të diskutohen me prezencën e ministrit Tahiri, përpara se të kalohet në draftin përfundimtar, që do t’i kalojë Kuvendit për miratim. Në komentin e tij, Braho u shpreh mjaft i revoltuar, duke e cilësuar draftin për rikonceptimin e SHKB-së, “një vërrë në ujë”. “Kërkojmë që të dalë jashtë rendit të ditës Byroja Kombëtare dhe Garda. Kështu siç është konceptuar Byroja Kombëtare e Hetimit, është një vërrë në ujë. Ne jemi juristë, nuk tallemi as me veten, as me popullin; nuk mund të na përdorë ne kushdoqoftë në interes të karrierës së tij profesionale, axhendës së tij politike. Mua më nxihet faqja që të bëhem këtu dhe në Parlament, bashkëfajtor”, u shpreh Braho. Ndërsa është dashur ndërhyrja e kryetarit të Komisionit, Fatmir Xhafaj, që situata e krijuar në sallë të shtensionohej, duke pranuar diskutimin e këtyre dy çështjeve në një mbledhje tjetër. Deputeti i PS-së theksoi se ky proces nuk duhet të bllokohet, por këto dy çështje Xhafaj bëri me dije se është rënë dakord që këto të mos diskutohen në mbledhjen e djeshme. “Ne nuk mund ta pengojmë të gjithë procesin. Atje ku çmojmë se ka pika për më shumë reflektim, besojmë se do të kemi si dhe herë të tjera, disponibilitetin e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme e ta kalojmë për ta gjykuar në një ditë tjetër”, tha Xhafaj. Ndërsa, relatorja e projektligjit, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, kërkoi të respektohej puna e ekspertëve. “Nuk e kam për mungesë modestie, por kemi kaluar orë të tëra mbi këtë projekt. Kështu që do të lutesha që secili nga kolegët ta respektonte së paku këtë punë. Sigurisht, që mund të kemi mendime të ndryshme”, tha Felaj, duke detyruar Brahon të replikojë sërish. “Shikojeni me kujdes!”, tha Braho dhe u largua nga komisioni për disa minuta, për t’iu rikthyer më pas diskutimeve të neneve të tjera të projektligjit nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, së bashku me deputetët e tjerë të LSI-së, Petrit Vasili dhe Silva Caka.

Nenet e rrëzuara

Për arsye se debatet për heqjen e dy neneve nga projektligji morën një kohë të konsiderueshme, Komisioni i Ligjeve nuk arriti që të miratonte të gjitha nenet e draftit të Ministrisë së Brendshme, dhe në mbledhjen e djeshme u diskutuan vetëm 47 nga 145 nene që ka projektligji për Policinë e Shtetit. Dhe për vijimin e shqyrtimit të tyre, Komisioni vendosi që ato të diskutohen në një ditë tjetër. Ndërkohë, lidhur me krijimin e Shkollës së Policisë, Komisioni u shpreh kundër idesë së propozuar nga qeveria, që kjo shkollë, apo Akademi, të jetë në kompetencat e Policisë, pasi sipas deputetëve socialistë, me këtë Policia merr kompetencat e Ministrisë së Arsimit. “Çfarë shkollimi do kenë oficerët, ky draft nuk na e tregon e mban të fshehur”, theksoi Braho duke iu referuar ministrit. Pas kësaj vërejtjeje, komisioni vendosi që ministria duhet ta rishikojë nenin përkatës së bashku me Ministrinë e Arsimit. Gjithashtu, kundërshtime pati edhe çështja e largimit përfundimtar nga Policia nëse largohesh për shkak të reformës dhe punonjësi i policisë nuk rikthehet në detyrë, apo kur ai kalon në trajtimin me pension suplementar për një periudhë prej 2 vjetësh. Sërish deputetët e LSI-së nuk ishin dakord më këtë parashikim në ligjin e ri, ku deputeti Braho propozoi që ky afat të jetë minimalisht 3 vjet ose më shumë. Ndërsa, deputeti socialist, Pandeli Majko, shprehu qëndrimin e tij kundër ngritjes së Këshillit të Politikave. “Kjo më shumë duket si strukturë fiktive dhe shërben sa për të futur njerëz të panevojshëm në pune edhe kaq”, u shpreh Majko.

Socialistët

Edhe javën e kaluar, këto dy pika të ligjit janë kundërshtuar në mbledhjet e Komisionit të Ligjeve dhe atë të Sigurisë, jo vetëm nga deputetë të LSI-së, por edhe nga zëra brenda PS-së. Parlamentarët e majtë në Komisionin e Sigurisë, Spartak Braho, Paulin Stërkaj, Pjerin Ndreu, Arben Çuko dhe Luan Rama një javë më parë dolën kundër shkrirjes së Gardës, ku deputeti Rama e abstenoi projektligjin, me argumentin se duhet të dëgjojë dhe shpjegimet e ekspertëve apo të vetë ministrit në një nga mbledhjet e ardhshme të Komisionit, që siç tha ai, ky ligj të mos miratohet nxitimthi. Argument ky që u mbështet dhe nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili garantoi se Komisioni do ta shikojë ligjin hap pas hapi dhe “nuk do nxitohemi. Kemi afat dhe 15 ditë për ligjin”, tha Braho. Ndërsa, deputeti i PS-së, Paulin Stërkaj, iu referua përvojës së tij në Policinë e Shtetit dhe në Gardën e Republikës, teksa kundërshtoi me forcë shkrirjen e Gardës, pasi sipas tij, janë dy shërbime krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. “Përveçse argument politik që të shkrihet Garda e Republikës nuk po gjej asnjë argument ligjor. Mos u mundoni të cenoni një institucion të cilin as ju nuk po e dini ku e çoni. Ju keni për t’i hedhur efektivët e Gardës në rrugë”, tha Stërkaj.

Sindikata e Policisë

Dy ditë më parë, projektligji për “Policinë e Shtetit” u kundërshtua gjithashtu edhe nga Sindikata e Policisë, sipas të cilës projektligji cenon të drejtat e efektivëve. “Tërheqim vëmendjen e dy strukturave ndërkombëtare, që janë të atashuara pranë Policisë së Shtetit, PAMECA IV dhe ICITAP, të cilat nuk duhet të kishin dhënë pëlqimin e tyre për ligjin e ri të policisë, pa u konsultuar me sindikatën, ndërkohë që kanë qenë në dijeni për marrëdhëniet e ngrira ndërmjet nesh dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, vëren Sindikata e Policisë.

Bllokimi i ligjeve

Celibashi kërkoi miratimin e ligjeve të mbetura pezull

Teksa duket se Kuvendi nuk do t’ia dalë që të miratojë as këtë të enjte edhe projektligjin për Policinë e Shtetit, duket seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar që do të mbahet më 31 korrik, duket se do të jetë e ngjeshur sa i përket vendimmarrjes së Parlamentit. Përveç miratimit të variantit përfundimtar të hartës së re administrativo-territoriale të propozuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën, janë rreth 30 projektligje që tashmë janë të depozituar në Kuvend, të cilat pritet të kalojnë për miratimin në fillimin e legjislaturës së re, pra në mes të shtatorit. Nisur nga mungesa e një efikasiteti më të madh nga ana e komisioneve parlamentare për të miratuar nismat e qeverisë brenda këtij sesioni parlamentar, mazhoranca duket se po nxiton për të miratuar disa nga draftet më të rëndësishme të qeverisë. Në procesverbalin e zbardhur të mbledhjes së kryetarëve të grupeve parlamentare, ku u diskutua mbi kalendarin e punimeve parlamentare deri në mbyllje të sesionit, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, kërkoi që, përveç projektligjeve të propozuara nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të përfshihen dhe një sërë projektligjesh të tjera. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, kërkoi që dy projektligjet për ndryshimin në ligjin e Gjykatës Administrative dhe Kodi i Procedurës Penale të futen në këtë kalendar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button