Kryeartikull

Kuvendi i vazhdimësisë Berishiste

ANDREA STEFANI

Andrea StefaniBerisha, Berisha, Berisha! Thirrjet frenetike të delegatëve të Kuvendit Kombëtar konfirmuan edhe një herë në mënyrë të pakundërshtueshme, se edhe 24 vjet më pas Sali Berisha mbetet kryetar absolut i Partisë Demokratike. Duhej pakëz diskrecion politik për ta shitur si më real ndërrimin e kryetarit të partisë. Por masa e idhujtarëve nuk mundi të përmbahej, nuk mundi të mos sillej ashtu siç natyrshëm sillet grigja e fanatizuar kur ndodhet para bariut të vet. Kryetari Lulzim Basha mbeti në hije. Pasioni mposhti arsyen, një fanatizëm i miksuar me servilizëm sfidoi taktin e nevojshëm politik dhe salla shpërtheu në brohoritje për “liderin historik” që nuk mund të mos të kujtonin brohoritjet për një tjetër lider historik të dikurshëm, Enver Hoxhën. Edhe pse foli i fundit, Berisha ia doli të ishte përsëri i pari. I pari i padiskutueshëm i partisë së tij.

***

Si edhe në raste të tjera pas disfatës, PD iu rikthye edhe në këtë Kuvend, taktikës së “hapjes”. Këtë ka bërë edhe në vitin 2003-2005 para ardhjes në pushtet. Edhe këtë herë thonë se PD po “hapet”. Por nuk i janë përgjigjur kurrë pyetjes se përse hapen kur humbasin pushtetin dhe mbyllen kur e marrin atë? Mos vallë se fitimet nga sofra e pushtetit janë më të mëdha kur je i mbyllur se i hapur? Gjithsesi, “hapja” flet për vazhdimësi. Sepse ka ndodhur edhe më parë. Si këtu  9 vjet të shkuara, po shitet si fitore kthimi në PD i të larguarve në vite prej saj. Dhe vërtet në sallë u panë ish-nanoistë, ish- berishistë që për disa shkaqe ishin bërë antiberishistë, por që tani, për disa shkaqe të tjera po bëhen përsëri berishistë. U panë edhe ish-anëtarë të KOPI-t të palavdishëm dhe pothuaj të harruar. Shkurt u pa se PD po “hapet” aq shumë sa po grumbullon të gjithë thërrimet dhe zdralet e të kaluarës madje, edhe ato që vetë i ka pështyrë gjatë gostisë së pushtetit 8-vjeçar me bark të panginjshëm.

***

U pretendua se do bëhej një analizë e thelluar e disfatës së 23 qershorit. Ndodhi e kundërta: U brohorit për fitore! Asnjë kritikë serioze për qeverisjen 8-vjeçare. Asgjë për korrupsionin që u thellua edhe pse u premtua qeverisje me duar të pastra, asgjë për flakjet nga puna në dhunim të Kushtetutës, ligjit dhe të drejtave të njeriut, asgjë për autokratizmin antidemokratik dhe kapjen antiliri të institucioneve, asgjë për tolerimin e kultivimit të drogës që e ktheu Shqipërinë në një Kolumbi në zemër të Europës, asgjë për papunësinë kronike dhe mbi të gjitha, asgjë për atë më kriminalen, vrasjen e qytetarëve të pafajshëm dhe fyerjen e obstruktimin fashist të institucioneve të pavarura të hetimit. Dhe kush na paska qenë shkaku që PD u kundërvotua masivisht në 23 qershor? Na qenka mashtrimi që socialistët i paskan bërë “popullit”, si dhe humbja e lidhjeve me masën e deputetëve të PD! Edhe diktatori Enver Hoxha porosiste të njëjtën gjë. E kishte merak lidhjen e partisë me masat. Një tjetër tipar që flet për vazhdimësi tradite edhe më të thellë të Kuvendit të PD.

***

Bie në sy që PD, Berisha dhe Basha e sulmojnë qeverinë e sotme pikërisht në ato drejtime që ata akuzoheshin dje. E akuzojnë qeverinë “Rama” për autokratizëm oligarkik, për mosrespektim të Kushtetutës, për kapje të institucioneve, për sulme të padrejta ndaj Presidentit të Republikës apo Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për korrupsion, për lidhje me mafien, për kriminalizim, për thellim të borxhit publik, për papunësinë, për varfërinë dhe të tjera gjëra si këto. Por që të fitosh të drejtë morale të kritikosh qeverinë e sotme për të zeza të tilla, duhet më parë të shpjegosh pse ke bërë ti të njëjtat të zeza për 8 vjet në pushtet. Të shpjegosh pse u korruptove aq në palcë sa të zhdukësh si me magji 200 milionë euro nga rruga e kombit, përse u mafiozove aq thellë sa të shpërtheu Gërdeci? Para se të ankohesh për Çefën duhet të sqarosh shkarkimin e Spahiut dhe kur mbron Nishanin duhet t’u argumentosh njerëzve se ku e gjete të drejtën ta sulmosh Topin si puçist. Dhe nëse nuk ke asnjë argument që të justifikosh bëma të tilla, duhet të distancohesh nga ato. Vetëm kështu ka vlerë kritika që i bën qeverisë së sotme për të njëjtat të zeza që pretendon se ajo i ka. Por nëse jo, nëse nuk pranon që sulmi mbi Topin apo mbi Kryeprokuroren Rama ka qenë i padrejtë, si do të dalin të padrejta kritikat që i bëhen sot Nishanit apo Llallës?! Por edhe nëse provohet se ato janë të padrejta, pse duhet t’i besojnë njerëzit përsëri PD-së, përsëri Berishës? Pse duhet të besojnë se nëse rikthehet në pushtet PD nuk do përsëriste të njëjtin korrupsion dhe autokratizëm që manifestoi në 8 vjet? Duhet të jesh naiv të besosh se një parti e lidership nuk do përsërisë të njëjtat faje e krime sa kohë që ajo nuk i denoncon ato si të tilla.

***

Por gjithçka ka bërë PD në të kaluarën lidhet me Berishën dhe pushtetin e tij absolut në PD. Prandaj të kritikosh të kaluarën e PD do të thotë të kritikosh kultin e Berishës. Dhe kjo është e pamundur në një parti që po degjeneron përditë e më shumë në thuajse një sekt fetar, ku lideri adhurohet nga grigja si Zoti dhe fjala e tij i bën jo pak prej tyre të derdhin lot. Edhe pse shumë hipokrite dhe e pasinqertë, fjala e Bashës la për një moment përshtypjen se PD po luhatej, duke u prirur drejt një politike më të moderuar më shumë drejt Parlamentit sesa drejt rrugës. Por nuk zgjati shumë. Sepse u ngrit Ai, veterani i protestave. I frikësuar se po i ngushtohet laku i drejtësisë, i ankthshëm që ta shembë qeverinë para se qeveria ta shembë atë, mori pozën e Ruzveltit, duke u bërë thirrje demokratëve t’i frikësohen vetëm frikës. Dhe si përherë kur është në opozitë këmbënguli për bojkot dhe protesta. Këto ishin piketat e politikës së ardhshme të PD. Një politikë destruktive, pionier i së cilës është vetë Berisha. Prandaj ky Kuvendi i PD është kuvendi i vazhdimësisë berishiste.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button