Parlamentare

Kuvendi miraton me 77 vota pro projektbuxhetin e vitit 2015

Pas mesnatës, deputetët e mazhorancës miratuan në parim buxhetin 2015. Për rreth 12 orë deputetët diskutuan rreth këtij drafti, ku nuk munguan kritikat.

parlament

Në mungesë të opozitës, kundërshtitë për disa pika të buxhetit i bënë disa prej deputetëve socialistë. Duke folur i fundit, në emër të grupit parlamentar të PS, kryetari i komisionit të Ekonomisë, Erjon Brace kundërshtoi heqjen e takses doganore për importin e miellit dhe heqjen akcizës për pijet energjike, ndërsa kërkoi hetim për tregun e karburanteve dhe prishje të 4 kontratave koncensionare

Më herët fjalën e tij, kryeministri Rama tha se ky është buxhet për njerëzit që duan të fitojnë nëpërmjet punës, ndërsa shtoi se deri në fund të mandatit parashikohet një rritje ekonomike 4%.

Pas miratimit në parim, buxheti dhe paketa fiskale do të rikthehen në Komisionet parlamentare për diskutimin nen për nen. Pr/buxheti i qeverisë dhe paketa fiskale janë kundërshtuar ashpër nga opozita. Ekspertët e saj kanë argumentuar se qeveria po rrit taksat për qytetarët dhe po i ul ato për klientët e saj, ndërsa buxheti i paraqitur nuk parashikon zhvillim, por kërcënon ekonominë vendase me krizë.

Pr/buxheti 2015 parashikon rritje të ndjeshme të të ardhurave, me rreth 49 miliardë lekë, një rritje modeste të shpenzimeve dhe ulje të deficitit buxhetor dhe borxhit publik deri në 70.6% të GDP-së. Një angazhim ky i marrë përpara FMN-së, me qëllim konsolidimin e financave publike.

Në seancën e sotme, siç tha në nisje kryeparlamentari Meta është parashikuar të flasin disa deputetë nga PS, LSI, ndërsa nga opozita vetëm Nard Ndoka.

 

##########

Kryeministri Edi Rama duke i paraqitur Parlamentit buxhetin e vitit 2015, theksoi se pr/buxheti mbështet rritjen ekonomike pa masa shtrënguese.

“Eshtë një buxhet me disa standarde të mirëpërcaktuara dhe me disa zgjidhje realiste për një situatë, ku potencialet janë padyshim të mjaftueshme për të arritur objektivin tonë minimal të një rritje ekonomike përtej 4 për qindëshit në fund të vitit të katërt të këtij mandati”, tha Rama.

Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës në distancë për rritjen e taksave.
“Ky është një buxhet që vjen si rezultat i reflektimit të një pakete të re fiskale, që ul ose zeron 15 taksa, ndërkohë që rrit vetëm 3. Eshtë një Paketë Fiskale, që në kushtet e vendit tonë, na jep mundësi që të stimulojmë prodhimin që të stimulojmë përpunimin në vend”, tha Rama.

Duke folur për taksën e qarkullimit, e cila u propozohet të rritet me 10 lek/litri, kryeministri Rama tha se “kjo nuk është një dëshirë e Qeverisë për të rënduar mbi ata të cilët përdorin makina, por ky është një kontribut i atyre të cilët përdorin makina, për të patur një vend më të mirë. Të gjitha ato investime që lidhen me rritjen e sigurisë në rrugë, që lidhen me rritjen e përmasës së gjelbër në akset e vendit tonë, janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë kontribut minimal të gjithësecilit”, tha Rama.
Opozita ka bërë oponencën e buxhetit nga selia e Partise Demokratike, ku deputetët e Komisionit të Ekonomisë diskutuan mbi draftin që ishte paralelisht në diskutim në Parlament. “Qytetaret do te paguajne me shume dhe nuk do të marrin asgjë”, tha deputeti Sherefedin Shehu.

Buxheti i vitit 2014 i rrit me rreth 49 miliardë lekë të ardhurat totale krahasuar me këtë vit, nga të cilat 16 miliardë vijnë nga rritja e taksave dhe pjesa tjetër nga rritja e ekonomisë dhe mirëadministrimi. Buxheti ul me 48 për qind defiçitin buxhetor krahasuar me 2014, çka sipas Qeverisë bën të mundur që vitin tjetër borxhi publik të ulet pas disa vitesh rritje. Projektbuxheti 2015 është konsideruar si projektbuxheti i reformave strukturore, për të përshpejtuar modelin e ri të zhvillimit të vendit, duke u përqendruar në disa nga sektorët më të rëndësishëm si: zhvillimi lokal dhe reforma administrative, energjia, bujqësia dhe reforma e ujit, inovacioni dhe shërbimet për qytetarët, rendi publik dhe siguria. /a.gjonaj//a.ke/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button