Politika

Kuvendi miraton pr/ligjet e diskutuara gjatë seancës plenare

Kuvendi miratoi sot pasdite me 75 vota pro e 19 kundër ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, që ishte edhe pr/ligji më i diskutuar.

P/ligji i propozuar nga qeveria përmes ndërhyrjeve në ligjin ekzistues, ashpërson masat ndëshkuese ndaj shkeljeve fiskale.

Së pari, nëse një biznes ndryshon adresën dhe nuk e raporton atë në QKR apo tek tatimet, do të ndëshkohet njësoj sikur është i paregjistruar.

Së dyti, ndalon tregtarët e shumicës të shesin mallra me pakicë tek konsumatorët finalë. Kjo do të thotë se këta tregtarë nuk mund të shesin më me kuponë tatimore tek individët, por do të shesin vetëm me faturë tatimore për bizneset e pakicës. Ky detyrim ka një periudhë tranzitore dhe hyn gradualisht në fuqi deri në 1 prill të vitit 2016.

Së treti, drafti dënon me gjobë deri në 15 për qind për çdo muaj bizneset që nuk paguajnë në afat tatimin mbi fitimin, këstet e të cilit janë të paracaktuara një herë në muaj ose një herë në tre muaj.

Një tjetër ndryshim është ai që i jep administratës tatimore të drejtën për të konfiskuar 50 % të xhiros ditore të çdo biznesi që ka borxh ndaj tatimeve deri në rikuperimin e plotë të borxhit. Po ashtu, tatimet mund ta kërkojnë këtë borxh edhe nga të tretët, të cilët kanë detyrime ndaj biznesit debitor.

P/ligji parashikon edhe gjobat për mosdeklarimin e punonjësve. Me draftin e ri gjobat për punonjësit e paregjistruar janë 500 mijë lekë si për biznesin e madh dhe për biznesin e vogël. I njëjti penalitet llogaritet edhe kur biznesi nuk ka deklaruar pagën reale të punonjësit.

Një tjetër ndryshim është ai që lidhet me mallrat e pashoqëruara me faturë. Për këtë shkelje biznesi propozon 3 ndëshkime, gjobë në masën 10 milionë lekë, konfiskim të të gjithë sasisë së mallit dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Ndërsa për moslëshimin e kuponit gjoba është 500 mijë lekë në konstatimin e parë dhe rivlerësim i të ardhurave për 6 muaj. Në rast përsëritje klasifikohet si evazion tatimor që ndëshkohet deri në tre vjet burg.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi sot me 75 vota pro ligjin për Metrologjinë. Po ashtu Kuvendi miratoi me 75 vota pro ligjin për dokumentin elektronik.

Kuvendi miratoi me 72 vota pro dhe 22 kundër ndryshimet në ligjin për Forcat e Armatosura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button