Kronika

Letra e Brahos, Dritan Prifti në orën 19:00 në polici

Ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, është personi i radhës që pritet të dëshmojë në polici, lidhur me letrën e kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho.

Prokuroria e Përgjithshme nisi prej së martës verifikimet pas publikimit të letrës së deputetit Braho, në të cilën paralajmërohet ekzistenca e një skenari për destabilizimin e vendit.

Dritan Prifti është personi i tretë që do të merret në pyetje sot në orën 19:00 në Drejtorinë e Policisë, lidhur me akuzat e manipulimit të të arrestuarit Kastriot Ismailaj.

Një ditë më parë në polici u morën në pyetje bashkëshortja e biznesmenit Vojsava Ismailaj dhe ish-deputeti socialist, Tom Doshi.

Prokuroria urdhëroi pyetjen e personave të përmendur në letrën që, Braho u ka dërguar për dijeni presidentit, kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, prokurorit të Përgjithshëm dhe kreut të SHISH-it.

Prokuroria ia ka deleguar policisë dosjen hetimore për verifikimin e letrës së Brahos, për të parë nëse në të ka elementë të veprës penale.

Në letrën e bërë publike të hënën, kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, shprehet se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi dhe ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, po manipulojnë të arrestuarin Kastriot Ismailaj. Braho pretendon se Doshi dhe Prifti kanë takuar bashkëshorten e Ismailajt në një nga lokalet e hoteleve të njohura në Tiranë, ku kanë kërkuar që të ndikojë tek bashkëshorti Kastriot Ismailaj, në mënyrë që ai të dëshmojë dhe implikojë në aferën e kompanisë CEZ-Shpërndarje, kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button