Opinion

Mëkati i planifikimit!

ULPIANA LAMA

Ulpiana LamaKëshilli i Europës dënoi Francën për mossanksionimin në ligjet vendore të një ndëshkimi ‘korrektues’ si shuplaka. Në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, është e gjatë lista e vendeve që e kanë ndaluar këtë akt në shkolla dhe shtëpi. Theksoj: edhe në shtëpi. Çka do të thotë që nëse provohet se prindi e ka ushtruar këtë formë të dhunës fizike, ai / ajo përballet me masa administrative penalizuese.

Vitin e kaluar, intervistova në studion e “Pasdite në ‘Top Channel’” një zotëri shqiptar, bashkëshort dhe baba, i cili jetonte prej disa vitesh me familjen në Itali. Ishte dënuar nga gjykata me burg, për një veprim që nga shumë shqiptarë shihet jo vetëm si i pafajshëm, por edhe krenari, traditë. Veprimi – puthja e gjenitaleve të të voglit (djali vinte në jetë pas disa vajzash) – u interpretua si ngacmim seksual i fëmijës.

Në Kosovë, një ministër tha diçka rreth planifikimit familjar që perifrazohet si vijon: “familjet me 300 euro të ardhura në muaj, të mos i bëjnë shtatë fëmijë”. Deklarata shkaktoi një ortek reagimesh që një mjek shqiptaro-francez i përkufizoi si “reaksion i tipit epidermik në nivele të shokut anafilaktik”. Rrjetet sociale u mbushën me komente fyese, agresive. Nuk munguan sulmet mediatike të një egërsie paralizuese. A ishte qëllimi të provokohej ky reagim? Nuk besoj. Duke u baraslarguar si prej prononcimit të shumëdiskutuar, ashtu edhe prej reagimeve që e pasuan, them se vlera e vetme e tij qëndron në hapjen e debatit publik rreth kësaj teme, përtej anekdotave, mllefeve e banalizimeve të momentit.

Situata risolli disa ndjeshmëri që kanë të bëjnë me të kaluarën, në përballjen me shtetin armik serb dhe përpjekjen e atëhershme për kontrollimin e lindshmërisë në Kosovë si instrument për spastrim etnik. Në një vështrim racional, kuptohet se nuk ishte aspak ky rasti aktual. Çfarëdo që të kenë menduar se ka dashur të thotë ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, të ndalemi të ekzaminojmë disa nga stereotipat më të përhapura të këtyre ditëve:

  1. Fëmijët janë punë e Zotit. I kuptueshëm kur artikulimi vjen nga besimtarë praktikantë. Mirëpo përzierja e së shenjtës me profanen, e të dëgjuarës me të hamendësuarën, e besëtytnive me të vërteta pseudoshkencore e bëjnë qesharak pretendimin. Një nga teologët më në zë, Shën Agustini, pranonte paradoksin e fëmijës si krijesë e Zotit, e njëherësh, edhe si trashëgues i mëkatit fillestar përmes epshit që shoqëron aktin e riprodhimit. Libanezi i talentuar Khalil Gibrani, shkruante se “fëmijët vijnë prej nesh, por nuk na përkasin”. E mes këtyre dy periudhave e besimeve të ndryshme, erdhi një vendim i vitit 1484 – dekreti famëkeq i gjuetisë së shtrigave: Ato gra, të cilat akuzoheshin se “kishin vrarë fëmijë në barqet e nënave” (aborti) dhe se “kishin penguar burrat të kryenin aktin seksual e gratë të mbarseshin” (kontracepsioni), digjeshin në turrën e druve. Se ç’solli një erë prushi, prej gjuetie shtrigash, situata e ditëve të fundit, ku dënimi i supozuar ishte asgjësimi politik i një burri.
  2. Fëmijët janë të familjes. Natyrisht. Por ka disa aspekte të rritjes së fëmijëve që padyshim përfshijnë edhe komunitetin, edhe shtetin. Shembujt si ai i Francës dhe shqiptarit në Itali e shumë të tjerë që i bien ndërmend lexuesit, na përkujtojnë se ka një limit, një vijë të kuqe, përtej së cilës, në rast pakujdesie, padije apo pamundësie të familjes, ndërhyn shteti.

Duhet ta themi, zëshëm madje, se demografia dikton politikat publike. Prej shkollave te shërbimi pediatrik, pastaj transporti, urbanizmi, fuqia punëtore, tregu i punës, pensionet, shtëpitë për të moshuarit etj., etj., lidhen ngushtësisht me zhvillimet demografike. Mesatarja e lindjeve në Kosovë është dy fëmijë për çift. Edhe më mirë nëse do të mbërrinte në tre fëmijë për çift, si një trend pozitiv rritjeje, mirëpo planifikimi familjar ka të bëjë më pak me rënien e numrit të lindjeve (jo se kanë munguar të tillët – kemi rastin e Kinës me politikën e dështuar të një fëmije për familje) e më shumë me programimin e kohës në përputhje me mundësitë për mirëpritjen e fëmijës. E meqë ky është vendimi më i rëndësishëm i çiftit, ai duhet të jetë konsensual mes burrit dhe gruas. Kontrolli i lindshmërisë, bashkë me revolucionin e elektroshtëpiakeve, i dha gruas pushtetin për të dalë në sferën sociale, për të hyrë në tregun e punës. Nuk ka asnjë arsye pse ajo ta humbasë këtë pushtet.

Thënë kjo, duhet pranuar fakti se rritja e popullsisë nuk është vetëm çështje nataliteti. Migrimet janë temë dhe realitet konstant në historinë e njerëzimit. Duhet hapur mendja ndaj pranimit të të huajve, qofshin këta aziatikë a afrikanë. Ksenofobia, aq e përçmueshme te të tjerët, duhet luftuar më së pari te vetja.

  1. Është detyrë e shtetit që të kujdeset për fëmijët nga shtresat e varfra / të paprivilegjuara. Po. Kjo përgjegjësi është e padiskutueshme. Është detyrë themelore e qeverisë që të zbusë varfërinë. Kërkimi i përgjegjësive prej qeverisë nuk do të thotë transferim i tyre, largim nga vetja.

Për çfarë duhet të jenë prindërit e rinj të përgatitur sot? Në mendimin tim, për dy aspekte. Së pari, se gjithçka ka ndryshuar. Në rininë e gjyshërve tanë edukimi dhe punësimi ishin ngushtësisht të ndërlidhur; zanati merrej prej moshës 11-13-vjeçare. Sot i riu / e reja përgjithësisht mbyll studimet – qofshin këto të mesme apo të larta – e mandej aspiron të depërtojë në tregun e punës. Arsimimi është i shtrenjtë dhe ata, të rinjtë, nuk i bëhen dot krah familjes për afro dy dekada e gjysmë. Aspekti i dytë është se pavarësisht të gjitha investimeve në sistemin parauniversitar, ka një fazë të jetës së fëmijës në të cilën kontributi i prindërve mbetet i pazëvendësueshëm. Njihet si hendeku i 30 milionë fjalëve. Për çfarë bëhet fjalë? Për atë bagazh fjalësh, konceptesh, modelesh komunikimi që përcaktojnë ecurinë e çdo individi në jetë. Në një hulumtim të shumëcituar, studiuesit Beti Hard dhe Tod Risli konstatuan se 86-98% e fjalëve që përdor një fëmijë në tri vitet e para të jetës derivon nga prindërit. Diferenca mes familjeve me të ardhura të larta dhe atyre me të ardhura të ulëta mbërrinte në plot 30 milionë fjalë deri në moshën trevjeçare. Arsimimi më i mirë i prindërve, kombinuar me planifikimin familjar dhe përkushtimin ndaj secilit fëmijë, përcakton suksesin e fëmijës, kohë përpara se ai të bëhet i aftë për jetë.

Nëse do të bëja ndonjë zëvendësim gjatë shkrimit, do të përdorja “prindërim i përgjegjshëm” kudo ku gjendet togfjalëshi “planifikim familjar”. Po, sepse pikësëpari bëhet fjalë për prindërim të përgjegjshëm. Kjo është esenciale të kuptohet, me apo pa ndërhyrjen e diskutueshme të z. Stavileci.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button