Te ndryshme

“MITTELBAU – DORA” – Streha naziste e bombës atomike

Në dy vitet e fundit të luftës, Gjermania e Hitlerit bëri përpjekje për prodhimin e armatimit me teknologji të lartë. Nazistët mund të kenë qenë shumë pranë prodhimit të bombës atomike dhe të një disku fluturues që do ta transportonte këtë bombë në ditët e fundit të luftës. Të dhënat e siguruara tregojnë se Rusia dhe SHBA ishin të bindura se Hitleri ishte pranë krijimit të armës së shkatërrimit në masë

Nga Sylë Ukshini

Në periferi të qytetit Nordhausen të Gjermanisë Lindore, gjendet memoriali “Mittelbau – Dora”, i ndërtuar në truallin e një ish-kampi të përqendrimit nga periudha e nacional-socialistëve. Me këtë rast vlen të shënohet se qyteti i Nodhausenit (shtrihet pranë kufirit me Saksoninë e Poshtme – dikur afër brezit kufitar midis dy shteteve gjermane), është më shumë se një mijëvjeçar. Historia mijëvjeçare e këtij qyteti tradicionalisht fillon nga viti 927, atëherë kur për herë të parë zuri të përmendet në dokumentet historike. Gjatë shumë shekujve, Nordhauseni u zhvillua me ritme të shpejta, falë edhe pozitës së tij të volitshme gjeografike. Mirëpo, formimi dhe rritja e tij e bujshme, pësoi një goditje të tmerrshme shkatërruese në çastet kur kapitullimi i Gjermanisë po dukej në horizont, domethënë në kohën kur pothuajse Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar. Kështu, më 3 dhe 4 prill 1945, qyteti i Nordhausenit rrënohet nga bombat e aviacionit luftarak anglez, si pasojë e të cilave 73% e qytetit shndërrohet në gërmadha. Pra, gjithë pasuria historiko-kulturore, ndërtimet shekullore me një rëndësi të veçantë historike, u shkatërruan. Ndërkaq, gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare socialiste, apo thënë ndryshe gjatë përqafimit të hekurt me “vëllanë” rus, nuk pati ndonjë zhvillim të veçantë, veçse trashëgoi një ndërtim të apartamenteve me një arkitekturë (monotone) tipike për vendet socialiste europianolindore. Pas kthesës historike në vjeshtën e vitit 1989, përkatësisht ribashkimit me Gjermaninë (1990), si në çdo vendbanim gjermanolindor, edhe në Nordhausen nis një jetë e re dhe një zhvillim me ritme të shpejta. Brenda kësaj periudhe tetëvjeçare, vërehet një zhvillim e prosperitet në të gjitha fushat e jetës. Qyteti me histori mijëravjeçare nga dita në ditë po krijon një fytyrë të re, duke u bërë kështu pikëtakim i shumë vizitorëve vendas dhe të huaj. Interesimin e vizitorëve në këtë qytet gjermanolindor e tërheq edhe një vend i veçantë me një të kaluar historike të hidhur. Fjala është për qytetin memorial “Mittelbau – Dora” , i cili është ngritur në truallin e një kampi përqendrimi nga periudha e nazizmit. Ngaqë qyteti i Nordhausenit ndodhet pikërisht në zemër të Gjermanisë, kampi “Dora” ka marrë emrin paralel “Mittelbau”, d.m.th. “punishte qendrore””. “Mittelbau – Dora” gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një vend i madh (nëntokësor – kodra pas vendit memorial të përcjellë në labirintin, tunelin dhe sallat nëntokësore) për prodhimin e raketave dhe armëve të tjera moderne luftarake. Veç të tjerave, “Dora” ishte një qytet skllevërish, dhe lirisht mund të thuhet se ishte i veçantë e i jashtëzakonshëm në tokën gjermane! Cilat ishin rrethanat që i paraprinë lindjes së këtij kampi, gjegjësisht fabrikës enigmatike e moderne për prodhimin e raketave V1 dhe V2? – Pas sulmit të fuqishëm ajror të aleatëve antifashistë në Penemynde, vend i njohur për prodhime luftarake, Hitleri urdhëroi që teknologjia për prodhimin e raketave A-4 të zhvendosej në ndonjë vend të sigurt. Kështu, me vendimin e komandës së Lartë të SS-ve dhe udhëheqjes së Forcave të Armatosura, u vendos përfundimisht që ky vend të jetë pranë qytetit të Nordhausenit, në masivin shkëmbor të Kohenshtajnit. Në të vërtetë, në anën perëndimore të masivit shkëmbor të Kohenshtajnit, që nga viti 1936 kishte filluar hapja e një sistemi të galerive nëntokësore. Po ashtu, nga ajo kohë, aty ishin vendosur rezerva të mëdha të depozitave të benzinës dhe vajrave për qëllime dhe nevoja të luftës. Kështu “Mittelwerk” u emërtua fabrikë e raketave dhe për këtë arsye, galeritë e Kohenshtajnit zgjeroheshin dhe sistemi i tuneleve modernizohej me pajisje dhe teknologji bashkëkohore. Dhe, në gusht të vitit 1943, galeria B kishte përfunduar ndërsa regjistronte një gjatësi prej 1.8 km, që përshkonte tërë masivin shkëmbor të kodrës. Galeria do të përfundohej në fillim të vitit 1944. Gjatë punimeve intensive, u arrit betonimi i 40 dhomave të galerive, të cilat do të pajiseshin me kanalizime, elektrifikim, ujë, si dhe me mjete transportuese. Në këto rrethana, më 28 gusht 1943, në “Dora” mbërritën 107 të burgosur (të internuar) nga kampi i Buhenvaldit, i cili ndodhej në rrethinat e Vajmarit (Weimar). Por, edhe në javët dhe muajt vijues mbërritën shumë të burgosur në kodrën e Kohenshtajnit. Pra, kështu lindi ky kamp, i cili nga SS-sët u pagëzua me një emër enigmatik, “Dora”.Pas katër muaj pune, u prodhuan raketat e para A-4 (V2), të cilat ishin armët më moderne të kohës. Përgjegjësit kryesorë të fabrikës për prodhimin e raketave V2 ishin: gjeneralmajori Valter Dornberge, si komandant, dhe Verner Fon Baun, drejtor teknik. Ndërsa Georg Richhey ishte drejtor i përgjithshëm dhe drejtor teknik, Artur Rudolf, kurse drejtor punimesh, ishte Oto Fersheer, i cili njëherësh ishte dhe drejtor për sigurinë. Brenda një kohe të shkurtër “Mittelbau – Dora”fitoi një domethënie të veçantë për SS dhe ushtrinë hitleriane, dhe në tetor të vitit 1944 u bë kamp më vete me një numër kampesh të vogla përreth. Kështu, nga dita në ditë, numri i të burgosurve u shtua në 4000, dhe në dhjetor të 1943, në 10 mijë, kurse në fund të janarit të vitit 1944, në 12.500. Duhet shënuar se të gjithë të burgosurit ishin të rinj dhe burra të zgjedhur, të fortë fizikisht, madje të kualifikuar, por që brenda pak javësh bëheshin plotësisht të paaftë për punë. Nazistët gjermanë nuk patën qëllim t’i linin këta njerëz të mbijetonin, sepse, në njërën anë, ata si pjesëmarrës në projektin më të rëndësishëm të luftës ishin “bartës të sekretit” dhe, në anën tjetër, edhe “Mittelbau – Dora” nga nazistët u praktikua si vend ku njerëzit shkatërroheshin përmes punës. Megjithëse të burgosurit ishin të zgjedhur në pikëpamje profesionale (kishte aty edhe metalpunues, mekanikë elektroinstalues, radioinstalues), gjatë punëve të rënda në fabrikën e nëndheshme të raketave (Dora) ata u shndërruan në mbetje njerëzore. Por, kjo fabrikë (njëherësh edhe kamp) freskohej vazhdimisht me të burgosur të rinj nga kampi famëkeq i Buhenvaldit dhe kampe të tjera përqendrimi. Dhe në janar të vitit1944, u prodhuan raketat e para A-4 (gjithsej 56 raketa), ndërsa në maj të të njëjtit vit, u prodhuan 437 raketa A-4 (V2). Kështu, Hitleri, i impresionuar nga prodhimi i suksesshëm në “Dora”, tërë interesimin e tij e fokusoi në prodhimin e raketave V-1, dhe në mars të ’44-s Hitleri urdhëroi që një pjesë e raketave V-1 të finalizoheshin në punishten qendrore të Nordhausenit. Madje, në pranverën e 1944, filloi edhe prodhimi i V1 të segmentit jugor të kompleksit të galerisë, që kishte një gjatësi prej 1800 metrash dhe një gjerësi prej 12 metrash. Po këtu, në galeritë nëntokësore, u finalizua edhe një sistem i raketave kundërajrore të njohura me emrin “Tajfun”. Po ashtu, në lidhje të ndërsjellë me programin “Jaeger” (gjuajtës) në prill të vitit 1944, në pjesën veriore të Kohenshtajnit, doli nga prodhimi edhe avioni “Junker”. Pra, siç e përmendem edhe më lart, e gjithë kjo prodhimtari arrihej në sajë të shfrytëzimit sistematik të të burgosurve, të cilët gjatë fazës së prodhimit, i nënshtroheshin një trajtimi jo të mirë. Mijëra të burgosur punonin në dy ndërresa, nga 12 orë për secilën dhe vetëm me një ndërprerje të vogël gjatë drekës. Gjithashtu, kushtet e tjera të jetesës ishin të tmerrshme në “galeritë e fjetjes”. Mijëra vetë për muaj të tërë jetonin në një hapësirë të ngushtë nëntokësore, thuajse në errësirë të plotë, ku vetëm pak llamba ndriçonin galeritë, e ku temperatura ishte përherë 8 gradë Celsius, lagështia e ajrit pothuajse 100 për qind, pa ajrosje, pa pajisje sanitare dhe pa ujë për larje, ndërsa uji i pijshëm ishte gjithnjë i pamjaftueshëm. Në tri galeritë e fjetjes, në fillim kishte vetëm thasë me kashtë e më vonë u ndërtuan disa shtretër fjetjeje, në katër kate, domethënë njëri mbi tjetrin. Të burgosurit, ajrin e pastër dhe dritën e diellit e shijonin vetëm gjatë kohës së apelit, dy herë në muaj! Në këto kushte të rënda, në dhjetor të vitit 1943, vdiqën 630 të burgosurit e parë. Deri në fund të marsit të vitit 1944, të vdekurit dërgoheshin për t’u djegur në kampin e Buhenvaldit, kurse më vonë, ata do të digjeshin në krematoriumin e kampit “Dora”, që u ndërtua në pjesën perëndimore të kampit (në prill të ’44-s). Ndërsa në qershor të vitit 1944, të burgosurit mund t’i linin “galeritë e fjetjes” dhe të vendoseshin në barakat e ndërtuara ndërkohë enkas për ta. Hyrja e fabrikës nëntokësore për prodhimin e raketave ishte në një pozitë joekspozuese, madje edhe sot është vështirë ta lokalizosh hyrjen e galerisë, edhe pse nuk ndodhet më larg se njëqind metra larg saj, pra bie në një pozitë shumë të padukshme. Gjatë punës së tyre të detyrueshme, të burgosurit e kampit, përmes sabotimeve të herëpashershme i shkaktonin dëme të mëdha fabrikës për prodhimin e raketave. Të dhënat historike tregojnë se rreth 19% e raketave V-2 përfundoheshin me një varg të metash teknike, të cilat pashmangshmërisht reflektoheshin negativisht (për gjermanët SS) në frontet e luftës. Veç sabotimit, të burgosurit organizoheshin edhe në grupe ilegale të rezistencës, edhe pse mbikëqyrja dhe vëzhgimi nga SS-ët ishin rigoroze. Në janar të vitit 1945, kur kampi “Dora” ishte i stërmbushur, me mbërritjen e të “evakuuarve” nga Gros Rosendhe Aushvici, SS ndërtuan një kamp paralel shtesë “Boelcke-Kaserne”në ish-objektivin ushtarak në juglindje të Nordhausenit. Një pjesë e vogël e hapësirës së këtij kampi shërbeu si strehë për të burgosurit e aftë për punë. Pjesa më e madhe e kampit, për cinizëm, u emërtua si “spital për të burgosurit”, në të cilin të paaftët për punë, të burgosurit e sëmurë nga RBC-ja, pa kurrfarë përkujdesje, pa furnizime me ushqime, dergjeshin deri në vdekje. Në fazën e fundit të prodhimit, në mars të vitit 1945, numri i të burgosurve kishte arritur shifrën e 38.532 vetëve. Ishte kjo periudha, kur forcat gjermane në lindje dhe perëndim po pësonin disfata të njëpasnjëshme. Ndaj, për këtë arsye, bëhej edhe tërheqja e të burgosurve në brendi të vendit, e në këtë kontest edhe në “Dora” nga dita në ditë rritej numri i të burgosurve. Në fund të marsit 1945, në “Mittelbau-Dora” u pezullua përfundimisht prodhimi. Nga shkaku se trupat e aleatëve po afroheshin nga jugu, drejtori, teknikët dhe konstruktorët e raketave morën arratinë para afrimit të këtyre trupave, ndërsa SS-ët morën masat që të burgosurit e kampit bashkë me komandën të “evakuoheshin”. Pjesa më e madhe e dokumenteve ekzistuese u asgjësuan ose u vendosën në “vend të sigurt”. Të burgosurit, si “bartës të sekretit”, duhej të vazhdonin prodhimin në një vend tjetër ose duheshin asgjësuar në një vend të largët. Transportimi (largimi nga Dora) i të “evakuuarve për shumicën dërrmuese u kthye në marshim drejt vdekjes. P.sh. transportimi i të “evakuuarve” të datës 4 prill 1945 kishte një fund të tmerrshëm ku 1.016 të burgosur (nga 16 shtete) u dogjën të gjallë në një plevicë. Trupat aleate ishin në dijeni se qyteti i Nordhausenit nuk kishte komplekse të mëdha ushtarake, por duhej të ishte qendra për prodhimin e raketave më moderne të kohës (rusët mendonin se në periferi të Nordhausenit prodhohej çimento!). Divizioni amerikan tankist më 11 prill 1945 kishte marrë Nordhausenin dhe me këtë rast ata jashtë qytetit zbuluan depo me rezerva ushqimore, pije alkoolike dhe material tjetër luftarak. Po këtë ditë, ata hynë brenda në fabrikën e raketave, respektivisht në galeritë e Kohenshtajnit – aty ku për afro dy vjet me radhë ishin prodhuar raketat dhe bombat më moderne të Luftës së Dytë Botërore. Më 5 korrik 1945, oficerët sovjetikë hynë në kompleksin “Mittelwerk” të Nordhausenit dhe menjëherë filluan, atë që kishin filluar tashmë në Penemynde; vlerësimin e sistemit raketor dhe të komplekseve të tjera. Edhe ata, në mënyrë intensive kërkuan inxhinierët e raketave dhe pak më vonë filluan sërish aty prodhimin e raketave. Megjithatë, ekspertët më të mirë të kompleksit “Mittelbau-Dora”, i morën SHBA. Derisa Wernher von Braun së bashku me një pararojë prej 7 ekspertësh të raketave nga Penemynde në fund të shtatorit 1945 mbërritën në Boston dhe prej andej vazhduan rrugëtimin për në Ministrinë Amerikane të Luftës në Uashington dhe në bazën amerikane të raketave në Fort Bliss, pranë El Passos në Teksas. Ndërsa pjesa tjetër prej 120 ekspertësh, të cilët ishin tërhequr në qytetin bavarez të Landshutit, udhëtoi për në SHBA në tetor 1945, përkatësisht në shkurt të vitit 1946. Paraprakisht, amerikanët kishin konfiskuar 100 raketa V-2, të cilat menjëherë i transportuan në Amerikë. Si rusët ashtu edhe amerikanët në raketat e Penemyndes, përkatësisht të Nordhausenit, shihnin zhvillimin e shpejtë të sistemit të tyre të armatimit. Megjithëse, sipas Marrëveshjes së Jaltës, amerikanët ishin të obliguar, që në zonën e ardhshme të kontrollit rus, të liheshin të paprekura fabrikat, komplekset, ndërmarrjet, institucionet për kërkime, plane dhe zbulime. Për këtë arsye, në Nordhausen që nga fillimi tërë aksioni i transferimit i ishte kaluar Shërbimit Informativ AOTI (Army Ordnance Technical Intelligence). Në fillim të vitit 1946, për amerikanët punuan 118 ekspertë gjermanë të raketave. Është interesant të shënohet se asnjë prej tyre nuk posedonte dokumente zyrtare të leje-qëndrimit, meqenëse ligjet amerikane ndalonin dhënien e vizave hyrëse për kriminelët e luftës, për pjesëtarët e SS apo NSDAP (partisë së Hitlerit). Kështu, asnjë ekspert, konstruktor, inxhinier dhe teknik kyç nga Penemynde nuk i plotësonte kushtet për vizë hyrëse amerikane, ushtria dhe qeveria vendosi futjen e tyre ilegale në SHBA dhe më pas falsifikimin e dokumenteve personale. Në të vërtetë, për këtë veprim të jashtëzakonshëm në historinë amerikane të emigracionit, ishte vënë në dijeni edhe Presidenti, por përgjegjësinë për të e kishte marrë Ushtria e SHBA-së. Një fundjavë tetori (’97) ndërsa po vizitoja me një grup tjetër vizitorësh nga Nyrembergu, galeritë e ish-fabrikës së raketave, ciceroni na shpjegonte se në kompleksin “Dora” dhe në kampet e vogla paralele, Ellrih dhe Harcungen, nga 28 gushti i vitit 1943 deri në prill të vitit 1945, kishin kaluar mbi 60 mijë të burgosur nga vende të ndryshme të Europës (20 nacionalitete). Dhe nga ky numër, së paku një e treta e tyre, 20 mijë, nuk kishin arritur të mbijetonin ferrin e quajtur “Dora”. Nga kureshtja, por edhe interesi për të mësuar diçka më shumë rreth asaj nëse në “Dora” ka pasur edhe të burgosur shqiptarë, gjeta rastin për të biseduar me përgjegjësit e muzeut “Mittelbau – Dora“, dhe më pas në arkivin që ndodhej aty, fillova të hulumtoja nëpër dokumentet e kohës, të cilat ishin të sistemuara në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, më interesant ishte fakti se administratorët e Hitlerit kishin bërë një klasifikim që unë nuk e prisja. Të burgosurit ishin të shënuar jo sipas shtetësisë, por sipas përkatësisë së tyre etnike. Në këtë mënyrë, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë londineze ishin të shënuar se bashku me një vend, si shtetas shqiptarë, e jo si jugosllavë, edhe vendi prej nga vinin ata deri në momentin e vendosjes së administratës okupuese gjermane, ishte nën administrimin e dhunshëm të Beogradit. Kështu ishte vepruar edhe me të burgosurit sllovenë e kroatë, ndërsa të burgosurit nga Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia ishin të shënuar si jugosllavë. Gjatë selektimit të dokumenteve arkivore evidentuam emrat e 8 të burgosurve (internuarve) shqiptarë, të cilët vinin nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare. Mirëpo, kishte edhe të atillë që nuk u ishte shënuar fare vendi i lindjes, mbase në mungesë dokumentacioni të të burgosurit, apo data e lindjes ose profesioni. Megjithatë, në arkivin e memorialit “Dora“, nuk ka shënime nëse ndonjëri prej tyre ka arritur të mbijetonte gjatë punës së detyrueshme në kampin e përqendrimit. Mirëpo, ekzistojnë shënime të sakta për ditën e mbërritjes së tyre në “Dora” nga kampi i Buhenvaldit, i cili prej Nordhausenit ndodhet në një distancë prej 100 kilometrash. Edhe nga dokumentet në arkivin e kompleksit memorial të Buhenvaldit, mundëm të mësojmë se ky numër i të internuarve shqiptarë, nuk është më i madh, është fjala për krahinën e Tyringenit (Thüringen), dhe nuk ka ndonjë shënim nëse ndonjëri prej tyre është kthyer sërish i gjallë në këtë kamp. Pra, vetëm një hulumtim më i gjatë dhe më i mirëfilltë nëpër arkivat e tjera gjermane, do të saktësonte kohën e vdekjes ose të mbijetesës së ndonjërit prej të internuarve në kampin “Dora”, por edhe të internuarve të tjerë shqiptarë nëpër kampet e përqendrimit. Pra, nuk përjashtohet kurrsesi mundësia që edhe në kampet e tjera të ketë pasur të burgosur e të internuar shqiptarë. Ndërkaq, sa i përket numrit të vogël të të internuarve shqiptarë, në krahasim me numrin e madh të të burgosurve nga vendet e tjera ballkanike e europiane, kjo duhet shpjeguar me faktin se pjesa më e madhe e trojeve shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht deri në shtator të vitit 1943, ishte nën okupimin italian, por edhe për faktin se edhe vetë numri i përgjithshëm i shqiptarëve ishte i vogël, 2 milionë, në krahasim me popujt e tjerë në rajon. Kur është fjala te punishtja “Mittelbau -Dora“, gjithsesi duhet përmendur edhe një fakt interesant. Ky vend ose kjo fabrikë e vdekjes, do të lihej në heshtje mbase qëllimisht deri aty nga mbarimi i viteve tetëdhjetë dhe vetëm pas ndryshimeve në Gjermani, domethënë pas ribashkimit të shtetit gjerman dhe ndryshimeve në Europën Lindore, atëherë kur mori fund Lufta e Ftohte, “Mittelbau-Dora” u bë i njohur për publikun e gjerë dhe më pas i vizituar shumë nga gjermanët, sikurse dhe nga të huajt, madje edhe nga ata që i mbijetuan atij ferri. Shkaku i lënies në heshtje për një kohë të gjatë i këtij vendi, megjithëse me histori të hidhur, nuk mund të thuhet krejt me saktësinë e dëshiruar, apo mbase nuk parapëlqehet të thuhet ende. Mendimi ynë është se prapa murit 50-vjeçar të heshtjes, qëndrojnë rrethana thjesht politike e historike. Edhe më e qartë është kjo po të mbahet parasysh se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, si amerikanët, ashtu edhe sovjetikët (rusët) nxituan të rrëmbejnë raketat V2 (të cilat më vonë do të perfeksionoheshin) dhe teknologjinë për prodhimin e raketave dhe mbi të gjitha, të tërheqjes në SHBA, përkatësisht në BRSS, të konstruktorëve dhe specialistëve gjermanë, të cilët deri atëherë i kishin shërbyer makinerisë luftarake të Hitlerit. Ekzistojnë të dhëna që dokumentojnë qartë se amerikanët transferuan në SHBA së bashku me 100 raketa V2, edhe një numër më të përzgjedhur specialistësh gjermanë, si Verner fon Braun, Artur Rudolf e të tjerë, të cilët për dekada me radhë do të punonin në qendrën e njohur të fluturimeve kozmike, NASA. Në këtë mënyrë, këta ekspertë do t’i iknin ndëshkimit për përgjegjësitë e tyre për punën e tyre plot zell në shërbim të regjimit nazist të Hitlerit. Kështu, në vitin 1947, në gjyqin ushtarak të Dahaut, që pas lufte ishte organizuar nga amerikanët për gjykimin e kriminelëve dhe përgjegjësve të kampit “Dora” dhe të kampeve të tjera paralele, nuk do të paraqiteshin teknikët dhe specialistët e fabrikës së raketave, duke përjashtuar këtu vetëm drejtorin e përgjithshëm, Gorg Rickhey, i cili më pas do të lirohej për gjoja “mungesë provash”. Po ashtu, në gjyqin e Dahaut nuk u ftuan të paktën as si dëshmitarë, ekspertët Verner fon Braun dhe Artur Rudolf, dy figurat më kryesore të punishtes “Mittelba-Dora”, meqë ata atëbotë tashmë ishin duke punuar për interesat e shtetit amerikan, në zhvillimin e industrisë amerikane të raketave në “Operation Overcast”. Ky fakt, tregon se pala amerikane nuk u mor me përgjegjësinë e mundshme për mënyrën e torturimit dhe vdekjes së të burgosurve në “Dora” e gjetiu, por më shumë u interesonte shfrytëzimi i përvojës dhe i dijes së ekspertëve gjermanë në avancimin e industrisë raketore dhe me këtë edhe shkuarja sa më e shpejtë në Hënë, mundësisht para sovjetikëve, me të cilët zhvillohej një rivalitet në të gjitha fushat. Në të njëjtën linjë me amerikanët vepruan edhe sovjetikët, të cilët përvetësuan pajimet, teknologjinë, konstruktorët, teknikët dhe specialistët e raketave nga punishtja “Mittelbau-Dora”. Fillimisht rusët në të ashtuquajturën“Punishte qendrore”, në Blajhenrode (Bleichenrode) të Nordhausenit, u morën me rikonstruksionin e raketave V4. Mirëpo, më pas, në tetor të vitit 1946, rusët e mbyllën këtë punishte dhe në fshehtësi nga banorët vendas, bëjnë zhvendosjen e tërë teknikës, konstruktorëve dhe të specialistëve për në Bashkimin Sovjetik. Këta ekspertë gjermanë do të ishin më kryesorët dhe më kompetentët në zhvillimin e industrisë së raketave në Bashkimin Sovjetik dhe me punën e tyre, ata do të bëheshin konkurrentë të kolegëve të tyre të NASA – në Amerikë. Por, për dallim nga kolegët e tyre në SHBA, të cilët e kishin të ndaluar vetëm përdorimin e gjermanishtes në vendin e punës, ekspertët gjermanë pas disa viteve, atëherë kur nuk kishte më nevojë për ta, do të dëboheshin nga BRSS-ja për në atdheun e tyre. Nisur nga ajo që u tha më lart, mund të dalim në përfundimin se dija e ekspertëve dhe e specialistëve gjermanë, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme, mbase edhe vendimtare, për zhvillimin e industrisë raketore dhe me këtë edhe të fluturimeve kozmike si në SHBA, ashtu edhe në Bashkimin Sovjetik. Pra, dija dhe përvoja gjermane kontribuuan në zbritjen e njeriut në Hënë dhe në garën midis SHBA-së dhe BRSS-së dhe pikërisht këtu qëndron arsyeja mbase kryesore përse këto dy shtete të fuqishme gjatë gjithë periudhës së bipolaritetit mbajtën në heshtje kontributin e ekspertëve gjermanë, të cilët në të kaluarën kishin punuar në Penemynde dhe në “Mittelbau-Dora” të Nordhausenit për perfeksionimin e makinerisë luftarake të Adolf Hitlerit dhe në perspektivë edhe të realizimit te ëndrrës gjermane për fluturime në gjithësi, ëndërr kjo që u bë realitet vetëm jashtë tokës gjermane, por me ekspertë gjermanë. Po ashtu, amerikanët dhe rusët, të cilën u bashkuan në radhët e luftës kundër Gjermanisë hitleriane, posedonin të dhëna se nazistët mund të kenë qenë shumë pranë prodhimit të bombës atomike dhe të një disku fluturues që do ta transportonte këtë bombë në ditët e fundit të luftës. Të dhënat e siguruara tregojnë se Rusia dhe SHBA ishin të bindura se Hitleri ishte pranë krijimit të armës së shkatërrimit në masë. Nisur nga ky fakt, edhe invazioni i aleatëve kundër Gjermanisë në fundvitin 1944 dhe fillimviti 1945, ishte i lidhur direkt me këtë ngjarje, që gjermanëve t’u pamundësohej finalizimi i bombës atomike, prodhimi i së cilës do të kishte rrjedhoja vendimtare për fitoren e Luftës së Dytë Botërore.

Lista e të burgosurve (internuarve) shqiptarë që punuan në fabrikën “Mittelba-Dora”

Mbiemri Emri Data dhe vendi i lindjes Nac.Statusi Profesioni

1.Thaçi, Ismail 5.11.1915, Shtimje shqiptar i burg. politik bujk

2. Kolina, Jashar 20.10.1913, Guci shqiptar i burg. politik bujk

3. Rexhepi, Sherif 5.05.1918? shqiptar i burg. politik?

4. Selman, Idris 6.03.1926? shqiptar i burg. politik?

5. Surda, Daut 9.05.1915? shqiptar i burg. politik?

6. Pejo, Vasil 25.12.1902, Rëmbec shqiptar i burg. politik oficer

7.Asan, Ali 15.08.1903, Bardhoc shqiptar i burg. politik bujk

8. Gjelili, Osman 15.05.1926? shqiptar i burg. politik?

Marrë nga i Sylë Ukshini: “Refleksione historiografike”, Rozafa, Prishtinë, 2003, fq. 49-54

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button