Rajoni

Në kolaps jeta politike shqiptare

n-euml-kolaps-jeta-politike-shqiptare_hdSkena politike shqiptare në Maqedoni vazhdon të jetë në një kolaps të thellë politik. Në pushtet kemi një parti politike si BDI e cila është pjesë e qeverisë pa kushte konkrete dhe agjendë të qartësuar për mbylljen e çështjeve të hapura të shqiptarëve, qoftë edhe detyrimet e Marrëveshjes së pazbatuar dhe paimplementuar të Ohrit.

Ndërsa nga ana tjetër, është opozita e përçarë në mënyrë të theksuar, ku tradicionalisht mbetet në skenë PDSH, edhe pas ofertave të ndryshme politike partiake, që kanë zbehur faktorizimin e tyre apo po shkojnë drejt shuarjes.

Gjithë këtë mozaik të krijuar politik, ku mungon një ofertë e re e konsoliduar politike, e përshkruan edhe publicist dhe analisti Nijazi Muhamedi. “Ndër shqiptarët e Maqedonisë jeta politike ka rënë në kolaps të thellë, ka ndodhur një desubjektivizim politik i turpshëm në rrafsh kombëtar, dhe kjo ka bërë që të bien në një hendek, në një rrëzomë të madhe “pozita” dhe “opozita” shqipfolëse në rolet e tyre institucionale të jetës parlamentare. Këto të dyja janë kthyer në NJË KORVETË (anije shoqërimi e një flote) të partive qeveritare maqedone (herë LSDM-së, herë VMRO-së), ndaj edhe të dyja bashkë faktikisht, me protestat e zhvilluara në Shkup e gjithandej ku ndodhen shqiptarë, ndodhi edhe delegjitimimi i tyre përfundimtar”, thekson për INA, publicisti Muhamedi.

Sipas tij, duke pasur parasysh këto fakte, s’duhet të manifestohet ndonjë merakosje edhe për “përçarjen “ e një opozite të atrofuar dhe të asfiksuar sikundër është kjo që është tashti. “Sepse edhe kujdesin për bashkimin e saj, në moment të caktuara, e bën padroni i saj, qoftë nga ‘Sushiko’, qoftë nga ndonjë bodrumi i qeverisë, se këto edhe rolet në qeveri i luajnë në përkthinat e errëta të saj”, nënvizon Muhamedi.

Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni duhet të përqendrohen tash për një fillim të ri politik. “Shqiptarët duhet të rreshtohen për një fillim të ri politik për ta subjektivizuar politikisht veten mbi baza kombëtariste të përhershme rreth një projekti politik të njësuar, rreth një lidhjeje politike të përbashkuar në një opsion të vetëm për kohët që vijnë dhe për dobi të kauzës shqiptare në jetën politike dhe parlamentare. Tash më ka rënë dënga e kambanës për një fillim të ri politik. Brezi i ri duhet ta kapë këtë rast pa vonuar”, nënvizoi ai.

Partitë politike shqiptare të opozitës në Maqedoni janë të përçara skajshmërisht duke mos arritur pajtime rreth një koalicionimi të përbashkët. Edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare ndodhi skenari i ngjashëm ku partitë opozitare shqiptare garuan ndarasi në këto zgjedhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button