Arte

Nga Prizreni me dashuri

simonKosova e viteve 1960-1990 në punët e Simon Shirokës. Historia e një artisti bashkëkohor, veshur me xhaketën e tij të thjeshtë. Me trishtimin e ikjes së tij, Antoneta, e shoqja, ka dhënë një ndihmesë të madhe në përzgjedhjen e punëve. Gruaja që i qëndroi gjithë jetën pranë, e dinte se cilat prej tyre kishin më shumë domethënie për artistin. Asaj i duket sikur sheh ende gëzimin e tij pas çdo vepre. Shkëlqimin e syve poshtë syzeve, teksa mbyllte derën e studios për t’iu bashkuar familjes. Gratë e artistëve ndonjëherë janë kritiket dhe biografet më të mirë të tyre

Nga Simon Shiroka

Në urat e gurta të Prizrenit, Simon Shiroka ndiente mbrëmjeve historinë që vinte nga dritat lart në kala. Buzëmbrëmjet janë gjithnjë të bukura në këtë qytet, ku magjia e së verdhës së diellit teksa humb tej në qiell, lëviz dalëngadalë. Mjeshtri shijonte gjithnjë këtë pamje, që i dukej e pazëvendësueshme, të cilën nuk mund ta kishte asnjë qytet tjetër. Ndoshta se qytetin tënd, i cili mbart kujtimet e kohëve të shkuara, nuk mund ta krahasosh asnjëherë me një qytet tjetër. Ndaj ai i donte mbrëmjet me shëtitjen e zakonshme bri urave.. . Kur e la qytetin e lindjes për të udhëtuar drejt Beogradit për studime, ai shpesh mendonte se ç’ndodhte atje. Në mendje sillte shëtitjen që mbaronte në derën e drunjtë të banesës së tij, dhe orët në studio teksa i jepte jetë imagjinatës. Gjithçka ndryshonte për Simon Shirokën teksa futej në studio. Ai ishte i bindur se përtej çdo objekti, çdo ngjarjeje në jetën e qytetit të tij, apo njerëzve që njihte, kishte një histori. Arti nuk mund të jetë gjë tjetër veç një histori, mendonte në ato vite djaloshi, kur ende nuk i kishte hapur librat e mëdhenj të historisë së artit. Studimet në Beograd do të ndryshonin përfundimisht shijet artistike të djaloshit të ri, duke ushqyer më shumë talentin e lindur. Kthimi në Prishtinë pas studimeve dhe angazhimi me jetën kulturore të kohës, do ta bënin Shirokën një prej protagonistëve më të mirë të artit Kosovar të 50 viteve të fundit. Teksa sheh punët e lëna prej tij sot, ai është historia e vetë Kosovës. Burri i veshur me pantallona të zakonshme dhe xhaketë të thjeshtë, ishte po aq bashkëkohor sa dhe bashkëkohësit e tij në Europë. Punët e tij mund të rrinin mirë në çdo Galeri arti. Pas prezantimit që koleksioni i punëve të tij pati në Galerinë e Arteve në Prishtinë, nën kurimin e drejtorit të kësaj Galerie, Erzen Shkokolli, ky koleksion vjen sot në Tiranë, për t’u prezantuar për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Ekspozita “Simon Shiroka – Retrospektivë” hapet sot për publikun, nën kurimin e Shkokollit dhe veprat e ekspozuara do të jenë pjesë e koleksionit privat të familjes Shiroka. Me trishtimin e ikjes së tij, Antoneta, e shoqja, ka dhënë një ndihmesë të madhe në përzgjedhjen e punëve. Gruaja që i qëndroi gjithë jetën pranë, e dinte se cilat prej tyre kishin më shumë domethënie për artistin. Asaj i duket sikur sheh ende gëzimin e tij pas çdo vepre. Shkëlqimin e syve poshtë syzeve, teksa mbyllte derën e studios për t’iu bashkuar familjes. Gratë e artistëve ndonjëherë janë kritiket dhe biografet më të mirë të tyre. Artisti Simon Shiroka (1927-1994), i lindur në Prizren, është mjeshtër i madh i artit të realizuar në teknikën e filigramit. Akademiku Eqrem Basha shkruan se nga tradita popullore, Shiroka nuk mori vetëm mjeshtërinë e përpunimit të argjendit dhe materialeve të tjera fisnike, por edhe figuracionin, ornamentikën popullore, etnografinë, por edhe psikologjinë dhe besimin e njeriut tonë. Nuk është vetëm totemia, folklori, mistika dhe ornamentika e shpirtit të kësaj treve dhe këtij populli ajo që e dallon krijimtarinë e tij artistike, por edhe një shpirt i veçantë i artistit, që me dashuri dhe fanatizëm të pazakonshëm digjej dhe jetonte për të.
Për Shkokollin, Shiroka me veprat e tij artistike ka lënë gjurmë të thella në artin kosovar dhe më gjerë. “Ato janë një moment i rëndësishëm në të cilat gjenerata e re e artistëve njoftohet me punën e gjeneratës së kaluar të skenës së artit në Kosovë. Puna e artistit Simon Shiroka shihet si një praktikë e artistëve të tashëm botërorë, ku për krijimin e një pune të artit përfshihet një numër i madh mjeshtërish të disiplinave të ndryshme. Shiroka ka shfrytëzuar emancipimin e tij vizual për të komisionuar punët e tij të përmasave të mëdha të mjeshtërve të shumtë të artit të filigranit”, thotë Shkokolli. Për të, kurimi i veprave të Shirokës ka qenë një përvojë e rrallë. Punët e përzgjedhura nga koleksioni reflektojnë krijimtarinë e tij në vitet ‘60-‘90. Aty përfshihen rozeta, grafikë, skulpturë e teknikës së kombinuar si dhe vizatimet e fundit të artistit, që shënojnë kohën kur ai nuk mund të punonte më punë fizike, pak para vdekjes së tij në vitin 1994. Teksa sheh punët e Shirokës njihesh me një sjellje multidisiplinore e cila, përveç shtrirjes në etapa të ndryshme të krijimtarisë së artistit, sjell po ashtu punë të papara më herët në publik. Ai mori mjeshtërinë nga filigranistët më të shquar prizrenas. Përveç punës së zakonshme, ai ushqeu edhe një ambicie të madhe për artin me filigran. Pastaj vazhdoi ushtrimin dhe shkollimin e mëtejmë së pari në Beograd e pastaj në Zagreb, për t’u kthyer në Prishtinë dhe për të nisur një veprimtari tepër të pasur aplikative dhe artistike. Gjatë karrierës së tij, Shiroka ka pasur një numër të madh të ekspozitave personale dhe kolektive në Kosovë dhe në shumë vende të tjera, si Paris, Londër, Itali, Turqi, Çekosllovaki, etj. Është interesante të shohësh konceptet e veprave të tij, teksa gjen ndjesi njerëzore dhe në format që i jep një monedhe. Në figurat femërore nuk mungojnë punimet e arit, si për t’i dhënë gruas veshjen më të bukur mbi trupin e saj. Së shpejti, Galeria e Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me familjen e artistit, do të botojë një monografi për jetën e artistit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button