Ekonomia

Ngrihet Komisioni i Çmimit të Barnave, një herë në vit vendos tarifat

Shëndetësia

Më 31 dhjetor të çdo viti shpallen çmimet për ilaçet e importuara apo të vendit

ilace

Me propozim të ministrit të Financave dhe të Shëndetësisë, qeveria vendosi dje, ngritjen e Komisionit të Çmimit të Barnave, si njësi e përhershme, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. Komisioni do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësinë dhe do të ketë në përbërje: a) një përfaqësues nga Drejtoria Farmaceutike, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë; b) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat; c) një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; ç) një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore. Sekretari i komisionit është një specialist i Drejtorisë Farmaceutike pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Titullarët e institucioneve caktojnë në detyrën e anëtarit të komisionit punonjës që kanë lidhje me funksionin dhe detyrat e këtij komisioni.

Procedura

Mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri, brenda datës 31 tetor të çdo viti, deklarojnë me shkresë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, në zarf të mbyllur, pranë ministrisë, çmimet CIF në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet EXW (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend. Dorëzimi i çdo zarfi të mbyllur me deklarimin e çmimeve bëhet në protokollin e Ministrisë së Shëndetësinë dhe shoqërohet me nënshkrimin e personit të autorizuar nga kompania për këtë veprim dhe të punonjësit të protokollit, i cili pranon dokumentacionin. Çdo zarf i ardhur në ministri regjistrohet në një regjistër të veçantë, me numrin rendor përkatës dhe datën e marrjes së tij në dorëzim. Deklarimi i çmimit duhet të bëhet sipas formularit të përcaktuar. Ai duhet të jetë origjinal, i firmosur dhe i vulosur nga mbajtësi i autorizimit për tregtim. Në rast të kundërt, deklarimi do të quhet i pavlefshëm dhe nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni. Ministria njofton, nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare, të gjithë mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri, për deklarimin e çmimeve CIF në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet EXW (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend, pranë saj, brenda datës 30 shtator. Komisioni i Çmimit të Barnave, brenda datës 5 nëntor të çdo viti, mblidhet, me njoftim të kryetarit, për hapjen e zarfeve të çmimeve të deklaruara, të cilat siglohen nga anëtarët e pranishëm në komision. Mbledhjet e Komisionit të Çmimit të Barnave janë të vlefshme kur në to janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Miratimi i çmimeve të barnave bëhet me votim të hapur dhe vendimi merret me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Në rast se ka barazim votash, vota e kryetarit është vendimtare. Komisioni i Çmimit të Barnave, kur është e nevojshme, mblidhet me njoftim të kryetarit për të miratuar çmimet e deklaruara për barnat që regjistrohen gjatë vitit kalendarik pasardhës. Në këto raste, miratimi i çmimit të barnave bëhet brenda 30 ditëve pas depozitimit të deklarimit të tyre pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Çmimet e referencës 

Çmimet CIF, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e tregtimit me shumicë të shteteve referente: Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci. “Çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë çmimi më i ulët nga: a) çmimi që aplikohet ndër pesë shtetet referente; b) çmimi i tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës; c) çmimi i barnave të importuara në Republikën e Shqipërisë, gjatë 12 muajve të fundit. Çmimi i barit gjenerik duhet të jetë deri në 80% të çmimit të barit origjinator, të regjistruar pranë agjencisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button