PolitikaPresidenciale

Nishani: Domosdoshmëri, krijimi i Ministrisë së Diapsorës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim përfaqësues të Forumit të Shoqatave Shqiptare në Itali (FARE), në kuadër të një nisme të ndërmarrë nga shoqatat shqiptare në bashkëpunim me znj. Luljeta Çobanaj, Konsulle e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano.

Sipas njoftimit për shtyp të presidencës, kreu i shtetit gjatë bashkëbisedimit i siguroi pjesëmarrësit se Institucioni i Presidentit do të jetë gjithnjë i hapur për të mirëpritur, për të kontaktuar dhe për të komunikuar me përfaqësuesit e diasporës nga të gjitha vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.

Presidenti Nishani shtoi se diaspora ka qenë prioritet kryesor i tij që në momentin e marrjes së detyrës ndaj dhe ka vendosur burime njerëzore të posaçme në kabinetin e tij për diasporën, duke krijuar edhe rubrikën e veçantë të diasporës në faqen zyrtare të internetit të presidencës dhe krijimin e rrjetit “Miqtë e Shqipërisë”.

Presidenti u shpreh gjatë takimit se e drejta e votës duhet pasqyruar në ligjin zgjedhor në mënyrë që të gjithë shtetasit me shtetësi shqiptare, pavarësisht se ku ndodhen apo jetojnë, të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

Kreu i Shtetit nënvizoi se diaspora shqiptare ka potenciale të jashtëzakonshme, të cilat mund të kontribuojnë shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik, social, kulturor të Shqipërisë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës shprehu bindjen e tij mbi nevojën e krijimit të Ministrisë së Diasporës, si një domosdoshmëri e kohës dhe si një institucion ku diaspora shqiptare të shprehë mendimet e saj lidhur me vendimmarrjet mbi zhvillimin e vendit.

Presidenti i Forumit FARE, Roland Jaçe shprehu falënderimet e tij për pritjen si dhe vuri në dukje se të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë shikojnë te Presidenti i Republikës përfaqësuesin e unitetit të kombit dhe si i tillë, përfaqësuesin e diasporës shqiptare dhe interesave të saj.

Në vijim të bashkëbisedimit, përfaqësuesit e FARE parashtruan disa nga shqetësimet dhe kërkesat e tyre, të cilat kishin të bënin me ushtrimin e të drejtës sovrane të votës, por edhe mbështetjen në nxitjen e institucioneve shqiptare për krijimin e Instituteve të Posaçme të Kulturës në Itali apo dhe në vende të tjera, me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe si dhe të kulturës shqiptare në mënyrë që ato t’i përcillen brezave të ardhshëm.

Në përfundim të takimit, Presidentit të Republikës iu dorëzua dhe Akt-Marrëveshja e nënshkruar më 2 qershor 2013, e cila përmban përshkrimin e plotë të të gjitha kërkesave dhe prioriteteve të shoqatave të shqiptarëve në Itali.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button