Arte

Një balet për dashurinë dhe trishtimin

Trupa e Baletit të Kosovës rikthehet premierë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Nën tingujt e Moxartit, apo Ardal, balerinët e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës do të ngjisin në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit të dielën një rrëfim për dashurinë dhe trishtimin. Historia e vërtetë e lidhjes mes një çifti do të vijë me gjithë gjendjen që ajo mbart. Zënkat, orët e gëzimit por dhe zhgënjimet e një realiteti që shpesh e bën të vështirë jetën. Koreografi i njohur, Mehmet Balkan, ka vendosur ta sjellë këtë marrëdhënie ashtu siç është, duke i futur balerinët e kësaj trupe në një rrëfim që do të përfshijë publikun. “Ngjyrat e vallëzimit” quhet pjesa që e sjell sërish Baletin Kombëtar të Kosovës në skenën e Teatrit të Operës. Vetëm dy muaj nga premiera që kjo pjesë koreografike pati në Prishtinë, ajo do të vijë për publikun në Tiranë, si pjesë e kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Pas baletit “Dasma”, i cili riktheu trupën e baletit të Kosovës pas 34 vitesh në Tiranë dhe “Balloja e Diplomës”, kjo është hera e tretë që kjo trupë baleti vjen në Tiranë. Koreografia i përket një emri të njohur si Mehmet Balkan i cili ka një përvojë mbi 45 vjet dhe ka mbi 60 koreografi të krijuara prej tij gjatë karrierës. Kjo koreografi, sipas Balkan, është bërë për Trupën e Baletit në Turqi dhe më vonë për Operën Kombëtare të Tokios. Baleti “Ngjyrat e vallëzimit” është një ndërlidhje mes klasikes dhe modernes. Historia që do të ngjitet në skenë është vetë jeta, një marrëdhënie dashurore e cila do të vijë me të gjitha ngjyrat, por që në fund do të përfundojë duke gjetur lumturinë. Baleti i sotëm i Kosovës është krijuar pas Luftës, dhe përfshin në bërthamën e tij studentët e parë që u diplomuan nga shkolla e mesme e baletit që u hap në vitin 2001. Kjo trupë baleti e cila moshën e re e konkurron me talentin dhe dedikimin e madh dhe disiplinën në punë, gjatë këtyre viteve ka vënë në skenë shumë balete, moderne dhe klasike, dhe ka bashkëpunuar me shumë koreografë të njohur nga e gjithë bota. Gjithashtu ata kanë marrë pjesë në turne jashtë vendit dhe në festivale të ndryshme, duke pasur një aktivitet të gjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button