Teater

Nuk ka teatër kombëtar, pa dramë kombëtare

Teatri i angazhuar i Mihal Luarasit/ Një rrëfim në tri kohë për tri drama që i ka përmbledhur në një libër: Gomone/ Korbi i Bardhë/ Përjetësisht dashuria

Mihal Luarasi ka veshur një bluzë të kuqe, ashtu si dëshirat e tij këtë të martë. Në librin e ri që po shkruan, shpjegon mirë raportin mes dëshirave dhe moshës së tretë. Nuk do të zbulojë subjektin, pasi ndodh që pastaj të mos e përfundojë. Çdokush ka raportin e tij me shkrimin, e Mihal Luarasi beson te një fshehtësi e asaj çfarë po shkruan, e cila e ndihmon krijuesin. Lidhja e tij me shkrimin është e hershme, që atëherë kur i veshur me pantallona të gjera shkruante vargje dashurie për Adën.” Mbi supin tim mbështetur/Ada fle…/ Bebza lëvrin nën qepallë/ Ëndërron/Frymë nuk marr e nuk lëviz aspak/ Një tufëz flokësh është mbledhur/ rreth qafës sime porsi lak… ” Ishte viti 1955 kur i shkruante këto vargje, i sapokthyer nga studimet e larta për film në Budapest. Teksa priste t’i bashkohej teatrit, ishte kapur pas shkrimit. Janë një mori poezish apo prozash të shkurtra që i shkroi atëherë në kohën e një rinie jo të lehtë. Portrete vajzash, silueta ngjarjesh kalojnë nga një strofë në tjetrën, duke plotësuar imazhin e një të riu që kërkon të shohë përtej. Shkrimin nuk e la as atëherë kur e ndaluan t’i afrohej teatrit. E mbajti në bllokun e fshehur në xhepin e këmishës, apo në fletët që e rrëmbenin mbrëmjeve vonë. Thjesht vargjet e një dashurie të shqetësuar, u shndërruan në rreshta pafund kushtuar teatrit, duke rritur tek ai jo vetëm regjisorin, por edhe kritikun. Në historinë e teatrit shqiptar, pavarësisht kornizave, kontributi i Mihal Luarasit nuk është vetëm në ndërtimin e një koncepti regjisorial për të cilin do ta pësonte jo pak. Akoma kujtesa ia rishfaq vitet kur gjithçka dukej sikur kishte ndaluar. Ai shfaqet në këtë gjysmëshekulli, herë si kronikan e herë si dramaturg apo regjisor, duke e parë teatrin nga disa këndvështrime. Një përmbledhje e shkrimeve të hershme mbi teatrin, të botuar disa vite më parë na çon pas në kohë, duke na dhënë një panoramë të asaj çfarë ndodhte me teatrin e ri shqiptar, i cili kishte vetëm disa vite jetë. Kalojnë përmes faqesh emra aktorësh të rinj, që më vonë do të ktheheshin në monumente të skenës. Luarasi ka shënuar gjithçka dhe kritikat apo frikërat e vogla që një shfaqje mund të kishte. Ai ishte aty, gjithnjë në hollin e teatrit si një spektator i përjetshëm që nuk mungon as sot. Pas viteve ’90, me rikthimin e tij dhe të shoqes Edit në skenë, Luarasi nuk iu kushtua vetëm vënies së veprave në skenë. Janë një mori dramash të shkruara prej tij, disa syresh i ngjiti vetë si regjisor. Në një kohë kur flitet për krizë të dramës shqipe, një krizë që u reflektua dhe në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar këtë vit, ku nuk figuronte asnjë dramë shqipe, Luarasi vazhdon të shkruajë drama. Ai e sheh atë jo vetëm si një pasion, por dhe si një kontribut të heshtur mbi modelin që duhet lënë pas në dramaturgjinë shqipe. Janë tri drama të shkruara prej tij vitet e fundit, të ngjitura dhe në skenën e Teatrit Kombëtar, të cilat ai i ka përmbledhur në një libër. “Gomone”, “Korbi i bardhë” dhe “Përjetësisht dashuria”, vijnë si një reflektim për teatrin e angazhuar që shpreh pena e Luarasit”. Nuk e kam parë ndonjëherë teatrin ndryshe, por si një tribunë që duhet t’u flasë shqetësimeve të njeriut”, thotë ai. Në këto tri vepra ai shfaqet i shqetësuar për problemet e aktualitetit dhe i angazhuar për zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare. “Pa dramë kombëtare, nuk mund të ketë Teatër Kombëtar”, është postulat të cilin ai vazhdon ta besojë. Te drama “Gomone”, atë e shqetëson drama e të mjerëve dhe të dëshpëruarve nga varfëria, që braktisin atdheun për një jetë më të mirë, pa e ditur se ku shkojnë dhe ç’i pret…Ndërsa në dramën “Korbi i bardhë” trajtohet problemi i korrupsionit. Drama nis me një pikë kulminante siç është vrasja e protagonistit Ilirian Demi. Prej këtij nis procesi i zbulimit të krimit të organizuar nga njerëz lidhur me segmente të politikës. Po me një kulm mbyllet drama, në sfond drama e biznesmenit të vetëvrarë. “Luarasi është dramaturg i angazhuar. Me veprat e tij komunikon artistikisht me publikun nëpërmjet përmbajtjes jetësore të realitetit, transformuar në realitetin artistik si ithtar i dramës realiste. Tendencioz si në akuzën ndaj dukurive negative, ashtu edhe në përcjelljen e mesazheve të fuqishme ku shfaqjet e së keqes, të nxirren në kuptimin e së mirës”, thotë kritiku Mexhip Prençi. Dramat e Luarasit nuk largohen shumë nga realiteti. Njohës i mirë i teatrit, ai e di se publiku do të shohë në skenë jetën e tij. Drama “Gomone” e jep këtë. Në qendër të veprës është një shtëpi e braktisur e quajtur “Gërmadha”. Një shtëpi enigmatike, e errët, ku secili personazh mbart dramën e braktisjes, dramën personale dhe dramën e pasigurisë në rrugën që ka zgjedhur, ku bashkëjetojnë jeta e vdekja, dramatikja dhe tragjikja. Një shtëpi ku mund të gjesh dhe dashurinë. “Nesër, në orën nëntë, te vendi, midis reve! Prej vetëm një orë, por nuk erdha, as ti mos prit më shumë! Nuk ta them sa të dua…”, thotë vajza, personazh në këtë dramë në një dialog. Në tri dramat e përmbledhura në librin që mban në dorë, është realiteti shqiptar i këtyre dy dekadave. Ikjet, pasiguria, varfëria, korrupsioni dhe shpresa se një ditë gjërat do të ndryshojnë në këtë vend. Kjo e fundit është ajo që e shqetëson në këtë fillim shtatori, shpresa për një teatër më të mirë. I zhgënjyer me fatin historik të Teatrit Kombëtar, ai kërkon me ngulm që situata të ndryshojë. Mungesa e dramës shqipe në repertorin e zgjedhur nga teatri për këtë vit, tregon krizën e thellë të dramës sonë kombëtare. Por për Luarasin e ardhmja që duket në horizont të trishton më tepër. Në këto dy dekada, duket se teatri ka qenë peng jo vetëm i zhvillimeve politike sociale, por dhe i vetë krizës që ka kapur shoqërinë tonë. Ajo është reflektuar gjithnjë dhe në mënyrën e drejtimit të tij. Një fat i mbrapshtë, për një vend që është derdhur aq shumë dashuri, thotë Luarasi. Vështrimi i tij mbetet gjithnjë nga ai institucion dhe tani kur i duhet të dalë më rrallë tek ajo hapësirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button