Libri

Për dashurinë shkruhet bashkë

Alda Bardhyli

kopertina-cocoNë Italinë e vitit 1943, ku rënia e pushtetit të Musolinit do ta bënte më të lehtë hyrjen e aleatëve të cilëve ajo u kishte dalë kundër, shumë gjëra kanë mbetur ende pa u thënë. Ushtarët gjermanë kanë lënë ende gjurmë në territoret italiane ku qëndruan. Stefani Valenti, një hetuese e re italiane, do të vështrojë gjatë mbrëmjeve dritat që bien mbi liqenin e Komos. Asgjë nuk mund t’i zëvendësonte këto momente mes saj dhe liqenit, ku ajri që vinte prej brendësisë së tij, çlironte dëshirat e kësaj gruaje. Pas divorcit, e vetmja gjë që ajo donte shumë ishte puna që bënte dhe e bija, Kamila. Në disa faza të jetës së njeriut puna bëhet jashtëzakonisht e rëndësishme, njëfarë bashkëprove, një konfirmim për shumë gjëra. Dhe ky ishte një çast i tillë në jetën e Stefanisë, ku enigma e një ngjarjeje të së shkuarës kishte mbërritur në dosjen e saj të punës, si për t’u dhënë zgjidhje dhe disa gjërave që i kishte lënë pezull në jetën e saj. Asgjë nuk vjen rastësisht dhe Stefani e besonte këtë. Eshtrat e gjetura pranë një vile të vjetër të familjes Kapiteli, do ta çonin hetuesen drejt zbulimit të një tragjedie të ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore në këtë provincë të Italisë. Karl Dreseri ushtar i forcave gjermane, do të tradhtohej nga zemra në misionin e tij në vendin fqinj. Njohja me Margeritën, një vajzë e re nga Komo do t’i zgjonte atij ndjenja para të cilave do të dorëzohej. Mes atdheut të tij dhe dashurisë, Karl përpiqet të gjejë një udhë që do t’i bashkojë të dyja. Por në një kohë lufte, një zgjidhje e tillë është e vështirë. Ëndrrat e Margeritës për gjëra që s’i kishte parë kurrë, si Gjermania, shtëpitë prej druri, Karlin e saj që luante në pianon dhe në organon e kishës, shumë fëmijë flokëverdhë…do të mbeteshin vetëm ëndrra. Ajo mund të kishte gjithçka në Itali, miqësitë, rehatinë, gjithë burrat nën këmbët e saj, në një vend ku nuk kishte luftë ndërkohë që Europa ishte në flakë. Por ajo dashuronte Karlin. E motra Maria, nuk e harroi asnjëherë vështrimin e saj, teksa mbante në duar medaljonin e dhuruar prej tij, përhumbur mes ëndrrës, teksa puthte dy cullufet e flokëve të ndërthurura një të verdhë një të zezë, psherëtinte dhe buzëqeshte. Fundi i kësaj dashurie do të ishte vdekja e dy protagonistëve, duke lënë pas misterin e ikjes…Në kohë lufte nuk ka kohë për hetime, por koha nuk mund të rrijë pa i zbardhur ndëshkimet. Kjo është simbolika e romanit të njohur bashkëkohor italian “Hije mbi liqen” , shkruar nga shkrimtarët Cocco&Magella, të cilin Shtëpia Botuese “Saras” sapo e ka hedhur në treg. Nën përkthimin e Adrian Beshajt, kjo histori e jashtëzakonshme që mban brenda historinë dhe dashurinë, të bën menjëherë për vete. Si lexues ti bëhesh me Stefaninë dhe kërkon të ndjekësh çdo intuitë të saj në zbardhjen e një të vërtete që për gati një shekull ka qenë e mbuluar nga harresa. Ti ndjek pasionin e një gruaje për profesionin e saj, për të çuar deri në fund një mision dhe për t’i dhënë më në fund pas kaq vitesh paqen e munguar Karlit dhe Margeritës. Cocco&Magella e dinin, vetëm një grua mund t’i jepte paqe kësaj historie. Në Europën e shekullit  XXI, letërsia duket se ka çuar vështrimin tej nga e shkuara, si për t’i dhënë përgjigje shumë ngjarjeve dhe historive që kanë mbetur ashtu pezull në lëmshin e historisë. Lufta e dytë Botërore nuk ka lënë gjurmë vetëm në Itali por në të gjitha vendet që u përfshinë në të. Vuajtjet, apo tmerret e kohës kanë lënë gjurmë te protagonistët. Shumë krime kanë mbetur pa emër, duke sjellë deri në ditët e sotme ndjenjën që të jep mungesa e së vërtetës. Për një të ardhme më të mirë duhet e vërteta. Dhe pse ngjarjet e këtij romani gati-gati thriller janë produkt i fantazisë së autorëve, thelbi ashtu si ata pohojnë është nevoja për të njohur të shkuarën. Amneris Magella është rritur duke dëgjuar histori të luftës. E lindur në Milano më 1958, ajo gjithnjë pëlqente të shfletonte librat e historisë. Ky roman për të, është një detyrim ndaj gjyshit të saj, Giuseppe Megellës, që nuk u lodh asnjëherë së treguari historitë e luftës, derisa mbylli sytë. Ajo çfarë e bën interesant këtë libër është fakti që është shkruar nga dy autorë. Rrallë ndodh në letërsi të kemi bashkautor në një roman, ndryshe nga ç’mund të ndodhë në një libër historie, apo studimor. Por Amneris Magella dhe Giovanni Cocco kanë zgjedhur të shkruajnë bashkë libra me gjuhën e dashurisë. Kjo histori lindi në një nga ato mbrëmjet që çifti kalonte bri liqenit të Komos, të bindur për t’i treguar botës, jo vetëm magjinë e këtij liqeni në veri të Italisë, por dhe për të vendosur një fasho në plagën e së shkuarës. Giovanni ka qenë gjithnjë i tërhequr pas historisë. Para se të vendoste të shkruante libra ai ka kaluar vite të tëra në Bibliotekë (199-2003), duke rrëmuar në arkiva mbi ngjarje të luftës. Ai do të nisë të shkruajë në vitin 2011 pas një takimi me shkrimtarin e njohur italian, Raul Montanari. Njohja me Amneris, pasioni i saj për shkrimin do ta zhysnin më shumë drejt kësaj magjie që tani e ka përfshirë gjithë jetën e tij. Vendosja e ngjarjeve në Komo në romanin “Hije mbi liqen” nuk është një zgjedhje jo e menduar. Nëse Amneris do të punonte shumë për personazhet femra si Stefani, Margerita apo Maeria, motra e Margaritës, Giovanni do të ishte më i vëmendshëm me kronologjinë e ngjarjeve me intuitën e një burri për luftës, dhe Komon e tij të dashur. Në roman ndihet shija e një burri dhe eleganca e një gruaje. Libri është pritur mirë nga kritika italiane, dhe vazhdon të botohet në shumë vende të tjera. Ardhja e këtij libri në gjuhën shqipe nga “Saras”, një vend ku raportet me të shkuarën nuk ndryshojnë shumë nga ajo e vendit fqinj është si një manual reflektimi. Kjo pasi “Hije mbi liqen” mund të grishë shumë gjëra te një lexues teksa e lexon. Mund t’i japë zgjidhje shumë mëdyshjeve në jetën e tij, përmes një historie që vjen nga vite më parë, dhe në një kohë lufte.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button