Te ndryshme

Pikaso mbi suksesin dhe arsyen përse arti nuk duhet të bëjë kompromis

pikaso“Imagjinoni pafundësinë. Kthejeni refuzimin në rritje dhe çani përpara. Mos bëni kompromis”, këshillon Debbie Millman në meditimet e saj mbi çfarë duhet për të projektuar një jetë të mirë.

Por si mund t’i rezistojë dikush kompromisit me idealet e artit dhe krijimtarisë, kur bëhet fjalë për themelet praktike të mbijetesës? Një përgjigje pa kompromis vjen nga një prej artistëve më të mëdhenj që njerëzimi ka njohur.

Në vitin 1932, fotografi i famshëm hungarez, Brassai, të cilit Henry Miller i vuri nofkën “syri i Parisit”, mori një kërkesë që të fotografonte skulpturat e Pikasos, që në atë kohë ishin të panjohura. Skulpturat do të shfaqeshin në revistën pioniere të surealizmit, Minotaure, kryeredaktor i së cilës ishte Andre Breton.

Pikaso sapo kishte mbushur pesëdhjetë vjeç. Ishte ndërkohë një artist i njohur, por po përpiqej ende të bëhej i famshëm botërisht.

Por kur Brassai mbërriti në adresën La Boétie rruga 23, dhe hyri në studion e Pikasos, shumë shpejt kuptoi se përtej ftesës modeste të seancës fotografike shtrihej një nder më i madh – ftesa për të hyrë në botën private të Pikasos dhe dhurata e një perspektive intime në mendjen e tij të veçantë.

Pas çdo seance, Brassai kthehej në shtëpi dhe shkruante me kujdes bisedat e tij me Pikason që i mblodhi në një vepër gjigante, por jo për qëllime botimi. Intuita i thoshte se mendimet e Pikasos për jetën dhe artin, do të vlerësoheshin shumë në të ardhmen.

Kjo vazhdoi për tridhjetë vite, përgjatë kohës që ata u njohën me njëri-tjetrin nga ana intelektuale, kreative dhe shpirtërore, ndërsa eksploronin subjektet e egos së tyre dhe procesin e krijimtarisë, rolin e pasionit romantik në art dhe universin.

Në vitin 1964, Brassai, i cili ishte po aq i talentuar si shkrimtar sa ç’ishte si fotograf, vendosi që t’i bëjë publike bisedat me piktorin dhe publikoi vëllimin e mrekullueshëm “Biseda me Pikason”.

Një prej këtyre bisedave ndodhi më 3 maj, 1944. Ndonëse Brassai ishte atëherë një fotograf i suksesshëm – reputacion me të cilin ai hyri në jetën e Pikasos – ai ishte marrë pak me vizatime 20 vite më parë dhe i kishte treguar Pikasos disa nga veprat e tij të hershme.

Në atë pasdite të veçantë pranvere, Pikaso shprehu admirimin e tij për dhuntinë e Brassait për të vizatuar dhe këmbënguli që ai të hapte një ekspozitë dhe filloi ta ngacmonte fotografin se përse kishte lënë lapsin për aparatin.

Pavarësisht se Brassai ishte i suksesshëm si një fotograf, Pikaso e pa shkëmbimin e mësipërm të vizatimit me fotografinë si një kompromis.

Ai e këshilloi:

Kur dikush ka diçka për të thënë, për të shprehur, çdo nënshtrim bëhet i padurueshëm në rrugën e gjatë. Ai duhet të ketë kurajën të zgjedhë një profesion dhe të bëjë para prej këtij profesioni. “Karriera e dytë” është një iluzion! Edhe unë kam mbetur shpesh pa para dhe gjithmonë i kam rezistuar tundimit për të jetuar me mjete të tjera veç pikturës… Në fillim, nuk shisja shtrenjtë, por shisja. Pikturat e mia shiteshin, kjo ka rëndësi.

Atëherë Brassai protestoi duke thënë se pak artisë kanë dhuntinë që të jenë të suksesshëm, duke cituar Matisse i cili një herë i tha atij “Duhet të jesh më i fortë se dhuntitë e tua që t’i mbrosh”.

Pikaso e hodhi poshtë mitin se arti vuan kur të tjerët paguajnë për të. Ndryshe nga ata që besonin se suksesi komercial është armiku i integritetit kreativ. Ai e kuptoi impulsin e brishtë të kreativitetit si një kalim të egos njerëzore. Ai i tha Brassait:

“Suksesi është diçka e rëndësishme! Thuhet shpesh se një artist duhet të punojë për veten, për dashurinë ndaj artit, se ai duhet të ketë përbuzje për suksesin. Nuk është e vërtetë! Një artist ka nevojë për suksesin. Jo vetëm që të jetojë me të, por edhe që të krijojë trupin e punës së tij. Edhe një piktor i famshëm duhet të ketë sukses. Pak njerëz kuptojnë gjë nga arti dhe jo kushdo është i ndjeshëm ndaj pikturave. Shumica e njerëzve e gjykojnë artin nga suksesi”.

“Periudha blu, periudha violë, të gjitha këto ishin suksese që kam pasur më parë dhe që më kanë mbrojtur, sepse një artist ka nevojë të mbrohet nga suksesi që të krijojë murin e vet të besimit për të vazhduar të bëjë atë që bën”.

Së fundmi ai këshillonte, mos i shisni pikturat shtrenjtë. Ka rëndësi të shesësh shumë, jo shtrenjtë. Pikturat duhet të shpërndahen nëpër botë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button