Opinion

Please, o shtet!

Nga: Silvi Bakiri*

Move in the right direction”, thotë kënga e grupit Gossip, që tashmë dëgjohet më shpesh se kurrë, në stacione të ndryshme radiofonike. Të lëvizësh në drejtimin e duhur, sipas tekstit të këngës në fjalë, është të përballesh me frikërat e tua, duke i lënë ato pas krahëve e duke shpresuar e punuar për një të ardhme të ndritur… Të lëvizësh në drejtimin e duhur, sipas meje, do të thotë të rimendosh edhe një herë bindjet e tua e të ecësh me të renë, jashtë konjukturave e hojeve të mendësive të vjetra që i ngjajnë për shembull sadopak një koalicioni.

Një koalicion: Është gjithçka përveçse të lëvizësh në drejtimin e duhur! Një koalicion është një marrëveshje që kërkon kompromise e që nuk mund të fusë në brazdë asnjë të mirë, përveçse të forcojë pushtetin dhe muskujt e njërës apo tjetrës parti. Eh, por të lëvizësh në drejtimin e duhur, pak ka të bëjë me të treguarit e muskujve kundrejt të tjerëve apo në përgjithësi kundrejt popullit.

Kurrë mos thuaj kurrë. Të fillosh nga e para nuk është gjëja e përkryer, por është t’i afrohesh të përkryerës… (vijon kënga e grupit Gossip, me titull: “Move in the right direction”.

Eh, të fillosh nga e para, ose nga 0, është pra të jesh i pakompromentueshëm nga asgjë dhe askush, është të ndjekësh rrugën tënde plot pengesa drejt qëllimit të larë, të papërlyer rrugës. Dhe gjithashtu, të fillosh nga e para, do të thotë të mos kesh frikë. Nuk njoh asnjë fillim, rifillim apo gjithçka tjetër që nis me “Ri” që të mbartë diçka të vjetër në trupin e saj. Të fillosh nga e para do të thotë ama të mos harrosh kush ke qenë, të shohësh pse jo çdo ditë veten tënde të vjetër me sy të ri e me mendje të kthjellët.

Të fillosh nga e para do të thotë t’u flasësh ëmbël e t’u sillesh mirë popullit që voton për ty e që t’i ndjek me stoicizëm fjalimet, por edhe invalidit që rastis në ato anë, edhe të pasurit edhe të varfrit, edhe të vobektit. Të fillosh nga e para, dhe pra të rilindësh ose diçka tjetër si të duash ta quash, do të thotë: Të kuptosh se ashtu siç respektohet kolegu yt i afërt, bashkëpunëtori i ngushtë i planeve a ëndrrave të tua, ashtu duhet respektuar kolegu pak më i largët që është gjithsesi pjesë e platformës tënde të ‘Ri’-së. Të fillosh nga e para pra, do të thotë të mos harrosh shokun, mikun, ose thjesht atë që besoi te t’i, kur as t’i vetë nuk besoje te vetja.

Të fillosh nga e para do të thotë t’i japësh një shans shpresave të tua për të parë dritë, edhe pse në një pyll plot me derra. Zgjidhja në këtë rast, sërish, nuk është t’u qeshësh e të shtrëngosh duart me derrat apo delet, por është t’u kalosh mespërmes pa ua hedhur sytë. Të fillosh nga e para do të thotë të kesh vizion, por nuk mjafton kjo! Vizioni është lehtësisht i shkatërrueshëm dhe i harrueshëm, lehtësisht i ndryshueshëm aq sa rrezikon të humbasë një herë e përgjithmonë në terrin e pyllit.

Nëse qëllimi është pra ai që mendohet: Të ndërtohet një Shqipëri, gjithsesi e vogël, por më e mirë, një Shqipëri që pret me kokën lart turistët në sezonin e verës, një Shqipëri që nuk i ka harruar ëndrrat e Ismail Qemalit, por edhe Isa Boletinit, atëherë qasja e ribërjeve duhet të jetë ndryshe! Jo kjo, jo kështu! Ribërja dhe drejtimi i duhur nuk harron të shkuarën, nuk harron atë që ka thënë pak vite më parë për bashkëpunëtorët e tij politikë, tash’ të ngushtë e madje “shpatull e ngrohtë” e fushatës. Nëse qëllimi është të ribëhet ndryshe dhe mirë Shqipëria, duhet një ndërgjegje e re, që sigurohet vetëm nga njerëz të rinj, nga ata të llojit “jo- dele”. Prandaj disa nga ne jemi këtu, të pandikueshëm dhe jo gjithmonë hokatarë në lidhje me qëllimin serioz për të sjellë frymën e së vërtetës dhe lirisë, larg gjasmeve e shtirjeve të çdo lloji. Por, ka shpresë, edhe për të tjerët. Asnjëherë nuk është vonë, të ndryshosh për mirë, për ty këtë herë, jo për ne!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button