Opinion

Prokurorët nuk kanë pse të bëjnë publike hetimet e tyre

Mustafa Nano

Mustafa-Nano-1Vjedhja e shumave të mëdha të parave në Bankën e Shqipërisë është ngjarja që ka shuar urinë për lajme gjatë stinës së thatë mediatike të verës. Titujt kryesorë të faqeve të para të gazetave e të edicioneve të lajmeve në TV kanë pasur të bëjnë pikërisht me këtë ngjarje. Por çfarë ka ndodhur saktësisht? Po bëj një përmbledhje:

“Vjedhja është bërë me dijeninë, në mos nën përgjegjësinë (duket se edhe padija në këtë rrethanë është faj) e një numri drejtuesish e nëpunësish të Bankës Qendrore të Shtetit. Gjithçka ka ndodhur në Linzë, ku prej vitesh ndodhet një nga ambientet e kësaj banke, brenda të cilit (ambientit) funksionon Departamenti i Emisionit, ose thënë me fjalë të thjeshta, sektori i magazinimit të prerjeve të reja të lekëve të prodhuara nga kompani të huaja të specializuara, me të cilat banka ka lidhur e nënshkruar marrëveshje e kontrata. Hyrja, dalja e ruajtja e këtyre parave ka qenë detyrë e disa punonjësve të Departamentit të Emisionit, një pjesë e të cilëve momentalisht gjenden nën hetim e nën arrest. Është fjala për Ardian Bitrajn, përgjegjës i arkës stok, Mimoza Bruzian, specialiste, Dorian Çollakun, drejtor i departamentit, Bashkim Xhilagën, kontrollor mbikëqyrës, Petrit Ramohitajn, përgjegjës i arkës, Lavdim Canin, specialist, Myzejen Belbën, specialiste, Liljana Tushën, specialiste, Dhimitër Davidhin, vëzhgues operator. Ngjan se strumbullari ka qenë i pari syresh, Ardian Bitraj, i cili ka demonstruar, për befasinë e shumëkujt, një shpirt bashkëpunimi me prokurorët e Republikës, dhe ka ndriçuar, për hesap të tij, të gjitha rrethanat e kësaj grabitjeje. Është ai që ka vënë dorë në arkën stok, gjë që është provuar (përveçse nga çfarë ai vetë ka pohuar) edhe nga konstatimet e bëra prej hetuesve.”

Me sa më sipër nuk është se kam gjetur e veçuar zonën e përbashkët të prerjes së të gjitha versioneve e pistave të hedhura në shtyp. Jo, kam përmbledhur një raport zyrtar të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, i cili është publikuar dje, në mënyrë integrale, në dy faqe, nga pothuaj të gjitha gazetat e vendit. Nuk është pra një raport i tyre që është “vjedhur” nga ndonjë gazetar apo ndonjë gazetë; është një raport që u është përcjellë mediave nga vetë prokurorët. Këtë gjë ma pohoi edhe zëdhënësi i shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme, Albi Serani, në një bisedë që pata në telefon me të mbi këtë çështje. Po citoj Seranin (më saktë, po e perifrazoj, duke qenë i bindur se idenë po ia lë absolutisht të paprekur): “Ne kemi rënë dakord që për çështje të caktuara, për të cilat interesi publik është qartazi i madh, të publikojmë të dhëna nga procesi hetimor; kemi rënë dakord të publikojmë të dhëna që nuk kanë të bëjnë me sekretin hetimor e që nuk komprometojnë hetimin në tërësi; jemi sjellë në këtë mënyrë edhe për t’iu ndodhur pranë gazetarëve që duan informacion; ligji nuk na pengon që ta bëjmë këtë gjë”.

Siç shihet, qëndrimi i tyre është i qartë. Mirëpo në atë masë që është i qartë, është edhe i diskutueshëm. Madje, më saktë do ishte të thuhej se kjo nuk është një praktikë normale. Ligji shqiptar mund të mos e pengojë një veprim të tillë, por në të njëjtën kohë është po ky ligj që as e inkurajon, as e shndërron në detyrim publikimin e raporteve të tilla hetimore. E në fakt, Prokuroria nuk bën pjesë tek institucionet apo strukturat shtetërore që kanë për detyrë të nxjerrin në shesh çfarë ato bëjnë në ushtrim të funksioneve të tyre. Përkundrazi, Prokuroria ka për detyrë pikërisht të kundërtën, d.m.th mbajtjen e veprimtarisë së vet larg syve të publikut. Prokurorëve nuk ka pse t’u interesojë informimi i publikut. Nuk kanë pse ta vënë ujin në zjarr për këtë punë, e cila u takon nga fillimi deri në fund gazetarëve. Janë këta të fundit që duhet të bëjnë çmos të bëjnë transparent aktivitetin e institucioneve, deri dhe të atyre institucioneve të llojit të Prokurorisë që duhet të bëjnë çmos ta fshehin këtë aktivitet.

Puna e prokurorëve është të hetojnë, ta mbrojnë këtë hetim nga ndërhyrjet furacake, të mos u lënë hapësirë e liri veprimi autorëve të krimeve të ndryshme që do donin të bënin ndotjen, fshehjen a fshirjen e provave, ta përgatisin mirë akuzën, ta bëjnë këtë në respekt të ligjit e në respekt të afateve kohore që përcaktohen po nga ligji, në mënyrë që të dinë ta mbrojnë përpara gjyqtarëve atë që kanë bërë e në mënyrë që autorët e veprave penale të mos gjejnë shtigje daljeje e barka shpëtimi gjatë procesit e procedurave të gjykimit, gjë që ka ndodhur ca si shpeshherë këtyre anëve (është për t’u parë rast pas rasti nëse kjo ndodh për faj të prokurorëve që punojnë shkel e shko, apo për faj të gjyqtarëve të korruptuar).

Nëse prokurorët mjaftohen të bëjnë këtë “pak gjë” në punën e tyre, ata janë ok. Këtë minimum u kërkojmë ne (edhe ligji, edhe deontologjia e profesionit të tyre, në fakt) që ata të bëjnë. Ndërsa kur publikojnë raporte hetimore, apo pjesë të këtyre raporteve, prokurorët nuk bëjnë një punë që ka lidhje me ta. Qëndrimi i zëdhënësit Serani, që në fakt është qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme, mund të mos kishte të sharë (duke mbetur i diskutueshëm, gjithsesi) në situata normale, por në rrethanat kur nga Prokuroria priten prova të qarta të vullnetit të saj për t’u karfosur me banda që kanë abuzuar e abuzojnë me pushtetin e kur imazhi i saj nuk është më i miri i mundshëm (ka dy dekada që vazhdon kjo histori), publikime të tilla fare lehtë mund të merren si teknika PR-i e si marifete mediatike që synojnë të mbulojnë dështimet.

Shkurt, ne duam të kemi prokurorë që dinë të kopsitin dosjet hetimore e që dinë të mbrojnë pretendimet e tyre në sallat e gjyqit, e jo prokurorë që na ushqejnë me info rreth hetimeve. Këtë të fundit edhe mund ta bëjnë xhanëm (përderisa ligji nuk i pengon), por mbi të gjitha duhet të bëjnë të parën, që është një detyrë kushtetuese e tyre. “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit”, thuhet qysh në fillim të nenit 148 të Kushtetutës. Sic!

Related Articles

Nje koment

  1. “Lakra” pa vaj. plaku bar per bagtine
    shkruaj per foraragjert,do e keshe me te lehte komunikimin me lexesusin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button