Opinion

Putin, krim dhe pandëshkim

MONIKA SHOSHORI STAFA

Monika Shoshori StafaVrasja tronditëse e një prej figurave simbol të kundërshtarëve të Presidentit rus Putin, Boris Nemcov, ekzaktësisht mu nën hundën e Kremlinit, qartësisht shënon fillimin e një epoke të re në politikën ruse dhe gjithë domenin që syri i saj ka nën vëzhgim. Dhe kjo, vështirë të mund të duket e këndshme për syrin tjetër, atë tej korridoreve të Moskës zyrtare. Prej ditësh ajo çfarë ndodhi në Kremlin ka shpërqendruar vëmendjen e të mëdhenjve të Perëndimit, që kjo ngjarje me gjasë, ata i gjeti çuditërisht të papërgatitur, shkruajnë këshilltarët e tyre në tavolinat e rrumbullakëta, ku ftohen të marrin pjesë për të dhënë shpjegimet e para. Po kush e vrau Nemcov, kush mund të fshihej pas tij? Zëra seriozë brenda këtyre kabineteve shkruajnë se nuk mund të marrin përsipër të thonë ndonjë ide për këtë, por kujdesen të nënvizojnë se këtë vrasje assesi nuk mund ta ketë bërë qeveria; thjesht sepse e gjejnë të vështirë të mendojnë se Vladimir Putin në fakt do të mund ta urdhëronte vrasjen e një figure të një kalibri të tillë kaq shumë të akuzuar si opozitari i tij. Dhe kjo jo sepse Presidenti rus është një pacifist, por sepse nuk mund të parashihet se Putin do të mund të fitonte epërsi ndaj një eliminimi të tillë, kaq lehtë të menduar.

Por analistët, nga ana tjetër, me të drejtë hedhin paralele mes kësaj vrasjeje të fundit në Kremlin dhe Kirovit, Sergey Kirov, rivalit më të spikatur të Stalinit, si një nga goditjet më të mëdha që atij i shërbeu si një pretekst për të spastruar elitën intelektuale të asaj kohe. Por sigurisht Putin nuk mund të kish nevojë për ndonjë përligjje për çfarëdo represioni apo terrori që mund të ndërmerrte e të mund të kryente një masakër të tillë, tani dhe mbi të gjitha në Rusinë e 2015-s. Sipas tyre, Nemcov sigurisht nuk mund përbënte asnjë kërcënim për të.

Përveç kësaj, për një udhëheqës, legjitimiteti i të cilit është pjesërisht i bazuar në mënyrën se si ai i dha fund, bespredel-it të tij (pafundësisë apo pakufizimit të pushtetit qoftë ai politik, financiar apo dhe kriminal, ndërsa shijon plotësisht mosndëshkimin e plotë të krimit duke u larguar madje dhe me vrasje), paligjshmërisë së tepërt e të dhunshme të viteve 1990, e kur gjithçka e për më tepër, ndodh kaq afër selisë së pushtetit të tij, është një siklet i rëndë e shumë i pakëndshëm për shpinën e Putinit. Nëse ka ndonjë gjë që ai se ka dëshiruar mbi të gjitha pas kësaj, është dhe se vrasja me padyshim do të nxiste protestat e fundjavës së shkuar, duke i kthyer ato, në tubime përkujtimore kushtuar figurës heroike të kundërshtarit të tij, tanimë të vdekur, por me gjasë kthyer, në heroin e Gulagut të ri rus, që i kaloi kufijtë e Uraleve.

Nacionalistët anarkistë mendohet se do të ishin të vetmit ata që do ta përkrahnin, por kjo shënon shumë pak për Putinin nëse mendohet se ai do ta kish urdhëruar vrasjen. Të tjera kumte vijnë nga ushtarët e tij të mbizellshëm, të cilët dallojnë për nga një lloj tjetër ksenofobie e gjuetie të re shtrigash që ushqehet nga Kremlini. Dyshimet që vijnë përmes kabllogrameve diplomatike, i besojnë më shumë këtij varianti, të çuditshëm, deri në pabesi. Por ka dhe të tjera; figurat opozitare kanë nevojë për një dëshmor apo nëse i shkojmë atij ekstremit real të një spektri ndriçimi të çmendur, agjentët amerikanë po kërkojnë të nxisin konflikte në Kremlin? Askush nuk di të thotë më shumë, por një gjë është e sigurt, në Europë ka heshtje. Shqetësimi i vetëm është se ajo ende s’ka folur, pasi vetë Rusia s’di të flasë realisht se çfarë ka ndodhur. Është vetëm ngjarja që tregon vrasjen dhe asgjë më shumë, ndaj në buletinët e përditësuar të lajmeve, ne jemi të tunduar të gjithë për ta interpretuar Kremlinin e përgjakur, bazuar në atë çfarë mund të perceptojmë rreth Rusisë, Putinit dhe botës letrare ruse, nëpërmjet së cilës më shumë e mistifikojmë atë çfarë ka ndodhur sesa priremi të besojmë perceptimet që mbledhim për t’iu afruar të vërtetës. Një botë e tërë që të trondit rreth komploteve kriminale që ngrihen nadjeve siberiane dhe ndëshkimit ndaj tyre, kurrë të pakryer. Një format dostojevskian sa dhe njerëzor, i pashmangshëm, dhe i rrezikshëm po aq. Por vrasja në Kremlin vendosmërisht kësaj here shënjestroi tri procese themelore që kanë kohë që po ndodhin në tokën ish-sovjete, më shumë se ngjarje të papritura dhe aksidente të një situate tranzicioni të gjatë.

Sot në Kremlin e kudo në Europën Lindore për më tepër, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mos jesh në njërën anë apo tjetrën. Ngjarjet që duan të marrin shpeshherë rrjedhën e vet, marrin me vete prapësitë e njërës apo tjetrës palë dhe ti nuk mbetesh më indiferent, si ajo që ndodhi me Tomin dhe shokët e tij, fundjavën e shkuar në dyert e politikës shqiptare. Më ka ndodhur me zhvillimet politike shqiptare kjo gjindje, por dhe ato që ndodhin në korridoret e Brukselit. Si një kërkuese e vendosur e analeve perëndimore të çdo kalibri qofshin, çdo ide progresive të së cilës e mbroj me fanatizëm nuk do të kisha dëshirë për asnjë çast të qëndroja pa shkruar dy radhë, mbi këtë kobshmëri që mund të ndodhë dhe ka ndodhur në fakt, edhe para syve tanë. Aspak për të konsideruar Putinin, (në këtë rast e shoh unik me të ngjashmit e vet të Lindjes) si një vrasës mafioz, fashist, tiran apo dhe kleptokrat, i cili vret për dreq, të mbetet një apolegje në historinë e sundimit të tij. Apo për të refuzuar besimin që mund të kesh se Departamenti i Shtetit plotësisht aktiv, tanimë po përpiqet të promovojë një emër të ri si Alexei Navalny në Kremlin, duke të yshtur të besosh drejt një tabloje të re me një tufë ngjyrash revolucioni, me sy perëndimi tej. Me keqardhje shkruaj se këto tanimë janë skenarë që i përkasin një bote tjetër me mure në mes, atëherë kur brezat e rinj romantikë të viteve ‘80 digjnin brenda ndjesitë për të përmbysur sisteme me muzikën e Bob Dilanit e të Rock and Roll-it. Bota e sotme nuk është kjo dhe e ajo çfarë duhet të jetë; një Sy i Madh e i hollë ashtu si Rendi i Ri Botëror di të jetë.

Asgjë, me sa duket, nuk është pjesë e një plani, e një strategjie apo çfarëdo tjetër. Nemcov thuhet gjithashtu se duhet të jetë vrarë nga shteti, sepse ai ishte nën mbikëqyrje 24 orë në 24. Por kjo mbetet e dyshimtë sa kohë do të kërkonte një operacion masiv, jo të përshtatshëm për nga raporti me rëndësinë e staturës që ai dispononte. E vërteta e çështjes është qartësisht kështu që politikanët dhe qeveria janë shumë më pak nën kontrollin e ngjarjeve që ndodhin sesa ata dhe ne mund ta mendojmë. Ka shumë zëra se Nemcov u vra nga disa rebelë, anarkistë pa parti, e aspak agjentë të qeverisë apo dhe fanatikë të opozitës. Është e pabesueshme ajo që mendohet të jetë arsyeja që mund të ketë çuar në këtë ngjarje të rëndë të Kremlinit. Aspak e dy shokëve kundërshtarë për hir të “idealeve” apo ideologjive të përkundërta apo për hir të betejave të mëdha mes oligarkësh, çoroditëse ta mendosh. Por thjesht ajo që mendohet si pikë reference në të gjithë këtë turbullirë kriminale dhe gjakësore është klima gjithnjë e më toksike e politikës së Kremlinit, ku njerëz si Nemcov, të njohur si rusofobikë, shkaktojnë bezdi deri kërcëllitëse me jetën, me flirtimet e tyre me Perëndimin, thellësisht të shënjestruar për t’u eliminuar si armiq të kulturës, vlerave dhe interesave të Rusisë. Pra, nëse i rrotullojmë gjërat brenda një lupe, definitivisht Putin mbetet një fajtor, po aq fajtor sa dhe kompanitë e duhanit konsiderohen të tilla sa kohë prodhojnë dhe shesin duhan klientëve, sa kohë dihet, ai mbetet shkaku i parë i vdekjeve nga kanceri.

Atëherë si mund një regjim i tillë të zbusë tonet e këtyre sentimenteve kaq të ashpra? Askush nuk e beson se Putin ka si qëllim Luftën III Botërore ose të dëshirojë të krijojë një shtet neoterroristo-stalinist apo tjetra të bëjë ndonjë nga paudhësitë më të rënda, për të cilat kritikët e kanë anatemuar pafundësisht në çdo anë të globit. Por ajo që dyshohet, është se në emër të sundimit të skeptrit të pushtetit (që ka të bëjë me ambicien e tij më të madhe) apo dhe duke e ripohuar vazhdimisht si triumf të vetin, sovranitetin e vërtetë të Rusisë (ambicia e dytë e tij më e madhe), me gjithë kundërshtimet e opozitës së tij liberale, Ukrainës, Perëndimit apo dhe kujtdo tjetër, Putin duket se ka lëvizur fort në rolin e ushtarit, në kutinë e shahut, duke u hedhur tashmë drejt një orbite të errët dhe të rrezikshme për të, që me shumë gjasë parashihet se do t’i duhet ndonjëherë të kthehet prapa, madje më keq akoma, shkruajnë proveditorët, të ndalojë të ecë përpara me skeptrin e tij në dorë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button