Bota

Putin: Perëndimi përballet me krizat që krijoi vetë!

Kreu i Kremlinit akuzon ashpër SHBA-në. Merkel, Rusisë: Dimri po vjen. Ukrainasit duan gaz!

Presidenti Putin

Gjatë një takimi ndërkombëtar të zhvilluar dje në Soçi, në jug të Rusisë, kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përshkallëzim të konflikteve në botë. Më tej, Putin tha se: në luftën kundër terrorizmit, Perëndimi po përballet me “rezultatet e politikës së vet”. Gjithashtu, ai i ka cilësuar si “të gabuara” sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë, argumentuar me veprimet e Kremlinit në Ukrainë, duke thënë se “ato do të dëmtojnë të gjitha palët”. “Ne nuk e kemi nisur këtë”, theksoi Putin, duke iu referuar tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit.

“Europës i leverdis gazi rus”

Duke folur më tej në terma konkretë, Presidenti rus, Vladimir Putin, tha gjatë takimit të së premtes, se ai nuk pret që shtetet e Bashkimit Europian të ndërpresin blerjen e gazit nga Rusia, pasi sipas tij, Europa nuk ka tjetër zgjidhje. “A mund ta merrni dot me mend të ndodhë kjo me dëshirën e partnerëve tanë në Europë? Unë zor se mund ta imagjinoj një gjë të tillë”, theksoi Putin, në përgjigje të pyetjes së një gazetari, gjatë takimit me ekspertë politikë rusë e të huaj. Bashkimi Europian ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, për shkak të përfshirjes së Moskës në konfliktin në Ukrainë. Si rezultat, BE ka shfaqur shqetësimin e saj se furnizimet me gaz nga Rusia mund të ndërpriten, andaj ka shfaqur interesimin që të ndryshojë furnizuesit e saj. Europa, sipas statistikave, një të tretën e gazit e merr nga Rusia, gjysma e së cilës kalon nëpërmjet Ukrainës.

Putin reagon pas telefonatës së Merkelit

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha në vijim se ai shpresonte që edhe marrëveshja me Ukrainën për gazin, të arrihej javën e ardhshme. Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz në Ukrainë, pasi kjo e fundit nuk e ka paguar atë. Ministrat e energjisë nga Ukraina dhe Rusia, pritet që të zhvillojnë më tej bisedime me Komisionin Europian në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj çështjeje. Reagimi i kreut të Kremlinit ka ardhur dje menjëherë pas telefonatës që ai kishte marrë nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka kërkuar nga ai që të gjejë një zgjidhje për të furnizuar Ukrainën me gaz, për shkak se dimri po afrohet. Përveç çështjes së gazit, Merkel ka biseduar me Putin edhe për krizën në Ukrainë dhe zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë të diel. Sipas një deklarate zyrtare nga zyra e Kancelares Merkel, thuhet se ajo ka kërkuar nga Putin që të kërkojë nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën Lindore, që të mos krijojnë probleme ditën e zgjedhjeve në Ukrainë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button